Banorët e prekur nga zjarret në Kosovë ankohen se shuarja e tyre ishte sfidë për shkak të mungesës së personelit të zjarrfikësve dhe mjeteve të vjetra që përdorin në terren.
Për vetëm dy ditë, dhjetëra hektarë pyje, ara dhe prona u dogjën vetëm në fshatin Kçiq i Madh në Mitrovicë, duke lënë pas tym, hi dhe tokë të nxirë. Në nivel vendi, Kosova i ka 734 zjarrfikës. Ky numër është i konsiderueshëm, por jo i mjaftueshëm. Vendi ka mungesë edhe për 400 zjarrfikës.
Në bazë të Rregullores për Strukturën Organizative të Njësive Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, për çdo 1 mijë e 500 banorë nevojitet së paku një zjarrfikës.
Kosova ka rreth 1.6 milion banorë dhe, në bazë të kësaj llogaritjeje, vendi ka nevojë për 1 mijë e 100 zjarrfikës për të plotësuar standardin.
Problemi thellohet edhe më shumë nga mosha mesatare e lartë e zjarrfikësve, rreth 50 vjeç, dhe nga automjetet e pajisjet e vjetruara me të cilat ata punojnë. Disa prej automjeteve, tregon ai, datojnë nga vitet ’80, ndërsa më të rejat janë të vitit 2015.
Në Ligjin për Buxhet të vitit 2025 janë paraparë 9.6 milionë euro për shërbimet publike, mbrojtje civile dhe emergjenca, ku bëjnë pjesë edhe zjarrfikësit. Që nga përfundimi i luftës, asnjë qeveri nuk ka investuar mjaftueshëm për zjarrfikësit, çka e vështirëson punën e tyre në terren.
Kosova sivjet është përballur me temperatura të larta, madje në muajin korrik është regjistruar temperaturë rekorde, mbi 40 gradë Celsius.
Sipas Kodit Penal, zjarrvënia është vepër që dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet, ndërsa nëse shkakton djegie të banesës së banuar ose automjetit, dënimi shkon nga një deri në pesë vjet.
Kur dëmi arrin shifrën mbi 20 mijë euro ose shkakton lëndim të rëndë trupor, dënimi parashihet nga tre deri në dhjetë vjet burgim. E në rast të vdekjes, dënimi minimal është 10 vjet ose burgim i përjetshëm.
Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave ka bërë të ditur më 13 gusht se vetëm gjatë javës së fundit, në nivel vendi janë raportuar mbi 633 raste të zjarreve fushore dhe malore dhe 23 persona janë arrestuar nën dyshimin për zjarrvënie të qëllimshme.
Burimi: botasot.info


