vizita e sorensenit a do te kete progres ne dialog gjate vitit 2026 69690b20c101e

Vizita e Sorensenit, a do të ketë progres në dialog gjatë vitit 2026?

January 15, 2026
min lexim

Një ditë pas vizitës së emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, në Kosovë, njohës të këtij procesi shprehin këndvështrime të ndryshme për progresin në dialog dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve gjatë vitit 2026.

Qëndrimi i Sorensenit të mërkurën në Kosovë, sipas politologut Artan Muhaxhiri, është i rëndësishëm sepse e tregon vazhdimësinë e kujdesit dhe të interesimit evropian për Kosovën. Sipas tij, dialogu është obligim madhor për Kosovën, pasi vetëm përmes progresit në këtë proces Kosova avancon në perspektivën e saj euro-integruese.

Mirëpo ndryshe mendon analisti politik Dorajet Imeri, i cili është pesimist se do të ketë hapa konkretë drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë–Serbi gjatë këtij viti, meqë sipas tij, posa të formohen institucionet në Kosovë, do të ketë zgjedhje të reja në Serbi.

Sorensen më 14 janar qëndroi në Kosovë, ku pas vizitave me krerët e shtetit dhe përfaqësuesit e partive opozitare, tha se janë fokusuar në sigurimin e rezultateve konkrete në dialog gjatë vitit 2026.

Ai të sot do të qëndrojë edhe në Serbi, ku do të zhvillojë takime me krerët shtetërorë atje.

Analisti politik Artan Muhaxhiri thotë për KosovaPress, se vizita e Sorensenit është sinjal për nevojën e progresit në dialog. Sipas tij, Kosova pa dialog do të mbetej e izoluar, e vetmuar dhe pa asnjë hap përpara në rrugën evropiane.

Muhaxhiri: Sorensen tregoi interesimin evropian për Kosovën

“Vizita e Sorensenit është e rëndësishme sepse e tregon vazhdimësinë e kujdesit dhe të interesimit evropian për Kosovën. Është e qartë që pa dialog Kosova do të mbetet e izoluar, e vetmuar dhe nuk do të ketë asnjë hap përpara në rrugën evropiane, nuk do të mund të bëhet asgjë e rëndësishme në agjendën evropiane, do të ketë vetëm stagnim edhe mbrapakthim. Prandaj, kushdo që zgjidhet kryeministër dhe president, dialogu është obligim madhor sepse vetëm nëpërmjet dialogut do të mund të avancohet agjenda evropiane e Kosovës dhe do të mund të krijohet një dritë në fund të tunelit për perspektivën evropiane të Kosovës. Çdogjë tjetër është popullizëm dhe mashtrim politik, demagogji që i shkon në dëm të madh shtetit të Kosovës dhe shoqërisë në përgjithësi”, thekson ai.

Të kundërtën e mendon analisti tjetër Dorajet Imeri, i cili thotë se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë gjatë këtij viti është vështirë i arritshëm.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar për Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe Aneksin e Ohrit në vitin 2023, mirëpo e njëjta nuk ka gjetur ende zbatim.

Imeri deklaron se Serbia nuk ka shprehur asnjë gatishmëri për zbatimin e marrëveshjes, ndërkaq ka bërë edhe akte terroriste ndaj Kosovës.

Ai thotë se pas sulmit terrorist serb në Banjskë në vitin 2023, besimi ndërmjet palëve është i lëkundur.

Imeri: Serbia s’ka gatishmëri për zbatim të marrëveshjes

“Është vështirë e arritshme dhe e pritshme diçka e tillë. Unë supozoj se do të ketë zgjedhje të tjera në Serbi, menjëherë pas përfundimit të krijimit të institucioneve të Kosovës. Nuk shoh mundësi reale për vijimin e dialogut Kosovë–Serbi. Rrethanat gjeopolitike kanë ndryshuar ekstremisht saqë nuk kemi asnjë indikacion për çfarë edhe të negociohet. Ka mbetur të diskutohet se si të implementohet e njëjta, Serbia nuk ka shprehur asnjë gatishmëri për ta bërë të njëjtën, ndërkohë ka bërë akte terroriste ndaj Kosovës dhe me synime të qarta aneksimin e veriut të vendit dhe ka një kërkesë legjitime nga Qeveria e Kosovës që kërkon prej Serbisë ekstradimin e personave të lidhur me këtë rast. Besimi mes palëve është kaq i lëkundur, i largët, nuk ka asnjë mundësi të vijë dialogu për aq kohë sa njëra nga palët ka plan konkret për aneksimin e veriut”, deklaron ai.

Pas takimit me Sorensenin, nga qeveria në detyrë dhe presidenca kanë theksuar nevojën që palët të trajtohen barabartë në dialog, ndërkaq është potencuar edhe parakushti për dorëzimin e kryeterroristit Milan Radojçiq para drejtësisë në Kosovë.

Kurti, sipas njoftimit nga ekzekutivi, i ka thënë Sorensenit se rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit, nga i cili partia që ai drejton, Lëvizja Vetëvendosje, mori 51.11% të votave, garanton stabilitet institucional.

Kosova dhe Serbia kanë rritur dakordimin për Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit në vitin 2023, por deri më tani kjo marrëveshje nuk ka gjetur zbatim.

Gjatë mandatit të Qeverisë Kurti, Kosova dhe Serbia zhvilluan një sërë takimesh në nivel të liderëve, si dhe në atë të kryenegociatorëve, mirëpo palët nuk u pajtuan për zbatimin e marrëveshjes.

Pjesë e kësaj marrëveshjeje është edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, por Qeveria e Kosovës ende nuk ka bërë ndonjë hap për zbatimin e tij. Me gjithë kërkesën e faktorit ndërkombëtar që drafti i BE-së të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, Qeveria ka thënë se ai draft është një dokument “non-paper” dhe si i tillë nuk do të dërgohet në Kushtetuese.

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

australi mbi 5 milione llogari adoleshentesh ne rrjetet sociale u caktivizuan brenda nje muaji 69690af0e9791
Lajmi i mëparshëm

Australi, mbi 5 milionë llogari adoleshentësh në rrjetet sociale u çaktivizuan brenda një muaji

linjat ajrore evropiane shmangin iranin 69690b34db5e2
Lajmi i radhës

Linjat ajrore evropiane shmangin Iranin

Të fundit nga

ShkoLartë