Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar me shqetësim ndaj situatës kritike që po shkaktohet nga zjarret në disa zona të Shqipërisë, veçanërisht në Bashkinë Gramsh dhe Njësinë Administrative Skënderbegas.
Në një deklaratë publike, Presidenti Begaj theksoi nevojën për ndërgjegjësim maksimal, kujdes dhe përgjegjësi nga ana e çdo qytetari për të përballuar këto momente sfiduese.
“Me shqetësim të thellë po ndjek situatën kritike të shkaktuar nga zjarret. Në këto momente sfiduese dua të bëj thirrje për ndërgjegjësim maksimal nga secili prej nesh, duke treguar kujdes, angazhim dhe përgjegjësi,” – tha Presidenti.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë ngushtë me strukturat e emergjencave civile, zjarrfikësit, Forcat e Armatosura dhe Policinë, të cilët janë në terren duke luftuar flakët dhe mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve.
“Mbështetja jonë për ta, me çdo formë të mundshme, është jetike,” – theksoi ai.
Begaj shprehu gjithashtu mirënjohje të thellë për ndihmën ndërkombëtare, përfshirë dërgimin e helikopterëve dhe pajisjeve të specializuara nga vendet mike.
“Në emër të të gjithë shqiptarëve, falënderoj të gjithë efektivët e angazhuar, si dhe shpreh mirënjohje të thellë për ndihmën që po marrim nga vendet mike,” – u shpreh Presidenti.
Burimi: botasot.info


