Në fund të gushtit, në lagjen Neukölln në Berlin, që konsiderohet si fortesë e Partisë E Majta (Die Linke), u mbajt një tubim partiak për të shënuar zgjedhjet e këshillit bashkiak më 20 shtator. Nën moton “Të zemëruar me kapitalizmin!”, reperi duhej të krijonte atmosferë të mirë. Edhe ai ishte i zemëruar, por me Izraelin. Kjo është arsyeja pse ai prezantoi këngën e tij “Ndalo gjenocidin”.
“Vdekje ushtrisë izraelite”
Kjo i referohet veprimeve të Izraelit në luftë, të cilën shumë organizata të të drejtave të njeriut dhe një Komision i OKB-së e konsiderojnë gjenocid kundër palestinezëve në Rripin e Gazës. Kënga lavdëron hapur dhunën: “Vdekje IDF”.
Pas shumë kritikave, dega e Partisë së Majtë e justifikoi ftesën për reperin kontrovers me qëndrimin e tij kundër luftës dhe gjenocidit. Megjithatë, siç raportohet, kënga që bënte thirrje për dhunë nuk ishte pjesë e programit të dakordësuar. Partia premtoi të hetonte incidentin brenda vendit.
Elif Eralp, kryesuesja e listës së partisë E Majta për Berlinin, e cila fitoi bindshëm më së shumti vota në zgjedhjet e së dielës (20 shtator), u distancua nga performanca antisemite e reperit.
“Gjithmonë i kam kritikuar shumë qartë incidente të tilla dhe kam theksuar se është e papranueshme”, tha ajo në një intervistë me DW. “Unë qëndroj shumë qartë për mbrojtjen e jetës hebraike, si dhe mbrojtjen e jetës palestineze dhe myslimane. Dhe dua të sjell programe për të gjitha këto grupe”.
A do të ketë Berlini së shpejti një kryetar bashkie nga E Majta?
Eralp tani, pas fitores në zgjedhje, mund të ketë një shans për këtë nëse bëhet kryetare e bashkisë së Berlinit. Ajo njoftoi se do të udhëheqë negociatat e koalicionit me socialdemokratët dhe të gjelbrit.
Një koalicion i tillë, i quajtur kuq-kuq-jeshil për shkak të ngjyrave të partisë, ekzistonte edhe më parë në Berlin nga viti 2016 deri në vitin 2023. Një vit më vonë, disa përfaqësues u larguan nga E Majta në shenjë proteste për shkak të, sipas mendimit të tyre, tendencave antisemite brenda partisë.
Sfondi dhe shkaku i mosmarrëveshjeve ishte sulmi terrorist nga Hamasiradikal islamist ndaj Izraelit më 7 tetor 2023. Tradicionalisht ekziston një rrymë e fortë pro-palestineze brenda partisë.
“Po grindemi se si ta përshkruajmë realitetin”
Në kongresin e partisë në Potsdam në qershor, pati një debat të madh rreth asaj se si E Majtaduhet ta klasifikojë zyrtarisht luftën në Rripin e Gazës. Në fund, shumica mbështeti përfundimin se operacioni ushtarak izraelit u quajt gjenocid.
“Po grindemi se si ta përshkruajmë realitetin, sepse nuk jemi indiferentë ndaj vuajtjeve të palestinezëve dhe urisë së dhjetëra mijëra njerëzve”, shpjegoi kryetarja e partisë Ines Schwerdtner. Nga ana tjetër, Izraeli mbështetet në të drejtën e tij për vetëmbrojtje pas sulmeve terroriste më 7 tetor 2023 dhe hedh poshtë akuzën për gjenocid. Numri i madh i viktimave është pasojë, siç pohon Izraeli, e metodës së luftës së grupeve terroriste palestineze dhe jo e qëllimit për të shkatërruar palestinezët.
“Ne mbrojmë jetën hebraike këtu dhe kudo”
Schwerdtner, theksoi në kongresin e partisë: “Ne mbrojmë jetën hebraike këtu dhe kudo”. Në të njëjtën kohë, ajo dënoi çdo formë të antisemitizmit: “Asnjë baba dhe asnjë nënë në këtë vend nuk duhet të ketë frikë ta dërgojë fëmijën e vet në një shkollë hebraike”, tha ajo. “Asnjë person në këtë vend nuk duhet të ketë frikë të vizitojë një sinagogë ose të mbajë një simbol në rrugë”.
