Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, e dinte mirë se e priste një konferencë shtypi e vështirë të shtunën, përpara ndeshjes që skuadra e tij do të luajë të dielën në mbrëmje ndaj Alavesit.
Një pjesë e madhe e diskutimeve në kryeqytetin spanjoll janë të përqendruara tek e ardhmja e tij në klub.
“Los Blancos” kanë përpara një seri ndeshjesh ndaj Alavesit në “Mendizorrotza”, Talavera de la Reina në Kupën e Mbretit dhe Sevillas për të mbyllur vitin.
Sipas informacioneve të fundit, nëse Real Madridi nuk arrin tri fitore nga këto takime, Alonso mund të shkarkohet para vitit 2026, raporton “Football Espana”.
Trajneri bask u pyet drejtpërdrejt nëse mendonte se puna e tij ishte në rrezik të dielën në mbrëmje.
“Gjithmonë ju them se për mua gjëja më e rëndësishme është skuadra dhe klubi. Natyrisht, nesër kemi një ndeshje shumë të rëndësishme për shkak të situatës aktuale. Ne duam të ndryshojmë ecurinë e rezultateve. Kemi një kundërshtar kërkues dhe kjo është ajo që është në lojë nesër”, tha ai.
Pas humbjes 2-1 ndaj Manchester Cityt, Alonso e kishte lavdëruar skuadrën e tij. Megjithatë, kjo ngriti pyetjen nëse ai ishte i kënaqur me humbjen.
“Jo, aspak. Bëmë shumë gjëra mirë. Analizuam atë që ndodhi në konferencën pas ndeshjes. Tani ka mbaruar, por kemi gjëra pozitive për të marrë me vete që do na duhen në të ardhmen. Dhe e ardhmja shumë e afërt është nesër”, shtoi ai.
Ndërsa gazetarët kërkonin një mënyrë për të kuptuar më shumë se si Alonso po e përballonte situatën, ai u pyet nëse kishte gjetur Real Madridin që kishte pritur.
“Kam qenë në futboll për shumë vite. Asgjë nga ajo që ndodh nuk më surprizon.
Këto janë gjëra normale, gjëra që kanë ndodhur dhe që do të ndodhin edhe në të ardhmen.
Duhet t’i përballojmë me përgjegjësinë që sjell pozicioni dhe ajo që përfaqësojmë.
Nga aty, është koha të punojmë për ta kthyer situatën. Nuk është diçka që më surprizon shumë”, vazhdoi Alonso.
Në javët e fundit, Alonso është pyetur disa herë për komunikimin e tij me presidentin Florentino Perez dhe ai shpjegoi se gjithçka është normale në këtë drejtim.
“Kemi mbajtur gjithmonë komunikim të vazhdueshëm me presidentin, Jose Angel [Sanchez, drejtori i përgjithshëm] dhe persona të tjerë në klub. Jemi të gjithë bashkë në këtë, duke vepruar me sens të përbashkët dhe përgjegjësi”, tha më tutje.
Pas deklaratave të forta mbështetëse nga Raul Asencio, Aurelien Tchouameni, Thibaut Courtois, Jude Bellingham dhe Rodrygo Goes gjatë javës, Alonso u pyet gjithashtu nëse mendonte se marrëdhënia ishte përmirësuar.
“Gjithmonë kam ndier se marrëdhënia është e mirë dhe, meqë jemi në të njëjtin drejtim, kemi nevojë për atë objektiv të përbashkët,” pavarësisht se pas fitores ndaj Olympiakos kishte komentuar se ishte i kënaqur me “progresin jashtë fushës” pas bisedave me lojtarët.
Real Madridi e di se të dielën në mbrëmje mund të zbresë në fushë shtatë pikë prapa Barcelonës dhe dy pikë pas Villarrealit, nëse këta fitojnë ndeshjet e tyre ndaj Osasunës dhe Levantes. Vëmendja ndaj paraqitjes së Los Blancos kundër Alavesit do të jetë maksimale, pavarësisht gjithçkaje.
Burimi: botasot.info


