66
Shkup, 1 nëntor – Në lidhje me incidentin e ndodhur gjatë ndeshjes futbollistike mes KF Shkëndija – Haraçinë dhe KF Pobeda në Prilep, Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar menjëherë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore.
Siç njofton zëvendësministri i Brendshëm, Astrit Iseni, pas përfundimit të ndeshjes, policia ka identifikuar dhe ndaluar personin që shkaktoi incidentin në dhomën e zhveshjes së ekipit mysafir, ndërsa ndaj të tjerëve që kanë marrë pjesë në sjellje të papërshtatshme janë ndërmarrë procedurat përkatëse në bashkëpunim me organet kompetente.
Njëkohësisht, janë iniciuar masa disiplinore ndaj pjesëtarëve të policisë që nuk kanë reaguar me kohë, pasi – siç theksoi Iseni – përgjegjësia për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike është e pandashme.
“Dua të siguroj se do të ketë zero tolerancë ndaj çdo forme të dhunës dhe gjuhës së urrejtjes. Institucionet do të veprojnë me vendosmëri për të mbrojtur rendin publik dhe për të garantuar sigurinë e secilit qytetar, pa dallim. Dhuna nuk ka vend në sport”, theksoi zëvendësministri Iseni.
Burimi: zhurnal.mk


