VLEN, pas mbledhjes së Kryesisë Qendrore, reagoi lidhur me zhvillimet e fundit politike, duke theksuar se marrëdhëniet me Shqipërinë dhe bashkëpunimi ndërshqiptar nuk duhet të përdoren për përfitime politike apo partiake.
Nga VLEN vlerësuan se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Kosovë dhe rajon kanë nevojë për më shumë unitet dhe bashkëpunim, duke dënuar, siç thanë, çdo përpjekje për dezinformim dhe cenim të marrëdhënieve ndërshqiptare.
“Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Kosovë dhe në rajon kanë nevojë për më shumë unitet, më shumë besim dhe më shumë përgjegjësi të përbashkët. Çdo përpjekje për spiunim, dezinformim, insinuata politike apo cenim të marrëdhënieve ndërshqiptare është e dëmshme, e papërgjegjshme dhe në kundërshtim me interesin e shqiptarëve”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Koalicioni akuzoi BDI-në se, sipas tyre, për shkak të mungesës së rezultateve dhe vizionit, po përpiqet të krijojë mosbesim dhe konfuzion në opinion.
“BDI-ja, në mungesë të rezultateve dhe vizionit, edhe një herë përpiqet që përmes konstruksioneve të orkestruara të krijojë mosbesim, insinuata, konfuzion dhe një perceptim të rremë. Kjo nuk është patriotizëm. Kjo është nervozë politike e shndërruar në dëm për interesin e përbashkët të shqiptarëve”, thekson VLEN.
Në reagim, VLEN shpreh respekt për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë dhe për komunikimin institucional mes dy vendeve, duke nënvizuar se institucionet nuk duhet të identifikohen me interesat e individëve apo grupeve politike.
“VLEN respekton Ambasadën e Republikës së Shqipërisë si institucion dhe respekton çdo komunikim institucional ndërmjet dy shteteve. Institucionet janë më të mëdha se politika ditore, ndërsa marrëdhëniet ndërshtetërore dhe ndërshqiptare nuk guxojnë të reduktohen në interesat e individëve apo të grupeve partiake”, thuhet në komunikatë.
Koalicioni theksoi se do të vazhdojë komunikimin institucional me Shqipërinë, duke vendosur në plan të parë interesin e shqiptarëve dhe stabilitetin në rajon.
“Do të vazhdojmë me komunikim të përgjegjshëm, dinjitoz dhe institucional me Shqipërinë, në interes të shqiptarëve, qytetarëve dhe stabilitetit në rajon. Shqiptarëve u duhet unitet, jo intriga; bashkëpunim, jo kurthe politike; e ardhmja, jo politika e vjetër e frikës, përçarjes dhe spiunimit”, përfundon reagimi i VLEN-it.
Burimi: alfax.mk


