Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka hartuar projektligjin “Për mbikëqyrjen shtesë të institucioneve të kreditit, shoqërive të sigurimeve dhe shoqërive komisionere, pjesë e konglomerateve financiare”, i cili është miratuar nga Qeveria Shqiptare.
Nisma synon forcimin e mbikëqyrjes së grupeve financiare që operojnë në më shumë se një sektor të tregut.
Sipas projektligjit, një grup do të konsiderohet konglomerat financiar kur përfshin të paktën një subjekt bankar dhe një subjekt sigurimi ose investimi, ndërsa aktiviteti i tij në sektorë të ndryshëm duhet të plotësojë disa kritere të përcaktuara. Kuadri i ri është hartuar në përputhje me Direktivën 2002/87/EC të Bashkimit Evropian, të njohur si FICOD.
Mbikëqyrja shtesë do të fokusohet te mjaftueshmëria e kapitalit në nivel grupi, përqendrimi i rrezikut, transaksionet brenda grupit, menaxhimi i rrezikut dhe kontrollet e brendshme. Qëllimi është të kufizohen rreziqet që problemet financiare në një subjekt të përhapen te subjektet e tjera të të njëjtit grup.
Projektligji parashikon gjithashtu bashkëpunim më të ngushtë mes AMF-së dhe Bankës së Shqipërisë për identifikimin e konglomerateve, shkëmbimin e informacionit dhe koordinimin e mbikëqyrjes. Për çdo konglomerat do të përcaktohet një autoritet koordinator, duke përfshirë edhe bashkëpunimin me autoritete të huaja kur është e nevojshme.
Burimi: botasot.info


