Aktorja Julia Fox ka shkaktuar reagime të shumta dhe të ndara pas një interviste ku ajo ndërhynte vazhdimisht gjatë fjalës së kolegut të saj, Marlon Wayans, me të cilin po promovonte filmin e ri “Him”. Debati u ndez në momentin kur u hap tema mbi përkufizimin e një “burri të vërtetë”.
Fox, e njohur për qëndrimet e saj të forta ndaj burrave – veçanërisht pas lidhjes së bujshme me Kanye West – nuk ngurroi të shprehte hapur mendimet e saj. Aktorja, e cila është deklaruar si panseksuale dhe ka pohuar se nuk do të dalë më me burra, madje ka kaluar edhe një periudhë dyvjeçare celibati, tregoi edhe njëherë se nuk i shmanget diskutimeve të tilla.
Filmi “Him” është një triler që ndjek historinë e një sportisti të ri (Tyriq Withers), i cili bie pre e një legjende të sportit (Marlon Wayans) që fsheh një anë të errët pas karizmës së tij. Julia Fox luan rolin e bashkëshortes së Wayans-it – një grua që kënaqet duke manipuluar mendjet dhe trupat e të tjerëve.
Duke qenë se filmi trajton tema si shfrytëzimi në sport dhe presioni ndaj sportistëve meshkuj, intervista kaloi natyrshëm te diskutimi për konceptin e “burrërisë”. Në këtë moment nisi debati i zjarrtë midis dy aktorëve.
“Besoj se të rinjtë duhet të dëgjojnë çfarë do të thotë të jesh burrë i vërtetë. Ka ende burra të tillë,” – tha Wayans.
“Çfarë është saktësisht ‘burrë i vërtetë’?” – e ndërpreu menjëherë Julia.
Wayans tentoi të vazhdonte: “Për mua, burrë i vërtetë është ai që merr përgjegjësi…”, por Fox reagoi sërish: “Sepse sa herë që një burrë bën ndonjë gjë të gabuar, thotë ‘ai s’është burrë i vërtetë’. Por për mua, ai duket tamam si burrë!” – u përgjigj ajo me tone të ashpra.
Wayans u përpoq të zbusë debatin: “Mendoj se një burrë i vërtetë është ai që është në kontakt me anën e tij femërore.”
Julia, ndërkohë, komentoi me ironi: “Nëse duket si rosë dhe ecën si rosë – është rosë, apo jo?”
Aktorja shtoi më tej: “Kjo ide e ‘burrit të vërtetë’ është thjesht një justifikim që njerëzit përdorin për të arsyetuar sjellje të këqija. Të gjithë burrat janë burra të vërtetë”.
Në fund, aktori i ri Tyriq Withers ndërhyri për të zbutur tensionin: “Mendoj se ekziston një mit për atë çfarë ‘burrat e vërtetë’ duhet të bëjnë, dhe kjo lidhet me privilegjet dhe konceptin toksik të burrërisë. Është e rëndësishme të flasim për këto tema që djemtë të mësojnë të pranojnë ndjeshmërinë dhe anën e tyre të brishtë – vetëm kështu mund të mbrohen vërtet gratë.”Pas publikimit të videos nga BAFTA në TikTok, reagimet ishin të ndara. “Pse nuk e lë të flasë?”, komentoi një përdoruese. “As që e la të shprehej,” shtoi një tjetër. Megjithatë, shumë të tjerë dolën në mbrojtje të Fox-it. Një komentues shkroi se ndërhyrjet e saj ishin “shëruese”, ndërsa një tjetër e quajti “të pamposhtur në çdo debat”. Madje pati nga ata që thanë se ajo duhej ta kishte ndërprerë edhe më shpesh.
@bafta Julia Fox, Tyriq Withers and Marlon Wayans on why the conversations about masculinity in their new movie #HIM are important. #JuliaFox #TyriqWithers #MarlonWayans #Movie ♬ original sound – BAFTA
Burimi: botasot.info


