Ish deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji komentoi gjithashtu edhe deklaratën e Sali Berishës se ai është “vetëpërjashtuar” nga partia pas lëvizjes që ai ndërmori me strukturat demokrate në vend.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News 24, Salianji tha se termin “vetëpërjashtim” e kanë shpikur ata që janë trembur nga aksioni i tij. Salianji theksoi se nuk mund ta përjashtojnë nga PD sepse një gjë të tillë nuk e lejon statuti i partisë me ndryshimet e bëra në vitin 2021.
Ai theksoi gjithashtu se ia ka thënë edhe në mbledhje Sali Berishës se në asnjë nen të statutit nuk theksohet se nuk mund t’i mbledhë demokratët në takime.
“Term që përdoret në rastet kur ke frikë të madhe, konfuzion dhe je trembur nga një lëvizje që të riskon pozicionin sepse ky statuti i PD, për shkak të problemeve dhe përplasjeve të vitit 2021, e ka hequr përjashtimin. Nëse ka përjashtim, bëhet me një akt formal, qoftë me një akt monokratik dhe i nënshtrrohet votës së kryesisë. Vetëpërjashtimi në shqip do të thotë se kur ikën vetë nga diçka. Unë as nuk jam përjashtuar, as vetëpërjashtuar dhe as nuk më përjashtojnë dot. Term për të çoroditur demokratët për të thënë se po shkuat këtu ndërkohë që nga ky moment duket se është lënë një manual. Po ti kthehmi 2021, kryetari i partisë së atëhershme përjashtoi zotin Berisha, thoshte se takimet ia organizon krimi dhe i shërben qeverisë. Dhe tani këto thonë për mua tani. Ia kam thënë vetë në mbledhje. Cili nen i statutit të ndalon të takosh demokratët? Pra tani promovohen ata që nuk takojnë asnjëri dhe t’i krijojmë probleme atyre që nisin aktivitete.”, u shpreh ai.
Më tutje, ai shtoi se është një figurë që e përfaqëson PD-në sepse ka fituar përballë qeverisë në çdo palë zgjedhje. Salianji përmendi po ashtu edhe “kostot” që ka mbajtur në kurriz për shkak të PD-së, duke iu referuar dënimit me burg për çështjen Babale.
“Unë që e përfaqësoj PD, e kam treguar sepse kam fituar në çdo palë zgjedhje përballë qeverisë. Unë kam mbajtur kosto të jashtëzakonshme për shkak të PD. Dua që PD të bëhet fituese. Duke qenë se e kam ndjerë në lëkurë padrejtësinë, unë e di se me çfarë përballen opozitarët dhe demokratët në Shqipëri. “, shtoi ai.
Por pas këtyre takimeve, a do të thërrasë protestë në Tiranë?
“Nuk përjashtoj asnjë gjë. Nëse thërras një protestë më vete do të duket si ka një skizë nga PD. Por asgjë nuk përjashtohet.”, u shpreh ish deputeti.
Burimi: botasot.info


