Publicisti Ramazan Bekteshi, në një postim në Facebook solli një pasqyrë mbi situatën politike në Kosovë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 28 dhjetorit.
Ai thekson se përsëritja e krizave dhe shkuarja e shpeshtë në zgjedhje ka krijuar një “teoremë” të re politike, ku elektorati shpesh ndëshkon ata që konsiderohen përgjegjës për bllokimin.
Bekteshi ndalet edhe te aderimet e reja nëpër partitë kryesore, duke analizuar se cilat prej tyre mund të kenë ndikim në rezultatin zgjedhor dhe çfarë mesazhi po i dërgohet qytetarëve në këtë prag zgjedhjesh.
Postimi i plotë:
Zgjedhje me daulle
Në Kosovë po vërtetohet ajo që mund të quhet ‘Teorema e Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme’: sa herë që vendi hyn në zgjedhje të parakohshme, dinamika politike ndryshon më shpejt se sa arrijnë të përshtaten partitë. Dalja bie, fragmentimi rritet dhe elektorati ndëshkon atë që konsideron përgjegjës për krizën. Kjo përsëritje e sjelljes politike e kthen fenomenin në një teoremë të pashkruar të politikës kosovare. Kështu lind pyetja: Kënd duhet ta ndëshkoj elektorati, pushtetarët/fituesit që s’patën numra të krijojnë qeverinë, apo opozitën që për hire të egoizmit për të ardhur në pushtet pa Kurtin refuzuan aleancën dhe bashkëpunimin, bllokuan krijimin e qeverisë.
Aderimet që ia vlen të theksohen sipas meje
VV: Kalimi i Hotit drejt partisë Lëvizja Vetëvendosje nga PDK-ja ka qenë e natyrshme edhe për shkak të angazhimit. “Kjo lëvizje është pak e natyrshme për shkak të punës së përbashkët qe kemi pasur me kryeministrin Kurti dhe përkrahjen e pa rezervë të Kurtit në fushën që unë e mbuloj, por edhe për shkak të bindjeve të mia”, ka theksuar Hoti. Andini vjen pa zhurmë por me peshë, ai përfaqëson zërin e babait të tij, dhe zërin e popullit që e ka paguar çmimin më të lartë për liri. Ai përfaqëson zërat e atyre që nuk u kthyen kurrë duke u dhënë shpresë familjeve të të pagjeturve sepse ai vetë është njeri nga ta. Një prurje tjetër markante te VV/Guxo është Viktor Buzhala, një personalitet i artikullueshëm dhe i respektuar në analiza ekonomike, Blerim Gashi, një analist i guximshëm e profesionist dhe Fatos Geci, një i ri premtues.
PDK: Dy prurje që PDK pritet të përfitoj në vota janë: Rikthimi i Lladrovcit, nëse mund të thuhet kështu dhe shpëtimi i rreth 40 mijë votave që tani pritet t’i arkëtoj sërish PDK-ja, e kjo konsiderohet si lëvizja më e mençur e PDK-së. Po ashtu, aderimi i Besim Hasanit, një ekonomist dhe sportist i shquar, një si ambasador i Kosovës në kohë të vështira, ai është njëri ndër njerëzit më meritor për pranimin e Kosovës në familjen e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Kur Kosova kishte nevojë për një dritare ku shihej bota e sportit, z. Hasani ishte aty. Zaten edhe medaljet olimpike që do të pasojnë e bëjnë Besimin hisenik qoftë direkt apo indirekt. Z Hasani pritet të sjell vota të reja në parti nga komuniteti sportiv.