Tre muaj para kongresit të partisë, dega e saj në Saksoninë e Poshtme shkaktoi polemika me një vendim të diskutueshëm: “E Majta e Saksonisë së Poshtme hedh poshtë sionizmin që ekziston sot”. Ajo kundërshtoi një nga shumë aspektet e sionizmit. Është një lëvizje që lindi në fund të shekullit të 19-të si reagim ndaj antisemitizmit dhe persekutimit. Qëllimi ishte të krijohej një shtet ku hebrenjtë mund të jetonin të sigurt në vitin 1948. Ky qëllim u arrit.
Edhe ekspertët e kundërshtojnë përkufizimin
Ku është vija ndarëse midis kritikës legjitime ndaj politikave të Izraelit dhe antisemitizmit është një pyetje që i bëhet shpesh Stefanie Schüler-Springorum. Ajo është drejtoreshë e Qendrës për Kërkime mbi Antisemitizmin në Universitetin Teknik të Berlinit dhe bashkautore e të ashtuquajturës Deklaratë e Jerusalemit mbi Antisemitizmin (JDA).
Deklarata, e botuar në vitin 2021, përfaqëson një alternativë ndaj përkufizimit të vitit 2016 nga Aleanca Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit (IHRA). Me të, grupi ndërkombëtar i ekspertëve reagoi ndaj, sipas mendimit të tyre, ndarjes së paqartë midis deklaratave antisemitik dhe kritikës legjitime ndaj Izraelit dhe sionizmit sipas interpretimit të IHRA-s.
A po lëvizin disa me vetëdije në zonën gri?
Historiania Schüler-Springorum e konsideron vendimin e së Majtës së Saksonisë së Poshtme mbi sionizmin “të paqartë” dhe për këtë arsye problematik. Formulimi i vendimit, beson ajo, hap derën për akuza se ai sfidon të drejtën e Izraelit për të ekzistuar.
“Pse përdoret termi sionizëm kur bëhet fjalë për politikën e një shteti?”, pyeti ajo në atë kohë në një intervistë për DW. Schüler-Springorum akuzoi Partinë e Majtë në Saksoninë e Poshtme se vepronte qëllimisht në një zonë gri.
Dyshja udhëheqëse e atëhershme e Partisë së Majtë, Ines Schwerdtner dhe tani ish-lideri Jan van Aken, u distancuan qartë nga qëndrimet për sionizmin në Saksoninë e Poshtme. “Nuk mund të ketë kompromis me propozimet që vënë në dyshim themelet e partisë sonë“, thanë të dy.
Komisioneri për Antisemitizmin largohet nga Partia e Majtë
Pas vendimit në Saksoninë e Poshtme, Andreas Büttner, Komisioneri për Antisemitizmin në landin e Brandenburgut, u largua nga Partia e Majtë. Antisionizmi është thelbësisht antisemit sepse vë në dyshim të drejtën e Izraelit për të ekzistuar, shpjegoi ai vendimin e tij në një intervistë me DW.
Antisemitizmi nuk kishte luajtur asnjë rol si çështje në fushatën zgjedhore të Berlinit për një kohë të gjatë – deri në performancën e reperit Dahabflex në Neukölln. Për Stefan Evers, kreun e listës së partisë Kristian Demokrate (CDU), është e qartë: “Antisemitizmi në të Majtën e Berlinit prej kohësh nuk ka qenë më thjesht një fenomen i rastësishëm, por një pjesë e sistemit të saj politik”. Elif Eralp e kritikoi atëte se po sillej si gjethe fiku.
Në raportet e Zyrës Federale për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues (BfV), E Majta u shfaq për herë të fundit në vitin 2020. Në këtë kohë, fokusi ishte ekskluzivisht në rrymat antikapitaliste, siç është Platforma Komuniste. Antisemitizmi nuk ishte një çështje në këtë kontekst. / DW
Burimi: botasot.info


