1
Shkup, 8 dhjetor – Është zgjedhur kompania që do ta zbukurojë kryeqytetin për festat e fundvitit. Oferta e kompanisë “Link Media Plus” DOOEL ka qenë e vetmja në tenderin e hapur nga autoritetet e qytetit, të cilat për stolisjen e qendrës së Shkupit dhe bulevardeve kryesore do të paguajnë 3.260.000 denarë. Pasi kompania të dorëzojë garancinë bankare, kontrata do të nënshkruhet.
Kompania “Link Media Plus” këtë vit i ka fituar edhe tenderët për zbukurimin e Komunës Qendër të Shkupit dhe Komunës së Shtipit. Sipas sistemit të prokurimeve publike, kompania më herët ka punuar në mirëmbajtjen e automjeteve zyrtare të Policisë Financiare, në shërbime për larjen e rrugëve, si dhe në furnizimin me koshat e mbeturinave. Në vitin 2023 ajo ka realizuar dekorimet festive në Kavadar, Çair dhe në Qendrën Tregtare të Shkupit.
Sipas specifikimit të tenderit, kompania duhet të vendosë elementë të rinj ndriçues dhe zbukurues në disa lokacione të Shkupit. Pjesa më e madhe e dekorimit do të jetë në Sheshin “Maqedonia”, ku do të vendosen: figurë ndriçuese në formë “dhurate” me gjatësi të paktën 4 metra dhe lartësi 3 metra (3 copë), pemë e Vitit të Ri e lartë të paktën 13 metra me konstruksion metalik dhe zbukurime, figurë 3D “ari” 4 metra i lartë, yje të mëdhenj ndriçues në dy madhësi, kornizë 3D për fotografi në formë të Babagjyshit të Vitit të Ri, “qiell yjesh” me sipërfaqe mbi 800 m², drita të varura (ice lights) dhe ndriçim dekorativ në 25 shtylla të kandelabrëve.
Para Qeverisë do të instalohen edhe 40 elementë ndriçues, të njëjtë me ata që do të vendosen në bulevardet e tjera. Projekti, sipas dokumentacionit, do të realizohet plotësisht nga kompania, e cila është e obliguar edhe për çmontimin pas përfundimit të sezonit festiv.
Autoritetet e qytetit ende nuk kanë njoftuar se kur saktësisht do të fillojë vendosja e dekorimeve, as çfarë programi të Vitit të Ri planifikohet dhe as kush do të performojë për Natën e Ndërrimit të Motmoteve.
Burimi: zhurnal.mk


