Takimet sekrete mes kryenegociatorit të paqes së Ukrainës dhe drejtuesve të FBI-së kanë sjellë pasiguri të reja në negociatat për t’i dhënë fund luftës në vend, sipas diplomatëve dhe zyrtarëve të njohur me çështjen, shkruan Washington Post.
Në javët e fundit, kryenegociatori i presidentit Volodymyr Zelensky, Rustem Umerov, ka udhëtuar tre herë në Miami për t’u takuar me të dërguarin kryesor të presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, dhe për të diskutuar një propozim për t’i dhënë fund konfliktit me Rusinë.
Por gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara, Umerov ka zhvilluar gjithashtu takime me dyer të mbyllura me drejtorin e FBI-së, Kash Patel — siç u raportua më herët nga New York Post më 28 nëntor — dhe zëvendësin e tij Dan Bongino, sipas katër burimeve të Washington Post.
Takimet, sipas gazetës, kanë alarmuar zyrtarë perëndimorë të cilët mbeten të paqartë për qëllimet dhe synimet e tyre. Disa mendojnë se Umerov dhe zyrtarë të tjerë ukrainas mund të kenë kërkuar Patel dhe Bongino me shpresën për të siguruar amnisti nga akuza të mundshme për korrupsion që mund t’i përballin. Të tjerë druhen se kanali i ri mund të përdoret për të ushtruar presion mbi qeverinë e Zelensky-t që të pranojë një marrëveshje paqeje të propozuar nga administrata Trump, e cila do të sillte lëshime të rënda për Kievin.
Ambasadorja ukrainase në Washington, Olha Stefanishyna, ka konfirmuar takimin e Umerov me FBI-në dhe ka deklaruar për Washington Post se ai ka “trajtuar vetëm çështje që lidhen me sigurinë kombëtare” të cilat nuk mund të bëhen publike.
Një zyrtar i FBI-së ka thënë se takimet me Umerov përfshinin diskutime për interesat e përbashkëta të dy vendeve në luftën kundër kriminalitetit dhe sigurinë kombëtare. Çështja e korrupsionit financiar në Ukrainë ka dalë në njërin nga takimet, por nuk ka qenë tema kryesore, ka shtuar ai.
Një përfaqësues i zyrës së Zelensky-t ka refuzuar të komentojë për takime specifike, por ka këmbëngulur se “është marrëzi t’i lidhësh të gjitha me ‘korrupsionin’.”
Burimi: opinion.al


