Artan Grubi është kutia e zezë e BDI-së. Ai nuk është një ish-funksionar i zakonshëm në arrest shtëpiak, por njeriu që i di të gjitha hyrje-daljet e sistemit që BDI e ka ndërtuar për vite me radhë. Ai është arkiva e gjallë e një skeme partiake që për vite është mbrojtur nga opinioni. Kur kutia e zezë bie në duart e institucioneve, nuk ka më hapësirë për lojëra, as për mite. Fillon zbulimi.
Arresti shtëpiak nuk është lehtësim. Ai është shenjë se historia ka hyrë në fazën ku fjalët e BDI-së nuk vlejnë më, por faktet. Institucionet kanë filluar të gërmojnë të vërtetën që BDI për vite e ka varrosur: si është ndërtuar pushteti pas shpinës së qytetarëve dhe ku kanë përfunduar paratë. Pikërisht për këtë BDI sot është në panik.
Derisa Artan Grubi sheh televizor në shtëpi, në BDI mbretëron panik nga i pari deri te i fundit. Ata nuk kanë frikë nga masa, por nga pesha e asaj që Grubi e bart me vete. Sepse ai ka qenë aty ku vendosej gjithçka. Aty ku gjërat negocioheshin “nën tavolinë”. Aty ku kalohej pushteti dhe ndaheshin interesat.
Prandaj frika në Reçicë të Vogël nuk është e rastësishme. Është frikë nga momenti kur hija e Ali Ahmetit do të fillojë të flasë. Kur do të dalin emra, skema dhe role. Dhe kur do të bëhet e qartë se Grubi nuk është vetëm barrë për BDI-në, por një shkëndijë potenciale që mund ta djegë të gjithë konstruksionin e tyre.
Ky nuk është fundi. Ky është fillimi i një procesi që mund ta tronditë themelin e ndërtuar rreth Ali Ahmetit.


