zgjedhja e presidentit es komentohet qendrimi i ldk se njohesit apelojne per interes shteteror mbi ate partiak 69a1456f82aee

Zgjedhja e Presidentit/es: Komentohet qëndrimi i LDK-së, njohësit apelojnë për interes shtetëror mbi atë partiak!

February 27, 2026
min lexim

Presidentes aktuale të Kosovës, Vjosa Osmani, i skadon mandati më 4 prill dhe afati i fundit për votimin e figurës që do ta ketë mandatin e ri është 4 marsi. Osmani e ka bërë të qartë se synon edhe një mandat.

E në lidhje me këtë çështje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se situata rreth zgjedhjes së presidentit të ri të shtetit “nuk është e lehtë”, por theksoi se do të përpiqen me dy partitë e tjera të mëdha shqiptare që të shmangin zgjedhjet e reja.

Kryeministri Kurti u takua me liderët e opozitës për të biseduar në lidhje me zgjedhjen e presidentit.

E pas takimit me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, kryeministri theksoi se as partia e tij, as LDK-ja dhe as Partia Demokratike e Kosovës nuk kanë një kandidat të tyre për presidentin.

Ndërkaq, kreu i LDK-së tha për gazetarët se nevojitet konsensus politik apo marrëveshje mes partive për emrin.

“Dakordimi i përgjithshëm është se janë vetëm dy rrugë përpara. E para është që ose duhet konsensus politik mes faktorëve të vendit dhe ky konsensus duhet të ndërtohet në këto nëntë ditët e ardhshme ose duhet një marrëveshje klasike politike, mes partive për çështjen e presidentit. Dhe, në të dyja rastet duhet së paku dy të tretat e votave të deputetëve. Mbeti që të takohemi në ditët në vijim për të parë se cili nga këto mundësi që kemi përpara”, tha ai.

I pyetur nëse është diskutuar për emra konkretë që do të mund të zgjidheshin president, përfshirë emrin e presidentes aktuale, Abdixhiku tha se fillimisht është procesi i arritjes së një konsensusi e më pas vijnë emrat.

E të gjendur në këtë situatë a po e përdor LDK-ja kërkesën për konsensus si mjet presioni për interesa partiake, në vend që ta trajtojë zgjedhjen e presidentit si përgjegjësi shtetërore?

Aliçkaj: Rizgjedhja e rugovistes Vjosa Osmani si presidente është në interes të LDK-së dhe shtetit të Kosovës

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur veprimtari Agim Aliçkaj.

Ai thotë se rrëmuja për zgjedhjen e Presidentes në Kosovë tregon papjekuri politike dhe se është e pakuptueshme që Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e mbështet Vjosa Osmani.

Image

Agim Aliçkaj

Sipas tij, ajo përfaqëson frymën rugoviste të Ibrahim Rugova dhe meriton votën e LDK-së.

“Rrëmuja e panevojshme e krijuar rreth zgjedhjes së Presidentit/es së Republikës së Kosovës tregon vazhdimësinë e papjekurisë së klasës politike të Kosovës. Kjo shkon aq larg sa rrezikohet funksionimi normal i shtetit.

Sidomos është e pakuptueshme sjellja e LDK-së, në krye me z. Lumir Abdixhiku. Presidentja Vjosa Osmani është rugoviste. Këtë e ka thënë edhe djali i Presidentit Rugova, Ukë Rugova. Do të shtoja se ajo është më rugoviste se cilido prej politikanëve kryesorë të LDK-së.

Pa hyrë në një analizë të gjerë, rugovizmi i Vjosës vërtetohet nga cilësitë e saj kryesore: orientimi i theksuar pro-amerikan dhe depërtimi i qetë, pa zhurmë, në nivelet më të larta ndërkombëtare, pa lëshuar pe në interesat strategjike të Kosovës. Këto vlera do të duhej ta bënin shumë të lehtë votimin e LDK-së për rizgjedhjen e Presidentes Osmani”, u shpreh ai.

Veprimtari tutje kritikon Lidhja Demokratike e Kosovës duke thënë se është larguar nga fryma e Ibrahim Rugova që nga koha e Isa Mustafa dhe sidomos nën drejtimin e Lumir Abdixhiku, duke humbur mbështetje dhe duke marrë vendime të gabuara politike.

Sipas tij, refuzimi i koalicionit me Albin Kurti dhe mos-mbështetja e rizgjedhjes së Vjosa Osmani kanë dëmtuar si shtetin ashtu edhe vetë LDK-në.

