Erdhën, panë dhe fituan. Klodjan Braho, prej 18 vitesh prokuror, u votua nën prezencën e përfaqësive diplomatike si kryeprokurori i ri i SPAK, për të cilin nga shtatori dhanë sinjale se ishte i preferuari i tyre.
Braho, 44 vjeç, mori shtatë vota nga 11 anëtarë në total, në proces që zgjati gjashtë orë dëgjim dhe intervistim me secilin nga pretendentët. Si një magjistrat që heton korrupsionin në nivelet e larta, Klodian Braho tregoi si e shikon ai fundin e të korruptuarve.
“Nëse merr një zyrtar të lartë si të pandehur, vazhdon çështja në gjyq. Kam vënë re që edhe pas kësaj, korrupsioni mund të vazhdojë. Thjesht njerëzit tremben, por janë të prirur ta vazhdojnë detyrën e tyre dhe mendoj që në këtë periudhë t’i kushtonim më shumë rëndësi korrupsionit sistematik, bazuar në riskun dhe informacioneve që vijnë”.
Me një panoramë të qartë mbi çfarë duhet ndryshuar në SPAK, Braho theksoi se është ndjekës i parimit të barazisë para ligjit dhe se duhet shmangur drejtësia selektive.
“Krimi i organizuar, flas në SPAK, është në një situatë që dashur pa dashur do të luftohet. Jo vetëm për meritën tonë, por edhe për meritë të partnerëve ndërkombëtarë. Sepse edhe ne mund të mos hetojmë një person të caktuar dhe vijnë provat nga jashtë. SPAK-u në drejtim është në nivelin e duhur. E shoh shumë problematike situatën e korrupsionit, jo tek goditja te të pandëshkueshmit, sepse kjo nuk mjafton”.
I drejtpërdrejtë ishte Klodian Braho edhe kur iu përgjigj njërës prej anëtarëve mbi të njëjtën pyetje që Arta Mandro ua drejtoi edhe të tjerëve: “A gëzoj unë respektin e mjaftueshëm tuaj që ju të merrni në konsideratë këtë ndërhyrjen time?”.
“Unë ju njoh që nga viti 2000 dhe nuk besoj që ju do i shkoni drejtuesit të Prokurorisë së Posaccme për çështje personale”, tha Braho.
Megjithëse edhe tre pretendentët e tjerë, Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu dhe Elvin Gokaj, treguan vizionin e tyre për drejtimin e SPAK, ajo që nuk shqipërua troç prej tyre ishte fakti që secili prej tyre e dinte që mesazhet e ndërkombëtarëve pak orë para kësaj seance e kishin bërë efektin, duke sinjalizuar se Klodian Braho ishte i preferuari i tyre. Adnan Xholi, megjithatë, i numëroi rekordet në hetimin ndaj trafikantëve dhe bandave gjatë karrierës së tij, duke e mbyllur kështu: “Drejtuesi është menaxher, administrator. Shyqyr erdhi kjo ditë të mbyllet kjo. S’kemi pasur kohë të hapnim televizorin se u kthyem si legjenda urbane”.
Doloreza Musabelliu, prokurorja tjetër që mbërriti në Këshill e shoqëruar nga bashkëgaruesi Elvin Gokaj, ishte njësoj e qartë kur tregoi se i është rrezikuar jeta për hetimet: “Të them të vërtetën qëkur kam filluar te krimet e rënda kam pasur një jetë shumë të kufizuar. Mund të bëheshe objekt sulmi dhe gjithsecili prej prokurorëve e merr parasysh që kur futet aty e di se me çfarë përballet”.
Edhe pretendenti i radhës, Gokaj, dha një mesazh — mbase jo aq për ndërkombëtarët, sesa për anëtarët e KLP-së që u duk se ishin të baraslarguar nga të katërt, së paku me pyetjet e njëjta. Gokaj kërkoi mirënjohje për njerëzit që punojnë për vendin: “Për mua çdo prokuror ka rëndësi; për mua janë 20 prokurorë, pra 20 drejtues të SPAK-ut.
Mbasi i konsideron kolegët si pjesë e ekipit, Braho kishte një mesazh për ta: “Askush nuk është mbi ligjin. Prokuroria e Posaçme do të vazhdojë të kryejë ndjekje penale, të ngrejë hetime në ligje dhe prova. Kam ndjekur hetime dhe i kam shfaqur në gjyq për një sërë çështjesh penale, të përfunduara me vendime gjyqësore, ku përfshihen funksionarë publikë, kryetarë bashkie, sekretar i përgjithshëm në ministri, zv.ministër dhe ministër”.
Me fitoren e Brahos, e ngarkuara me punë znj. Van Horn doli e qetë nga Këshilli, ndërsa më pas ambasada amerikane përgëzuan për punën kryeprokurorin në ikje, Altin Dumani, dhe uruan kryeprokurorin e ri të SPAK.
“Ne presim me kënaqësi të vazhdojmë partneritetin tonë të fortë me Kryeprokurorin e ri të Posaçëm, Klodian Braho, në rolin e tij të ri në krye të SPAK”.
“Dje thamë që ajo që kërkojmë është një kryetar që do të vijojë punën e SPAK, dhe ajo që kërkonim ishte një kandidat me nivele pavarësie dhe integriteti. Uroj z. Braho dhe mirëpresim bashkëpunimin me të në vijim”, tha Gonzato.
Nën praninë e shtuar të ndërkombëtarëve, Klodian Braho merr stafetën nga pararendësi Altin Dumani dhe bëhet kryeprokuror më 19 dhjetor.
Top Channel
Burimi: top-channel.tv


