Arne Slot ka zbuluar se kur Mohamed Salah do të rikthehet te Liverpooli pas Kupës së Kombeve të Afrikës.
Sulmuesi pritet të kthehet në Merseyside pas humbjes së Egjiptit në gjysmëfinale ndaj Senegalit, ndeshje në të cilën ish-bashkëlojtari i Salahut, Sadio Mane, shënoi golin e fitores në Tangier.
Salah u largua për në turneun afrikan me të ardhmen e tij në “Anfield” ende të paqartë, pas komenteve shpërthyese që bëri pas barazimit të “Reds” ndaj Leedsit.
33-vjeçari kishte deklaruar se ndihej sikur klubi e kishte “hedhur nën autobus”, duke shtuar se ai dhe Slot “nuk kanë asnjë marrëdhënie”.
Anësori luajti vetëm edhe një ndeshje tjetër për Liverpoolin para se të udhëtonte drejt Marokut me kombëtaren, duke u aktivizuar si zëvendësim në pjesën e parë ndaj Brightonit.
Salah shënoi katër gola dhe dha një asist në katër paraqitje për vendin e tij gjatë rrugëtimit deri në gjysmëfinale, ndërsa “Faraonët” do të përballen me Nigerinë të shtunën në ndeshjen për vendin e tretë.
Pas kësaj, ai pritet të kthehet në Melwood, por nuk do të jetë i përfshirë në ndeshjen e ardhshme të Liverpoolit ndaj Burnleyt këtë fundjavë.
Rregullat e FIFA-s parashikojnë që lojtarët duhet të qëndrojnë me kombëtaret e tyre deri në mëngjesin pas ndeshjes së fundit.
Si rrjedhojë, Salah mund të jetë në dispozicion për t’u rikthyer te klubi në ndeshjen ndaj Marseille në Ligën e Kampionëve, të mërkurën.
“Javën e ardhshme,” u përgjigj Slot kur u pyet se kur do të rikthehet Salah.
“Ai duhet të luajë edhe një ndeshje të madhe me Egjiptin dhe më pas kthehet tek ne.
“Jam i lumtur që ai po rikthehet, sepse edhe sikur të kisha 15 sulmues, do të isha i kënaqur ta kisha sërish me ne.”
“Jemi në kontakt me të atje, për atë që pritet prej tij këtu. Ai ka një ndeshje të rëndësishme të shtunën dhe javën e ardhshme do të jetë me ne.”
I pyetur nëse Salah mund të aktivizohet ndaj Marseille në mesjavë, Slot u shpreh: “Kjo është diçka për të cilën po flasim bashkë.”
Sa i përket dëmtimeve, situata mbetet e pandryshuar për kampionët, të cilët vazhdojnë të jenë pa shërbimet afatgjata të Alexander Isak, Conor Bradley dhe Giovanni Leoni.
Burimi: botasot.info


