Është zbuluar identiteti i autorit dhe viktimës së vrasjes së djeshme në Ohër. Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se ka zbardhur vrasjen e një 76-vjeçari nga Ohri, trupi i pajetë i të cilit u gjet dje në mëngjes në shtëpinë e tij në rrugën “Nada Fileva” në Ohër. Bëhet fjalë për Klime Mitrevski (sipas Ohrid1), ndërsa motivi dyshohet të jetë një pronë me vlerë mbi një milion euro në qendrën e vjetër të Ohrit, pas një kontrate të mëparshme për përkujdesje të përjetshme.
Autori është identifikuar dhe arrestuar menjëherë pas kryerjes së krimit.
Për vrasjen dyshohet Zharko Grozdanoski nga Bërvenica afër Tetovës, specialist anesteziolog dhe i punësuar në Spitalin Klinik të Tetovës. Sipas hetimeve, Grozdanoski dhe Mitrevski kishin lidhur më herët një kontratë për përkujdesje të përjetshme, me të cilën Grozdanoski ishte zotuar të kujdesej për Mitrevskin në këmbim të trashëgimisë.
Emri i Zharko Grozdanoskit nga Bërvenica lidhet edhe me një rast kur ai ishte arrestuar në vitin 2019 si lider i organizatës “Vëllazëria e Krishterë”, pasi përmes një videoje të publikuar në rrjetin social Facebook kishte kërcënuar kryeministrin Zoran Zaev dhe anëtarët e tjerë të qeverisë.
Burimi: alfax.mk


