Agim Ademi, president i Federatës së Futbollit të Kosovës, ka falënderuar kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurtin.
“Për suksesin historik në këtë fushatë të kualifikimeve në Kupën e Botës 2026, kalimin në fazën e play-off-it, me vendim të Qeverisë sot do të ndajmë 250 mijë euro shpërblim.
Në fazën e radhës hyjmë me plot vetëbesim, besimin tonë në ta po e shprehim me zotimin tona për ta. Së pari në rast të fitores ndaj Sllovakisë, zotohemi për shpërblim në vlerë prej 500 mijë eurove.
Dhe së dyti, në rast të kualifikimit në Kupën e Botës, zotohemi edhe për 1 milion euro shpërblim.
Përpara Kosovë, gjithmonë me ty’’, ka thënë Kurti gjatë mbledhjes.
Presidenti i FFK-së, Ademi, tha se shpërblimet e caktuara nga ekzekutivi janë motivim për kombëtaren.
“Në emër të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së dhe ekipit kombëtar falënderoj kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për vlerësimin e arritjeve të deritanishme të Kombëtares sonë dhe për shpërblimin e ndarë për suksesin e arritur në “play-off” të kualifikimeve për Botërorin 2026.
Kjo mbështetje institucionale është dëshmi e besimit të plotë në punën, përkushtimin dhe rrugëtimin që po e ndërtojmë së bashku.
Shpërblimet e caktuara nga ekzekutivi për motivimin e ekipit para ndeshjeve të radhës përbëjnë një shtysë të fuqishme për futbollistët tanë, të cilët janë të përqendruar dhe të motivuar maksimalisht që ta çojnë Kosovën drejt objektivit historik, sigurimit të biletës për Kupën e Botës.
Falënderimi ynë shkon për të gjithë ata që po qëndrojnë krah Kombëtares dhe futbollit kosovar. Kjo mbështetje është jetike në këtë fazë vendimtare, ku çdo detaj dhe çdo motivim ka rëndësi.
Bashkë po e shkruajmë historinë!”, ka shkruar Ademi në profilin e tij në facebook.
Burimi: botasot.info


