wsj kushner heq dore nga investimi ne serbi 694080ff0bc90

WSJ: Kushner heq dorë nga investimi në Serbi

December 15, 2025
min lexim

Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump, është tërhequr nga projekti për ndërtimin e një hoteli në Beograd, raportoi gazeta Wall Street Journal më 15 dhjetor.

Projekti ishte parashikuar në vendin e ish-kompleksit së Shtabit të Përgjithshëm, i cili u shkatërrua gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.

Kompania e Kushnerit “Affinity Partners” kishte planifikuar të ndërtonte aty një hotel luksoz.

Lajmi erdhi në ditën kur Prokuroria Publike për Krim të Organizuar në Serbi ngriti aktakuzë ndaj ministrit aktual të Kulturës, Nikolla Sellakoviq, për shkelje gjatë heqjes së statusit të pronësisë së objekteve kulturore mbi ndërtesat e Shtabit të Përgjithshëm, në qendër të Beogradit.

Sellakoviq akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare.

“Për shkak se projektet e mëdha duhet të bashkojnë, jo të ndajnë, dhe nga respekti për qytetarët e Serbisë dhe Beogradit, ne tërhiqemi nga aplikimi ynë dhe këtë herë qëndrojmë mënjanë”, deklaroi një zëdhënës i kompanisë private investuese të Kushnerit, “Affinity Partners”, sipas Wall Street Journal.

Prokuroria për Krimin e Organizuar po kryen hetime që nga maji për falsifikimin e dyshuar të dokumenteve, të cilat shërbyen si bazë që Qeveria e Serbisë t’i hiqte statusin e pronësisë kulturore ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm në Beograd.

Sipas akuzave të mëparshme nga Zyra e Prokurorit, drejtori i Institutit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, Goran Vasiq, pranoi falsifikimin e dokumenteve.

Bazuar në atë dokumentacion, Ministrisë së Kulturës, e cila udhëhiqet nga Sellakoviq nga radhët e Partisë Progresive Serbe (SNS), i është dorëzuar një iniciativë për miratimin e vendimit për heqjen e statusit të pronësisë kulturore për ndërtesën e Shtabit të Përgjithshëm.

Sellakoviq u mor në pyetje më 4 dhjetor dhe, pasi dha dëshminë e tij, ai nuk foli për procedurat, por bëri akuza dhe fyerje kundër Prokurorisë për Krimin e Organizuar.

Pa ofruar ndonjë provë, ai e akuzoi atë se vepron sipas urdhrave të disa qendrave të pushtetit, të cilat nuk i emëroi, por tha se synojnë rrëzimin e Qeverisë në Serbi dhe të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Më 11 dhjetor, Vuçiq tha se, në rast se ngrihet aktakuzë për rastin e godinës së Shtabit të Përgjithshëm, ai do t’i falë të gjithë ata që “dyshohet se kanë marrë pjesë në mashtrime”.

“Nuk do t’ua jap mundësinë t’i ndjekin penalisht ata që nuk kanë faj. Unë jam fajtori. Unë jam ai që dëshiroja modernizimin e Serbisë. Unë jam ai që dëshiroja të sjell një investitor të madh”, tha Vuçiq. / REL

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

google maps ne gemini sapo eshte bere shume me i zgjuar ne gjetjen e vendit tuaj te preferuar te radhes 694080cdd3b2d
Lajmi i mëparshëm

Google Maps në Gemini sapo është bërë shumë më i zgjuar në gjetjen e vendit tuaj të preferuar të radhës

cmimet e shportes familjare ne evrope cilat vende jane me te shtrenjtat 694081134784f
Lajmi i radhës

​Çmimet e shportës familjare në Evropë: Cilat vende janë më të shtrenjtat?

Të fundit nga

ShkoLartë