Qeverisja është tashmë “e kalbur në çdo hallkë” dhe përbën një rrezik jo vetëm për qytetarët shqiptarë, por edhe për sigurinë e NATO-s dhe Bashkimit Europian. Kjo situatë është përkeqësuar nga skandali i rrjedhjes së të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), i cili nuk konsiderohet më një sulm i jashtëm, por një akt i brendshëm nga zyrtarë të lartë shtetërorë. Hetimi i SPAK, i cili i akuzon të përfshirët si “strukturë e organizuar kriminale”, ka ekspozuar një cenueshmëri të thellë në infrastrukturën kritike të sigurisë, e cila është e ndërlidhur drejtpërdrejt me sistemet e NATO-s.
E ftuar në një emision televiziv, Ilda Zhulali, eksperte e Çështjeve Ndërkombëtare, tha se qeverisja aktuale në Shqipëri po përballet me një presion ndërkombëtar të paprecedentë, ndërsa skandalet e brendshme dhe cenueshmëria e sistemeve kritike të sigurisë kanë ndezur alarme serioze për sigurinë kombëtare dhe atë rajonale.
Sipas Zhulalit, ligji i ri amerikan për mbrojtjen kombëtare (NDAA), i cili për herë të parë përfshin specifikisht Ballkanin Perëndimor, vendos monitorim të rreptë dhe parashikon masa për të parandaluar korrupsionin, ndikimet e huaja dhe projektet që synojnë ndryshimin e kufijve.
Ekspertja nënvizoi se qeveria Rama është tashmë e rrethuar politikisht dhe ligjërisht, duke mos pasur rrugëdalje tjetër përveç dorëheqjes apo vendosjes së një qeverie të përkohshme, si hap i domosdoshëm drejt zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
Pjesë nga deklarata:
Po, meqënëse jemi në ditë feste, në radhë të parë përfitoj nga mundësia t’u uroj të gjithë besimtarëve të krishterë: Gëzuar Krishtlindjen! Kjo është një periudhë nga më të bukurat e vitit, jo vetëm për shpresën dhe nisjet e reja, por edhe si moment reflektimi, sepse është mbyllja e një viti që po lëmë pas.
Viti që po lëmë pas nisi me shpresën për zgjedhje të lira dhe të ndershme, por nuk arritëm ta realizonim këtë. Në varësi të kësaj, sot po shohim se në qeverisjen e tij të katërt, Edi Rama po shfaq qartë atë që kemi paralajmëruar prej kohësh: qeverisja e tij është e kalbur në çdo hallkë. Mirëpo, Edi Rama dhe qeveria e tij nuk përbëjnë më vetëm kërcënim për çdo qytetar shqiptar; fatkeqësisht, ata janë bërë një rrezik edhe për sigurinë e NATO-s dhe të Bashkimit Europian.
Kjo lidhet me keqmenaxhimin e parave të shqiptarëve dhe rrezikun që këta zyrtarë po i shkaktojnë të ardhmes së qytetarëve që qëndrojnë në Shqipëri. Në përmbledhje, Shqipëria është në mes të një procesi që synon rrëzimin e qeverisë aktuale. Ky është një moment që duhet shfrytëzuar për një nisje të re, për një Shqipëri krejt ndryshe, që sot do të kishte pasur mundësinë të ishte anëtare e Bashkimit Europian, po të mos ishin humbur 12 vitet e shpenzuara në drejtim tjetër.
Sot kemi dy alarme të mëdha nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një nga vendet më me peshë në botë. Kjo lidhet me çështjen e AKSH-it, e cila është një problem i sigurisë, jo vetëm kombëtare, por edhe për NATO-n. Gjatë sulmit kibernetik nga Irani, u aktivizua një angazhim i jashtëzakonshëm nga NATO dhe SHBA, për të vendosur sistemet nën kontroll. Dosja e AKSH-it tregon se tani kemi një sulm të brendshëm, ku sistemi i informacionit është në duart e individëve që SPAK i ka akuzuar si pjesë e një strukture kriminale organizuar. Kjo është alarmante dhe lidhet drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ky është një element që nuk mund të mbyllet si më parë. Edi Rama, si kryeministër dhe udhëheqës i kësaj strukture, mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë ligjore, morale dhe politike. Në këtë kontekst, Akti Kombëtar i Mbrojtjes në SHBA, për herë të parë, përfshin Ballkanin Perëndimor, duke vendosur prioritete dhe buxhet për sigurinë. Ky akt tregon vëmendje të veçantë ndaj ndikimit të aktorëve të huaj, përfshirë Rusinë dhe Kinën, dhe siguron mbikëqyrjen e energjisë, teknologjisë së informacionit dhe burimeve mediatike në rajon.
Raporti amerikan parashikon masa konkrete për të goditur korrupsionin, që ka minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor. Kjo lidhet drejtpërdrejt me kapjen e shtetit nga qeverisja e Edi Ramës dhe krimi i organizuar. Ndryshimi i qasjes amerikane do të ketë impakt të drejtpërdrejtë në Shqipëri, duke rikthyer demokracinë dhe normalitetin në vend. Akti amerikan vendos gjithashtu që nuk do të lejohet ndryshimi i kufijve në Ballkan, duke mbyllur projektin Rama-Vuçiç dhe çdo tentativë tjetër të ngjashme.
Çdo kërcënim i sigurisë në Shqipëri, sipas këtij ligji, konsiderohet automatikisht edhe si kërcënim për sigurinë amerikane. Prandaj, ndryshime të mëdha do të ndodhin shpejt në Shqipëri: Edi Rama është i rrethuar dhe nuk ka rrugëdalje tjetër përveç largimit nga pushteti, duke hapur rrugë për një qeverisje të kujdesshme dhe për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Burimi: botasot.info


