18
Prishtinë, 15 gusht – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar sot politikanin dhe intelektualin shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Arbën Xhaferin, në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, shkruan Zhurnal.mk.
Në një shkrim të publikuar, Kurti theksoi se Xhaferi nuk ishte vetëm një figurë politike, por një vizionar me qasje filozofike dhe të thellë ndaj shoqërisë shqiptare në Ballkan.
“Sot, në përvjetorin e ndarjes fizike të Arbër Xhaferit nga kjo botë, nuk përkujtojmë thjesht një emër, përkujtojmë një vizion, një mënyrë të të menduarit, një etikë të angazhimit politik dhe kulturor. Arbër Xhaferi nuk bëri politikë për pushtet; ai foli për shoqërinë me një ndjeshmëri filozofike që rrallë dëgjohet në hapësirën tonë. Ai nuk kërkoi duartrokitje, kërkoi vetëdije”, shkroi Kurti.
Ai shtoi se Xhaferi ishte zëri i së ardhmes, i cili edhe sot i flet brezave me idetë e tij.
“Na kujton se pa mendim, nuk ka drejtim; pa kulturë, nuk ka identitet; pa përgjegjësi, nuk ka liri të vërtetë. Le të mos e kujtojmë vetëm sot. Le të mësojmë nga ai. Le ta çojmë përpara fjalën e tij, jo si citat, por si udhërrëfim”, theksoi Kurti.
Arbën Xhaferi (1948 – 2012) ishte një nga figurat më të rëndësishme politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke lënë gjurmë si intelektual dhe lider politik me vizion për çështjen kombëtare.
Burimi: zhurnal.mk


