BE dhe NATO-ja po përpiqen të zhvillojnë strategjitë e tyre, por pa mburojën e SHBA, ministri i Jashtëm gjerman beson se hapësira e manovrimit të Evropës do të mbetet e kufizuar.
Ministrja e Jashtme suedeze Maria Malmer Stenergard dhehomologu i saj gjerman Johann Wadephul mbajtën një konferencë shtypi pas bisedimeve bilaterale. Gjermania dhe Suedia janë “në mënyrë të veçantë të të njëjtit mendim” në çështjet themelore, tha Wadephul pas bisedimeve. Të dyja vendet kanë vlerësim shumë të ngjashëm të situatës së politikës së sigurisë. Lëvdata të qarta erdhën edhe nga Suedia: bashkëpunimi me Gjermaninë është më i rëndësishëm se kurrë, tha Stenergard. Por pavarësisht qëndrimeve të dukshme të përbashkëta, atmosfera është serioze. BE dhe NATO-ja duhet të përgatiten për një përballje afatgjatë me Rusinë, paralajmëroi Stenergard.
Wadephul-i tha në Stokholm se qeveria federale gjermane është e hapur për bisedime për mbrojtjen bërthamore me Francën. Megjithatë, zbatimi konkret i masave të nevojshme do të kërkonte mjaft kohë për t’u realizuar.
Ministrja e Jashtme suedeze Maria Malmer Stenergard gjithashtu u shpreh në mbështetje të një debati brenda NATO-s për formën e ardhshme të frikësimit bërthamor. Suedia iu bashkua aleancës së mbrojtjes së NATO-s dy vjet më parë, nën përshtypjen e luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, përjashtoi mundësinë që Europa të jetë në gjendje të mbrojë veten pa Shtetet e Bashkuara në të ardhmen e afërt. Ai theksoi se nëse Europa me të vërtetë dëshiron të veprojë vetë, shpenzimet e mbrojtjes të vendeve evropiane duhet të rriten në dhjetë për qind të prodhimit ekonomik.
Më parë Wadephuli kishte qëndruar për bisedime në Lituani./DW
Burimi: botasot.info


