Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se situata rreth zgjedhjes së presidentit të ri të shtetit “nuk është e lehtë”, por theksoi se do të përpiqen me dy partitë e tjera të mëdha shqiptare që të shmangin zgjedhjet e reja.
Presidentes aktuale të Kosovës, Vjosa Osmani, i skadon mandati më 4 prill dhe afati i fundit për votimin e figurës që do ta ketë mandatin e ri është 4 marsi. Osmani e ka bërë të qartë se synon edhe një mandat.
Nëse deputetët nuk arrijnë të zgjedhin kreun e ri të shtetit, atëherë zgjedhjet e reja do të mbahen në prill, tha Kurti.
“Do të përpiqemi maksimalisht që t’i evitojmë zgjedhjet për shkak të moszgjedhjes së presidentit”, tha Kurti.
Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori universitar, Enver Bytyçi.

Profesori thotë se Kosova ka hyrë në një fazë të re dhe sfida kryesore tani është zgjedhja e presidentit, e cila mund të zgjidhet shpejt nëse partitë si Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës bashkëpunojnë.
Ai ka mbështetur një mandat të dytë për Vjosa Osmani, por tani është në dilemë. Megjithatë, thekson se kushdo që zgjidhet duhet të vazhdojë forcimin e shtetit.
“Kosova është në një fazë të re në zhvillimet e saj pozitive. Por çdo fazë e ka sfidën e vet. Pas krijimit të kryesisë së Kuvendit dhe qeverisë u miratua buxheti i shtetit për vitin 2026 dhe tashmë vendit i duhet të kapërcejë edhe sfidën e zgjedhjes së presidentit/es. Kisha një pritshmëri se zgjedhja e presidentit do të konsultohej më herët, paralelisht me diskutimet në Kuvend për buxhetin. Por kjo nuk ndodhi. Megjithatë nuk është aq vonë. Kur ka vullnet të mirë nga palët politike bëhet gjithçka. Dhe në këtë rast, nëse partitë politike, përkatësisht Vetëvendosja, PDK dhe LDK merren vesh me vullnet të mirë e në marrëdhënie të sinqertë, atëherë sfida kalohet brenda ditës.
Kam thënë se asnjë nga partitë politike nuk dëshiron të bëhet pengesë për zgjedhjen e kryetarit të shtetit, sepse ndryshe, nëse shkohet në zgjedhje, atëherë ajo parti politike që bëhet pengesë do të penalizohet nga qytetarët e Kosovës. Kjo është e provuar tashmë nga rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025. Unë gjithashtu kam kërkuar që zonjës Osmani t’i mundësohet edhe një mandat i dytë si presidente e Republikës së Kosovës. Por sinqerisht, pas zhvillimeve të fundit dhe përuljes që ajo i bëri Edi Ramës, jam në dilemë. Nëse do të kishte një kandidaturë tjetër të respektuar, ndoshta do ta përkrahja. Vetëm se më dhimbset, pasi Kosova me Vjosën investoi shumë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe pati krijuar një identitet të fuqishëm. Megjithatë kjo nuk do të thotë se pasardhësi i saj, nëse kandidati do të jetë me emër tjetër, nuk do të vazhdojë këto përpjekje për shtetësinë e Kosovës”, u shpreh ai.
Duke vazhduar bisedën, profesori thotë se partitë opozitare duken të gatshme për kompromis për presidentin dhe se kandidati më i mundshëm mund të jetë Bashkim Jashari, pasi askush nuk do të rrezikonte të votonte kundër një anëtari të familjes së Adem Jashari.
Ai e quan të pavend debatin për Harry Bajraktari, ndërsa përmend edhe kundërthëniet mes Daut Haradinaj dhe Ramush Haradinaj për kandidaturën.
