Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar të mërkurën se incidentet me dronë rusë në Evropë janë bërë “normaliteti i ri”, pas incidentit të muajit të kaluar në Gjermani, për të cilin Rusia është fajësuar.
Sipas Euronews, von der Leyen e përshkroi incidentin në Leipzig si një përshkallëzim të ri të aktiviteteve ruse në territorin e Bashkimit Evropian.
“Leipzig shënon një përshkallëzim të ri në territorin e Bashkimit Evropian, që i atribuohet drejtpërdrejt Rusisë, por është pjesë e një modeli më të gjerë incidentesh gjithnjë e më të rrezikshme”, tha ajo në një konferencë për media në Bruksel, së bashku me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
“Nëse sulmi do të kishte pasur sukses, kjo do të kishte shkaktuar dëme të mëdha dhe ndoshta edhe humbje jetësh”, tha von der Leyen.
“Evropianët përballen me një të vërtetë të vështirë, se ky është normaliteti i ri”, shtoi ajo, duke theksuar se Bashkimi Evropian duhet t’i përgjigjet “pakujdesshmërisë” së Rusisë më shpejt dhe më mirë.
Von der Leyen tha se Evropa tashmë ka ekipe të reagimit të shpejtë që mund t’u përgjigjen sulmeve të tilla dhe se është e gatshme të vendosë sanksione të tjera ndaj Rusisë.
Ajo shtoi se evropianët duhet ta trajtojnë infrastrukturën e përditshme si objektiva në vijën e frontit dhe ta mbrojnë atë në përputhje me rrethanat.
“Jemi në një epokë të re të sigurisë evropiane”, tha ajo.
Edhe Rutte i përsëriti qëndrimet e von der Leyen, duke thënë se Rusia është bërë “gjithnjë e më e pamatur” ndërsa vazhdon pushtimin e plotë të Ukrainës.
Ai tha se kërcënimi tashmë shtrihet në territorin evropian dhe të NATO-s.
“Rreziku që paraqet Rusia është i qartë”, tha Rutte, duke shtuar se nëse Rusia beson se Evropa dhe NATO-ja do të ndahen apo do të pengohen të mbështesin Ukrainën, “gabohen”.
“Uniteti ynë është i palëkundur”, tha ai.
Burimi: botasot.info