“Por, fatkeqësisht, LDK-ja e ka lënë rrugën e Presidentit Rugova dhe ka marrë teposhtëzën që nga z. Isa Mustafa, duke kulmuar me z. Lumir Abdixhiku. Ky i fundit ka humbur tri palë zgjedhje radhazi, duke e reduktuar LDK-në në 12%, dhe ende nuk e ka të qartë se ku e ka katandisur partinë.

Gabimin më të madh politik z. Abdixhiku e bëri duke refuzuar ofertën e Kryeministrit Albin Kurti për të hyrë në koalicion në zgjedhjet e shkurtit të vitit të kaluar. Së bashku me krerët e PDK-së, AAK-së dhe NISMA-s, ai zgjodhi bllokimin e krijimit të institucioneve shtetërore, gjë që e dëmtoi shtetin, por edhe partitë e tyre.

Për këtë morën dënimin e merituar nga populli. Tani, pas takimit me z. Kurti, z. Abdixhiku deklaron se për çështjen e presidentit ekzistojnë vetëm dy rrugë: ose arrihet konsensus politik mes faktorëve kryesorë, ose bëhet një marrëveshje klasike politike mes partive. Ai harron rrugën e tretë — më të lehtën dhe më të mirën për shtetin dhe LDK-në — përkrahjen publike për rizgjedhjen e Presidentes Vjosa Osmani”, shpjegon veprimtari.

Duke vazhduar Aliçkaj nënvizon që Lumir Abdixhiku nuk është në pozitë të vendosë kushte ndaj qeverisë së Albin Kurti dhe se vazhdimi i bllokadave do ta dëmtojë edhe më shumë Lidhja Demokratike e Kosovës.

Siç shpjegon ai, rizgjedhja e Vjosa Osmani është në interes të Kosovë dhe e vetmja parti që e kundërshton për arsye armiqësore është Lista Srpska; prandaj opozita duhet ta vendosë interesin shtetëror mbi atë partiak dhe ta votojë Osmanin.

“A ka dikush që t’i tregojë z. Abdixhiku se ai i ka humbur vërtet zgjedhjet dhe se nuk është në pozicion të vendosë kushte për të nxjerrë diçka nga qeveria e Kryeministrit Kurti? Vazhdimi i bllokadave dhe hyrja në pazare politike për pozita do ta çojnë LDK-në në humbje edhe më të mëdha.

Kalkulimi i gabuar i LDK-së, por edhe i partive të tjera opozitare — se populli do ta fajësojë z. Kurti për dështimin e rizgjedhjes së Presidentes Osmani — do t’u kushtojë shumë në të ardhmen. E vetmja mënyrë për ta fajësuar Kurtin është nëse ata e mbështesin publikisht znj. Osmani dhe Kryeministri Kurti nuk e mundëson kandidimin e saj.

Përfundimisht, rizgjedhja e Presidentes Osmani është në interes të shtetit të Kosovës dhe, si rrjedhim, edhe në interes të LVV-së me koalicion, të LDK-së dhe të partive të tjera opozitare — përveç partisë armiqësore “Lista Srpska”, e cila vepron për interesa të regjimit serb me qëllim shkatërrimin e Republikës së Kosovës.

Ky është momenti dhe shansi i fundit që LDK-ja dhe partitë e tjera opozitare ta vendosin interesin shtetëror mbi atë partiak dhe personal, duke e votuar Presidenten Vjosa Osmani edhe për një mandat. Ajo e ka mbështetjen e popullit dhe është pro-amerikane”, foli Aliçkaj për “Bota sot”.

Makolli: Duhet të lihen anash interesat partiake

Ndërsa, njohësi për çështjet aktuale politike, Vesel Makolli në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që sipas Kushtetutës së Kosovë, Presidenti/ja ka rol kyç në garantimin e funksionimit kushtetues, përfaqësimin e shtetit dhe udhëheqjen institucionale.

Ai kërkon që partitë politike, sidomos ajo fituese, ta vendosin interesin shtetëror mbi interesat partiake dhe të zgjedhin një figurë me integritet, përvojë dhe aftësi diplomatike që garanton unitetin dhe rendin kushtetues.

Image

Vesel Makolli

“Sipas Kushtetutës së Kosovës, Presidenti/ja përfaqëson shtetin brenda dhe jashtë vendit, garanton funksionimin kushtetues të institucioneve, është komandant suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës, shpall ligjet dhe mund t’i kthejë për rishqyrtim, si dhe emëron ambasadorë dhe ka rol në politikën e jashtme.

