Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar pas vizitës në SHBA të drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, i cili u takua me zyrtarin e lartë të departamentit, Brendan P. Hanrahan, për Çështjet Evropian dhe Euro-Aziatike. Në përgjigjen elektronike DASH informon se Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë qëllime të përbashkëta sa i përket luftës kundër trafikut të drogës, krimit të organizuar dhe migracionit të parregullt.
“Shtetet e Bashkuara po punojnë me Shqipërinë për qëllimet tona të përbashkëta për ndalimin e trafikut të drogës, krimit të organizuar dhe migracionit të parregullt. Zyrtarë të lartë të Departamentit u takuan me Shefin e Prokurorisë Speciale (CSP) Dumani për të diskutuar fushat e bashkëpunimit të dobishëm reciprokisht”, thuhet në reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Report Tv.
Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, zhvilloi vizitë në Departamentin Amerikan të Shtetit 3 ditë më parë, ku u prit nga zyrtari i lartë Brendan P. Hanrahan. Në muajin dhjetor të vitit 2024, Altin Dumani u dekorua nga ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, si “kampion në luftën kundër korrupsionit”.
“Është një nga njerëzit më të besueshëm dhe institucion me të besueshme në Shqipëri”, shprehej ish-Sekretari Antony Blinken më 9 dhjetor 2024.
Burimi: botasot.info


