Pas vitesh pasigurie dhe pritjeje për vazhdimin e kontratave, po hapet rruga për zgjidhjen e një padrejtësie shumëvjeçare ndaj mijëra të angazhuarve me kontrata në institucionet publike, thonë nga VLEN.
“Koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it ka nënshkruar dhe dorëzuar, si bashkëpropozues, propozimligjin për kalimin nga angazhimi me kontrata në punësim të përhershëm.
Nisma përfshin të angazhuarit që plotësojnë kushtet në institucionet e përcaktuara në propozimligj. Janë njerëz që kanë punuar me vite, kanë mbajtur përgjegjësi dhe kanë kryer detyrat e tyre, pa e ditur nëse do t’u vazhdohej kontrata.
Ne gjithmonë kemi thënë se vendi i punës dhe buka e familjes nuk guxojnë të përdoren për shantazh apo për t’i mbajtur punonjësit nën varësi politike.
Kalimi në punësim të përhershëm parashikohet të bëhet në faza, sipas afateve të propozimligjit. Ai përfshin edhe mbrojtjen e të angazhuarve gjatë procedurës, kontrollin e mjeteve financiare dhe masa që punonjësit të mos mbahen me vite me kontrata të përkohshme.
Deputetët e VLEN-it do të angazhohen për miratimin e kësaj zgjidhjeje, pa bërë asnjë dallim, çfarëdo qoftë ai. Me miratimin dhe zbatimin e ligjit, puna shumëvjeçare e këtyre njerëzve do të shoqërohet më në fund me sigurinë që u ka munguar”, thonë nga VLEN.
Burimi: botasot.info

