Amerika nuk i ka përdorur, e as nuk do të lejohet t’i përdor, në të ardhmen, bazat e saj ushtarake në Spanjë, Roto dhe Moron, për të sulmuan Iranin.
Kështu u tha, të hënën, nga qeveria në Madrid, prej ku u insistua se Madridi ruan kontroll të plotë mbi objektet e tij sovrane.
Sipas mediumit spanjoll El Diario, ministri i Jashtëm Jose Manuel Albares tha në një intervistë televizive se bazat në Rota dhe Morón de la Frontera “nuk po përdoren” për operacione të lidhura me konfliktin në Lindjen e Mesme dhe se Spanja nuk do të autorizojë një vendosje të tillë.
“Bazat nën sovranitetin spanjoll nuk do të përdoren për asgjë që nuk është në përputhje me marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara apo që nuk përputhet me Kartën e Kombeve të Bashkuara,” deklaroi ai, përcjellë AA, transmeton KosovaPress.
Albares theksoi se, ndonëse bazat janë për përdorim të përbashkët, Spanja mban autoritetin përfundimtar. Ai gjithashtu mohoi që SHBA-ja ta ketë informuar paraprakisht Madridin për veprimet e saj në lidhje me operacionin ushtarak në Iran, duke i cilësuar sulmet e fundit si “një veprim i njëanshëm jashtë çdo aksioni kolektiv”.
Albares tha se përshkallëzimi mbart “pasoja të paparashikueshme”, përfshirë mundësinë e ndërprerjeve të qarkullimit në Ngushticën e Hormuzit dhe rritjen e çmimeve të naftës, duke bërë thirrje për ulje të tensioneve dhe diplomaci.
Më herët gjatë ditës, kryeministri Pedro Sanchez hodhi poshtë atë që e quajti “veprim të njëanshëm” nga SHBA-ja dhe Izraeli kundër Iranit, duke paralajmëruar se kjo kontribuon në “një rend ndërkombëtar më të pasigurt dhe më armiqësor”.
Spanja dënoi, gjithashtu, sulmet hakmarrëse të Iranit ndaj vendeve të Gjirit.
Burimi: botasot.info


