829 raste te reja me kancer gjiri ne 2025 ishp ulet vdekshmeria ja qarqet me incidencen me te larte 6abf9aafc3fb7

829 raste të reja me kancer gjiri në 2025, ISHP: Ulet vdekshmëria, ja qarqet me incidencën më të lartë

October 2, 2026
min lexim

829 raste të reja me kancer gjiri janë regjistruar te gratë në Shqipëri gjatë vitit 2025, ndërsa vdekshmëria nga kjo sëmundje ka shënuar një rënie. Të dhënat janë bërë publike nga Instituti i Shëndetit Publik, në kuadër të muajit tetor, i cili i kushtohet ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit dhe rëndësisë së diagnostikimit të hershëm.

Specialistja e ISHP-së, Ediona Kola, bëri të ditur se incidenca e kancerit të gjirit në Shqipëri është në rritje të lehtë nga njëri vit në tjetrin, një tendencë që, sipas saj, është e pranishme edhe në vende të tjera. Për vitin 2025 janë përllogaritur 829 raste të reja te femrat.

Sipas Kolës, rritja e rasteve lidhet me disa faktorë, mes tyre plakja e popullsisë, ndryshimet në stilin e jetesës, por edhe rritja e ndërgjegjësimit dhe përmirësimi i programeve të depistimit dhe mënyrave të diagnostikimit.

Ndërkohë, të dhënat tregojnë një prirje tjetër sa i përket vdekshmërisë. Sipas ISHP-së, niveli i vdekshmërisë është ulur nga 18 vdekje për 100 mijë gra në vitin 2021, në 16 vdekje për 100 mijë gra. Për vitin e kaluar janë regjistruar rreth 214 vdekje nga kanceri i gjirit.

Mbi 50 vjeç, rritje e rasteve

Rritja e diagnostikimeve vërehet kryesisht te gratë mbi 50 vjeç. Sipas të dhënave të ISHP-së, në përgjithësi incidenca është rritur me rreth 2.2% në vit, ndërsa te grupmoshat nën 50 vjeç është shënuar një ulje me rreth 0.9%.

Specialistja e ISHP-së thekson se, megjithëse rreziku është më i ulët në moshat e reja, kanceri i gjirit mund të prekë çdo grua.

“Duhet të pranojmë që të gjitha gratë mund të preken nga kanceri i gjirit. Fatkeqësisht, asnjëra nga ne nuk është imune. Rreziku ekziston, por rreziku është më i ulët në këto grupmosha”, u shpreh Kola.

Përveç rasteve te gratë, ISHP bën të ditur se për vitin e kaluar janë përllogaritur edhe 19 raste të kancerit të gjirit te meshkujt.

Durrësi, Vlora, Korça dhe Fieri me incidencën më të lartë

Sa i përket shpërndarjes sipas qarqeve, Durrësi, Vlora, Korça dhe Fieri rezultojnë me incidencën më të lartë të kancerit të gjirit. Në krahun tjetër, qarku i Dibrës regjistron incidencën më të ulët.

ISHP thekson rëndësinë e depistimit gjatë gjithë vitit. Shërbimi ofrohet në spitalet rajonale dhe në tri qendra në Tiranë, ndërsa për ta afruar atë me qytetarët janë në dispozicion edhe dy mamografi lëvizëse.

Këto pajisje funksionojnë gjatë gjithë vitit, por gjatë muajit tetor lëvizjet e tyre në qarqe intensifikohen, me qëllim që gratë të kenë më pranë shërbimin e depistimit.

ISHP u bën thirrje grave që të kontaktojnë mjekun e familjes dhe të informohen për qendrën më të afërt ku mund të kryejnë mamografinë, si dhe për datat kur mamografitë lëvizëse do të jenë në zonën e tyre.

“Kujdes jo vetëm në tetor, por gjatë gjithë vitit”

Specialistja e ISHP-së u bëri thirrje grave që të mos e kufizojnë kujdesin vetëm gjatë muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.

“Do të doja t’u bëja thirrje të gjitha grave që, jo vetëm në tetor, por gjatë gjithë vitit, t’i kryejnë këto ekzaminime, të drejtohen te mjeku i familjes dhe të flasin për faktorët e riskut”, tha Kola.

Tetori, muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, rikthen në vëmendje rëndësinë e kontrollit periodik dhe diagnostikimit të hershëm, që luan një rol të rëndësishëm në trajtimin e sëmundjes.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

schuebel pret ne nje takim deputetin e bundestagut diskutojne rrugen e kosoves drejt be se 6abf9a32d914a
Lajmi i mëparshëm

Schuebel pret në një takim deputetin e Bundestagut, diskutojnë rrugën e Kosovës drejt BE-së

tragjedi ne minieren e somes ne turqi 5 punetore humbin jeten pas shembjes se masivit 6abf9b11344dd
Lajmi i radhës

Tragjedi në minierën e Somës në Turqi, 5 punëtorë humbin jetën pas shembjes së masivit

Të fundit nga

ShkoLartë