Që nga korriku i vitit të kaluar, Maqedonia e Veriut ka mbetur pa Avokat të Popullit, ndërsa procesi për zgjedhjen e një drejtuesi të ri vazhdon të mbetet i bllokuar për shkak të mungesës së shumicës së Badenterit. Shumica e mundshme pritet të testohet më 12 janar, por për miratimin kërkohet mbështetje edhe nga deputetët e BDI-së, informon PressOnline.al
Aktualisht nuk ka asnjë takim të caktuar zyrtarisht, megjithatë në ditët në vijim nuk përjashtohet mundësia që kryeministri Hristijan Mickoski të takohet me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje dhe tejkalimin e ngërçit institucional. Kryeministri ka paralajmëruar se do të zhvillojë bisedime me të gjithë deputetët dhe grupet parlamentare.
“Do të bisedojmë në periudhën që vjen me shumicën e deputetëve dhe grupet parlamentare për të tejkaluar këtë problem. Vlerësojmë se kjo çështje duhet zgjidhur, pasi është pjesë e raportit të Komisionit Evropian për përparimin e Maqedonisë. Nëse vërtet duam të ecim përpara dhe të jemi pjesë e barabartë e kornizës së BE-së, nuk shoh arsye pse kjo zgjidhje të mos mbështetet”, deklaroi Mickoski.
Nga ana tjetër, nga BDI-ja kanë bërë të ditur se deri më tani nuk ka pasur asnjë iniciativë konkrete për takim nga ana e kryeministrit apo e shumicës parlamentare lidhur me sigurimin e shumicës së Badenterit.
“Jo, aktualisht nga ana e tyre nuk ka asnjë iniciativë për takim ku do të diskutohej kjo temë”, deklaroi për TV21 sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Arbër Adem.
Ndërkohë, para disa ditësh, punonjësit e institucionit të Avokatit të Popullit, së bashku me dy zëvendësit e mbetur, i janë drejtuar Kuvendit me një letër, duke apeluar për zgjidhje urgjente të situatës, të cilën e cilësojnë si pa rrugëdalje.
“Punonjësit aktualisht nuk janë në gjendje të realizojnë shumicën e të drejtave që rrjedhin nga marrëdhënia e punës, ndërsa nga janari i vitit 2026 ekziston rrezik real që të mos marrin pagat, çka do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në pagesat për sigurimet shëndetësore, shoqërore dhe pensionale”, thuhet në reagimin e Zyrës së Avokatit të Popullit.
Sipas tyre, edhe më herët janë dërguar njoftime në Kuvend, por pa asnjë përgjigje konkrete. Aktualisht, institucioni funksionon vetëm me dy zëvendësit, Ilber Rufati dhe Sonja Trifunovska. Sipas ligjit, Avokati i Popullit zgjidhet dhe shkarkohet nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.


