zgjedhjet lokale hasanoviq kandidatet e pavarur sfide per diskursin politik 68bf125ac9baf

Zgjedhjet lokale, Hasanoviq: Kandidatët e pavarur, sfidë për diskursin politik

September 8, 2025
min lexim

Shkup, 8 shtator – Kandidatët e pavarur në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut do të jenë një sfidë për diskursin politik në vend me mundësinë për humbjen e votave të kandidatëve partiakë përballë atyre të pavarur, vlerëson analisti, Emir Hasanoviq.

Sipas tij, kandidatët e pavarur pritet të ofrojnë një freski sociologjike, duke adresuar prioritete më praktike dhe konkrete të qytetarëve.

“Besoj që po, ka një mundësi që të humbin vota, por mendoj se çështja më kryesore është se si zhvillohet diskursi politik, se si zhvillohen prioritetet politike dhe si do të zhvillohen agjendat politike dhe besoj se kandidatët e pavarur do të sjellin një ndryshim, nuk do të jetë një ndryshim shumë i madh, por besoj se do të jetë një ndryshim sociologjik, ku qytetarët e kanë një listë të prioriteteve të tjera, më praktike dhe më konkrete që të pavarurit janë duke e adresuar momentalisht.”, – deklaroi analisti, Emir Hasanoviq.

Edhe pse buxheti dhe pushteti mbeten në dorën e partive, në nivel lokal mund të ketë ndryshime përmes njerëzve me kompetencë dhe përvojë, ndërsa hyrja e kandidatëve të rinj të pavarur shihet si guxim dhe si mundësi për të rifreskuar diskursin politik në vend.

Kandidatët e pavarur në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut përballen jo vetëm me garën për vota, por edhe me sfidën për të imponuar agjendën e tyre politike përballë partive tradicionale që dominojnë ciklin mediatik.

“Përveç sfidave operative i keni edhe sfidat strategjike. D.m.th, sa kumtesa dhe njoftime gjatë ditës i merrni nga partitë politike tradicionale. Pra, ata e formojnë ciklusin mediatik dhe ata e dominojnë atë. Këtu kandidatët e pavarur do të kenë një sfidë ku nuk duan vetëm të bëjnë gara për vota, por duhet të bëjnë gara edhe për agjendën të cilën duan ta sjellin. Ajo është problemi më i madh. Buxheti është te pushteti, por ka shumë gjëra që mund të ndryshohen në nivel lokal me njerëz kompetentë, me njerëz me aftësi, njerëz me kualifikime dhe përvojë. Kanë demonstruar një kurajë shumë të madhe dhe jo vetëm të bëni garë elektorale, por të keni edhe një situatë Davidin kundër Goliatit, ku ju e keni një sistem që e mbështet një kandidat dhe ju vet me idetë e juaja bëni betejë.”, – theksoi analisti, Emir Hasanoviq.

Në zgjedhjet lokale të 19 tetorit do të garojnë 69 kandidatë të pavarur në 38 komuna. Numri më i madh i kandidatëve të pavarur është regjistruar në Prilep, ku do të garojnë 7 kandidatë, ndërsa nga pesë kandidatë të pavarur do të garojnë në Shkup, Strugë dhe Demir Hisar.

Nga tre kandidatë ka në Manastir dhe Demir Kapi, ndërsa në komuna tjera nga dy apo një iniciativë. E ngjashme është situata edhe me këshilltarët e pavarur, ku janë paraqitur 68 iniciativa në 34 komuna. Kandidatët e pavarur, si dhe partitë, deri më 13 shtator duhet të dorëzojnë dokumentacionet e nevojshme deri tek komisionet zgjedhore, të cilat duhet formalisht t’i vërtetojnë kandidaturat.

Në zgjedhjet e fundit lokale kandidatët e pavarur në nivel lokal morën rreth 56 mijë vota, ku fituan tre mandate për kryetarë komune dhe 64 vende për këshilltarë komunalë.

Fushata për zgjedhjet e ardhshme lokale duhet të fillojë më 29 shtator. Rrethi i parë i zgjedhjeve është më 19 tetor, ndërsa rrethi i dytë më 2 nëntor.

Në Maqedoninë e Veriut ka gjithsej 80 komuna dhe qyteti i Shkupit.// (TVM2)

Burimi: zhurnal.mk

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

ibrahimi permes pjesemarrjes se vlen ne pushtetin lokal ne manastir ne do te zhvillojme fshatrat dhe vendbanimet shqiptare 68bf05d876682
Lajmi i mëparshëm

Ibrahimi: Përmes pjesëmarrjes së VLEN në pushtetin lokal në Manastir, ne do të zhvillojmë fshatrat dhe vendbanimet shqiptare

mexhiti pune jo fjale fillojme rikonstruimin e teresishem te rruges 68bf12f160055
Lajmi i radhës

Mexhiti: Punë, jo fjalë-fillojmë rikonstruimin e tërësishëm të rrugës

Të fundit nga

ShkoLartë