VLEN ngre dyshime për një skemë milionëshe mes krushkut të Ali Ahmetit dhe oligarkut serb Davor Macura, lidhur me blerjen dhe shitjen e aksioneve të Alta Bankës në Maqedoni. Sipas VLEN-it, kompania “AS Senjak” fillimisht mori kredi prej 5 milionë eurosh nga Alta Banka në Beograd, ndërsa tre muaj më vonë ia shiti aksionet Macurës. VLEN kërkon hetim urgjent nga Prokuroria Publike dhe Drejtoria e Inteligjencës Financiare për të verifikuar lidhjen mes kredisë prej 5 milionë eurosh të 9 qershorit dhe shitjes së aksioneve më 17 shtator 2025, duke kërkuar përgjegjësi financiare dhe penale.
BDI i kundërpërgjigjet VLEN-it për rastin e Alta Bankës, duke akuzuar Qeverinë e Mickoskit dhe VLEN-in se po përpiqen të mjegullojnë të vërtetën. BDI thekson se vendimi i vitit 2023 për mbrojtjen e aksioneve shtetërore në Serbi nuk kishte lidhje me hyrjen e Alta Bankës në Maqedoni. Sipas saj, procesi i marrjes së Stopanska Bankës në Manastir nga Alta Banka u zhvillua në vitin 2025, gjatë qeverisjes aktuale, me pëlqimin e Bankës Popullore, lejen e Komisionit të Letrave me Vlerë të drejtuar nga kuadër i VLEN-it dhe vendimet e Qeverisë së Mickoskit.
BDI kërkon të bëhet e ditur se çfarë kontrollesh janë kryer, pse Qeveria i përfshiu institucionet publike në trajtimin e ofertës dhe çfarë përgjegjësie mbajnë institucionet përkatëse, përfshirë Komisionin e drejtuar nga Bujare Abazi.
Burimi:TV21