“Zoti Kurti ka bërë tashmë dy takime, me kreun e Partisë Demokratike, Bedri Hamza dhe me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Nga deklaratat e tyre kam kuptuar se të dy këto parti opozitare janë të gatshme për kompromis sa i përket votës për kreun e shtetit. Në fakt nuk ka si të ndodhë ndryshe. Zoti Hamza tha se nuk do t’i japë firma dikujt për kandidat për president. Por nënkuptimi është se mund të japë votën. Enver Hoxhaj u shpreh se nëse kandidati për president vjen nga familja Jashari, atëherë ai do ta votonte atë për president. Dhe deklaratat politike nuk bëhen në një terren bosh. Kësisoj besoj se presidenti i ardhshëm do të jetë ndoshta Bashkim Jashari. Askush nuk do të guxonte të votonte kundër tij. Vota kundër një pjesëtari të familjes së Adem Jashari do të kishte kosto te elektorati për secilën nga partitë politike shqiptare.
Kam ndjekur edhe një debat për atë se zoti Harry Bajraktari “lobon” për të qenë kandidat për president të Republikës së Kosovës. E quaj pa vend dhe një lajthitje që bëhet. Megjithatë kandidatura e tij është e respektuar. Por ai vetë thotë se nuk është i interesuar për këtë post. Nuk e di pse bëhet ky debat, sepse zoti Bajraktari nuk e rrezikon kandidaturën e zonjës Osmani, pavarësisht propozimit të tij nga ana e zotit Daut Haradinaj. Por këtu ka edhe një ngërç tjetër. Ndërsa Dauti propozon Harry Bajraktarin, Ramushi në anën tjetër shpall kandidaturën e tij për numrin një të shtetit”, shpjegoi profesori.
Në fund, ai nënvizon se edhe pse kanë mbetur pak ditë, zgjedhja e presidentit pritet të përfundojë shpejt, sepse sipas tij Vetëvendosja mund të propozojë një anëtar të familjes së Adem Jashari, për të forcuar simbolikën e shtetësisë, për të nderuar sakrificën e familjes dhe për të siguruar konsensus me PDK-në dhe LDK-në.
Ai beson se marrëveshja mes partive është pothuajse e garantuar, ndërsa paralajmëron se është e rrezikshme për Kosovën të ketë si aleat Edi Ramën, të cilin e akuzon për veprime të dyshimta kundër interesave të saj.
“Kanë mbetur edhe tetë ditë nga dita kur duhet zgjedhur presidenti/ja i/e Republikës. Koha është e shkurtër. Besoj se Vetëvendosja ka piketuar për këtë post një nga anëtarët e familjes Jashari. Për shumë arsye:
E para, për të dhënë mesazhin se kreu i shtetit përfaqëson denjësisht shtetësinë e Kosovës, është i pakompromis për mbrojtjen e territorit dhe sovranitetit. E dyta, për të dërguar në Europë dhe në SHBA mesazhin se Ushtria Çlirimtare e Kosovës përfaqësohet më së pari nga familja e Adem Jasharit dhe se këtë familje dhe aktin e saj të pashëmbullt për lirinë e Kosovës nuk mund ta njollosë asnjë gjykatë në botë. Së treti, për ta nderuar Adem Jasharin dhe dëshmorët e tjerë të familjes së tij për atë që ata dhanë gjithçka e jo vetëm diçka për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës. Së katërti, për t’i dhënë kreut të shtetit dinjitetin më të plotë të mundshëm. Dhe së pesti, për të marrë dakordimin e partive opozitare për zgjedhjen e presidentit.
Konsensusi me PDK-në dhe LDK-në është thuajse i garantuar. Ndaj dhe besoj se zgjedhja e presidentit tashmë është punë e kryer. Mësimi është shumë i qartë, siç edhe e kam shkruar para disa ditësh: – Është e rrezikshme ta kesh mik Edi Ramën. Është e rrezikshme në radhë të parë për Kosovën. Sepse ai bën deklarata dhe lëvizje “patriotike” për të fshehur dorën e tij të zezë në marrëveshje me armiqtë e Kosovës e kundër saj”, përfundoi profesori Bytyçi për “Bota sot”.
Burimi: botasot.info

