Aktorja amerikane Alicia Silverstone do të rikthehet në rolin e ikonës Cher Horowitz në një seri të re vazhdim të filmit kult “Clueless”, ka bërë të ditur Paramount+.
Silverstone jo vetëm që do të interpretojë sërish personazhin e saj të famshëm, por do të jetë edhe producente ekzekutive e serialit, i cili pritet të nisë xhirimet në Los Angeles në vitin 2027. Në projekt do të përfshihet gjithashtu edhe skenaristja dhe regjisorja e filmit origjinal, Amy Heckerling, si producente ekzekutive.
Ngjarja e re do të zhvillohet 30 vite pas filmit të parë dhe do të sjellë një Cher Horowitz tashmë të rritur, e suksesshme në biznes dhe të përkushtuar ndaj familjes. Megjithatë, jeta e saj merr një kthesë të re kur vajza e saj hyn në vitet e gjimnazit, duke bërë që Cher të përballet me sfidat e prindërimit dhe të ndihet sërish “e hutuar” përballë botës së adoleshentëve.

Seriali do të shkruhet dhe prodhohet nga Josh Schwartz dhe Stephanie Savage, krijuesit e projekteve të njohura si “The O.C.”, “Gossip Girl” dhe “Nancy Drew”, së bashku me Jordan Weiss, autore e “Freakier Friday” dhe “Dollface”.
Filmi origjinal “Clueless”, i publikuar në vitin 1995, u shndërrua në një fenomen të kulturës pop dhe e bëri Cher Horowitz një nga personazhet më të paharrueshme të kinemasë së viteve ’90.

Burimi: botasot.info