Të gjitha partitë politike, e në veçanti partia që i ka fituar zgjedhjet me mbi 50% të votave, duhet të mendojnë për të mirën e gjithmbarshme të shtetit të Kosovës dhe të merren vesh për zgjedhjen e një figure politike e cila do t’i plotësojë kushtet e cekura me Kushtetutë dhe të ketë përvojë politike dhe institucionale, integritet të lartë moral, neutralitet institucional, kompetencë profesionale dhe aftësi diplomatike, që vepron si garantues i unitetit dhe i rendit kushtetues të shtetit.

Në këtë kontekst, interesi i shtetit është mbi të gjitha, prandaj duhet të lihen anash interesat partiake, individuale, klanore dhe populiste dhe të punohet ngushtë mes të gjitha subjekteve politike për gjetjen e personalitetit më adekuat për ta përfaqësuar brenda dhe jashtë shtetin tonë”, foli ai.

Më tej, Makolli pajtohet me qëndrimin e Kryetarit të Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, se për zgjedhjen e presidentit ka vetëm dy rrugë: konsensus politik ose marrëveshje mes partive. Megjithatë, ai thekson se, duke pasur parasysh obligimet ndërkombëtare të Kosovë të monitoruara nga BE dhe SHBA, një marrëveshje klasike politike do të ishte zgjidhje më e qëndrueshme dhe në të mirë të qeverisjes.

“Deklarata e Kryetarit të LDK-së, z. Lumir Abdixhiku, se për çështjen e presidentit ekzistojnë vetëm dy rrugë: ose arrihet konsensus politik mes faktorëve kryesorë në vend, ose bëhet një marrëveshje klasike politike mes partive, qëndron plotësisht dhe se zgjidhje të tretë adekuate nuk ka.

Një konsensus politik i subjekteve kryesore politike është i mirëseardhur, por nëse i kemi parasysh obligimet që e presin qeverinë e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, në lidhje me obligimet e marra me marrëveshjet ndërkombëtare, të monitoruara nga BE dhe SHBA, një marrëveshje klasike politike mes partive do të ishte zgjidhje me peshë politike dhe do të ishte më së shumti në të mirë të pozitës, e cila do ta kishte më të lehtë jetësimin e obligimeve ndërkombëtare dhe qeverisje më kualitative në rrafshin e brendshëm institucional”, thotë ai.

Në fund, njohësi argumenton se, me dy nga tre pozitat kryesore të shtetit të udhëhequra nga Lëvizja Vetëvendosje, është e drejtë që Presidenti të zgjidhet nga opozita.

Ai thekson se Lidhja Demokratike e Kosovës ka personalitete të afta që mund të sigurojnë një President me neutralitet institucional dhe përfaqësim dinjitoz në nivel ndërkombëtar.

“Dy nga tri pozitat kyçe dhe më të larta të hierarkisë shtetërore udhëhiqen nga LVV, prandaj është demokratike dhe e shëndoshë për shtetin që pozita të bëjë lëshime, duke e zgjedhur Presidentin nga opozita, gjegjësisht nga ajo parti me të cilën do të bënte marrëveshje politike qeverisëse.

Në rastin konkret, kur kemi të bëjmë me LDK-në, subjektin më të vjetër politik dhe më të rëndësishëm në historinë politike të Kosovës, i cili prin edhe në aspektin kadrovik, profesional dhe politik, mund të gjendej lehtë figura adekuate për pozitën e Presidentit të shtetit.

Në radhët e LDK-së ka shumë personalitete që i plotësojnë të gjithë parametrat kushtetues, politikë dhe profesionalë të cekur më lart, dhe çka është më e rëndësishmja, do të kishim President i cili do të garantonte neutralitet partiak dhe institucional, dhe përfaqësim dinjitoz profesional dhe kulturor në rrafshin ndërkombëtar”, përfundoi njohësi Makolli për “Bota sot”.

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

IDEAL FILMS

sfida klimatike shqiperise i duhen 2 3 miliarde usd per te mbrojtur infrastrukturen 69a1455bc363e
Lajmi i mëparshëm

Sfida klimatike, Shqipërisë i duhen 2.3 miliardë USD për të mbrojtur infrastrukturën

Të fundit nga

Elijona plas ‘bombën’ ndaj Klodit

Finalistja e edicionit të katërt të Big Brother VIP Kosova, Elijona, e ka plasur një ‘bombë’ ndaj Klodit. Ajo tha se Klodi e ka pyetur atë se a e do ishte e
ShkoLartë