LDK: Aderimi i vetëm qe ia vlen të përmendet sipas meje është djali i Presidentit historik, Ukë Rugova. Le të shpresojmë se disa rugovistë do të rikthehen në partinë që e themeloi Presidenti historik e që tanimë vazhdon të zvarritet në vend të tretë prej vitesh. LDK-ja meriton më shumë se kaq, dhe me një konsolidim të brendshëm do të duhej të kthehej aty ku e ka vendin, sepse vendi i tretë është një nënçmim i padurueshëm për elektoratin e saj të ndershëm e të braktisur. Një befasi tjetër që ndodhi në LDK, është se aleatja e saj natyrale, PSHDK-ja, e braktis LDK-në dhe i bashkohet VV-së, derisa PD e Aganit, një parti me orientim konservator e fetar, në kundërshtim me laicizmin i bashkohet LDK-së, një bashkim ky i panatyrshëm.
AAK: Aderimi i gjeneralit dhe ish-kryeministrit Çeku është një prurje e forte për AAK-në. Ai ka qenë një profesionist i fort si gjatë luftës dhe pas lufte. Ai është ndër të rrallët në Kosovë që ka merita të veçanta për ngritjen e TMK-së dhe FSK-së në Ushtri të Kosovës së bashku me Ushtrinë amerikane dhe atë të Mbretërisë së Bashkuar e që kam pas privilegj ta përcjell nga afër me vite. Mbetet të shihet nëse AAK-ja do të jetë pjesë e legjislacionit të ardhshëm. Një aderim tjetër që vlen të përmendet e që në opinion është më shumë i njohur si kunati i Albulena Haxhiut se sa Dardan Krasniqi, një personalitet që në paraqitjet e tij le përshtypje të një burri shumë të artikullueshëm e inteligjent dhe një ish-luftëtar në disa lufta.
Këtu lind edhe një dilemë tjetër, kush do t’i arkëtoj votat e 60 mijë veteranëve fiktiv, apo do të ndahen në mes PDK-së dhe AAK-së?!
NISMA: Nisma ishte me aktivja që me orvatjet e saj dëshpëruese tentoi t’i ngjitet ndonjë partie. Ajo u përpoq të bëje një marrëveshje me PDK, VV dhe LDK-në dhe dështuan të gjitha përpjekjet. Edhe NISMA-s i dëshirojmë hyrje në parlament.
LS: Ajo s’meriton të jetë pjesë e mozaikut politik kosovar dhe këtë duhet ta artikulojnë të gjitha partitë politike kosovare njëzëri, sepse është në interes të sovranitetit të vendit. Vetëm serbet lojal ndaj Kosovës dhe jo të udhëhequr nga Beogradi do të duhej t’i përfaqësonin qytetarët në veri.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme/parakohshme në Kosovë nuk janë shenjë e shëndetit demokratik, por simptomë e një dështimi të vazhdueshëm politik. Ato nuk zgjidhin kriza, vetëm se i riambalazhojnë ato. Nuk sjellin stabilitet, por vetëm e zhvendosin kaosin nga njëra parti tek tjetra. Në një vend ku kompromisi shihet si dobësi dhe përgjegjësia si barrë, zgjedhjet e parakohshme kthehen në ritual periodik të mbulimit të paaftësisë së elitës politike kosovare.
Derisa, klasa politike të mësojë të qeverisë brenda institucioneve e jo përmes improvizimeve dhe dramave, Kosova do të mbetet peng i teoremës së njëjtë: krizë, zgjedhje të jashtëzakonshme, përmbysje dhe sërisht krizë të re. Nëse ky cikël nuk thyhet, vendi nuk do të ecë përpara, por vetëm do të rrotullohet në të njëjtin rreth vicioz, ndërsa qytetarët do ta paguajnë faturën që politikanët e krijojnë.
Në këto zgjedhje rezultati nuk do të ketë dallim të madh nga zgjedhjet e para 10 muajve. Renditja do të jetë e njëjta, dhe lind pyetja, sa janë maturuar partitë politike për të mbrojtë interesat e shtetit dhe të qytetarit, apo, do të na shtyjnë drejtë te ‘zona e muzgut’.
Burimi: botasot.info


