Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka reaguar ashpër ndaj një rasti të fundit në të cilin automjete dhe objekte zyrtare të policisë, brenda parkingut të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), janë spërkatur me ujë të shenjtë nga një klerik fetar.
Iseni theksoi se ky veprim nuk përbën akt privat besimi, por një shkelje të drejtpërdrejtë të parimit kushtetues të shtetit laik dhe të ligjit. Sipas tij, rasti është kryer nga disa punonjës të një njësie të policisë rrugore, në bashkëpunim me një zyrtar fetar, dhe nuk përfaqëson në asnjë mënyrë qëndrimin apo veprimtarinë institucionale të MPB-së.
“Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në nenin 19, përcakton qartë ndarjen e fesë nga shteti, ndërsa Ligji për Policinë kërkon neutralitet të plotë dhe të pakushtëzuar”, theksoi Iseni, duke shtuar se rasti dëshmon mungesë të vetëdijes profesionale te disa pjesëtarë të policisë.
Ai nënvizoi se MPB është institucion shtetëror që duhet t’u shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallim feje dhe se hapësirat dhe mjetet zyrtare nuk guxojnë të përdoren për rituale apo veprime fetare. “Policia është në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe nuk mund të veprojë me standarde të dyfishta”, deklaroi Iseni.
Sipas tij, në përputhje me rregulloret e brendshme, do të thirren në përgjegjësi të gjithë ata që kanë organizuar, lejuar apo nuk e kanë parandaluar këtë veprim, si dhe ata që kanë lejuar hyrjen e klerikut fetar në objektet e MPB-së për kryerjen e ritualeve fetare.
Në fund, Iseni theksoi se vetëm përmes zbatimit konsekuent të ligjit dhe barazisë para tij mund të rikthehet besimi i qytetarëve në institucionet e sigurisë.
“Shteti është laik. Policia është e qytetarëve. Ligji është mbi çdo simbol fetar”, përfundoi ai.


