Viti 2025 ka qenë një periudhë e rëndësishme dhe sfiduese për sigurinë e Republikës së Kosovës, e karakterizuar nga zhvillime të ndjeshme në aspektin politik, institucional dhe të sigurisë rajonale.
Institucionet e sigurisë së Kosovës – përfshirë Policinë e Kosovës, Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe mekanizmat e inteligjencës – kanë operuar në një ambient të ndërlikuar, të shoqëruar me tensione në veri të vendit, kërcënime hibride, dezinformim dhe presione të vazhdueshme nga faktorë të jashtëm.
Gjatë këtij viti është vërejtur një rritje e përkushtimit institucional për ruajtjen e rendit dhe sovranitetit, por njëkohësisht janë evidentuar edhe mangësi në koordinim, kapacitete strategjike dhe komunikim institucional.
Në prag të vitit 2026, shtrohet pyetja thelbësore nëse institucionet e sigurisë janë mjaftueshëm të përgatitura për sfidat që mund të paraqiten në të ardhmen. Këto sfida lidhen jo vetëm me rreziqe tradicionale të sigurisë, por edhe me kërcënime moderne si lufta hibride, sulmet kibernetike, radikalizmi dhe ndikimet gjeopolitike në rajon.
Kësisoj, rrjedhimisht vlerësohet se, siguria e Kosovës nuk mund të ndërtohet vetëm mbi reagime afatshkurtra, por kërkon strategji të qarta, planifikim afatgjatë dhe bashkëpunim të qëndrueshëm me partnerët ndërkombëtarë.
Ekspertët e sigurisë për “Bota sot” analizuan zhvillimet e sigurisë në vitin 2025 dhe treguan pritshmëritë për vitin 2026.
Dashevci: Institucionet e sigurisë janë të përgatitura për sfidat që mund ta presin gjatë vitit 2026
E për këtë temë, për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, i cili vlerësoi se puna e institucioneve të sigurisë ka qenë sfiduese në vitin 2025.
Megjithatë, sipas tij, me ndihmën e SHBA, arriti suksese, ku veçanërisht përmendi zbardhjen e sulmit në Ibër Lepenc.
“Puna e institucioneve të sigurisë së Kosovës gjatë vitit 2025 ka qenë mjaftë sfiduese por triumfuese në fund sepse me ndihmën e aleatit SHBA/FBI ka arritur që të ketë suksesin e sajë në hetimin profesional për sulmin e kanalit në Ibër Lepenc, këtë e shohë si të arritur mjaftë të madhe sepse është cenuar direkt siguria kombëtare e Kosovës.
Institucionet e sigurisë janë të përgatitura për sfidat që mund ta presin gjatë vitit 2026, sepse unë e shoh vitin e ardhshëm akoma sfidues në aspekt sigurie, rrezik për sigurinë tonë kombëtare paraqet vetëm Serbia me qarqet e saja kriminale, destruktive, që e kemi potencuar sa e sa herë për gazetën/ portalin tuaj të nderuar”, theksoi ai.

Krahas kësaj, Dashevci potencon se siguria në vitin 2026 duhet të ndërtohet mbi strategji afatgjate, në mënyrë që t’iu bëhet ballë provokimeve dhe rreziqeve që mund të vijnë nga Serbia.
“Siguria e Kosovës po ndërtohet mbi strategji afatshkurta, afatmesme dhe afatgjata sepse tjetër rrugë nuk kemi mendoj unë, ne duhet tu bëjmë ballë rreziqeve konstante të sigurisë me strategji konkrete, kemi Serbinë e pademokratizuar përballë nesh, me mendësinë e viteve të 90-ta me një establishment të kontaminuar si pasardhëse e Millosheviçit”.
Ndër të tjera, eksperti shtoi se qeveria e Beogradit nuk është e interesuar për paqe dhe dialog, por me patjetër synon konflikte.
Sipas tij, këto politika vijnë dhe dirigjohen nga Rusia.
“Serbia nuk është e interesuar për dialog konstruktiv dhe është e fokusuar për destruktivitet, luftë të egër hibride, andaj vetëm strategjia e plotë e institucioneve tona të sigurisë po u del ballë me sukses kësaj lufte të egër hibride e dirigjuar direkt nga Rusia në Evropë me aleatin e saj në Ballkan, Serbinë”, përfundoi Arben Dashevci për “Bota sot”.
Hoxha: Siguria e Kosovës në vitin 2025
Ndërsa, ish-ushtaraku Hafir Hoxha vlerësoi se viti 2025 ka qenë vit i stablitetit, derisa tha s , Kosova ka arritur të shmangë përshkallëzime serioze të sigurisë.
“Viti 2025 për institucionet e sigurisë së Kosovës ka qenë një vit i ruajtjes së stabilitetit, por jo i konsolidimit të plotë strategjik. Në një mjedis rajonal të tensionuar, ku Serbia vazhdon të mbetet faktor destabilizues, Kosova ka arritur të shmangë përshkallëzime serioze të sigurisë, por ka dështuar të ndërtojë një front të brendshëm politik dhe shoqëror të qëndrueshëm ndaj kërcënimeve hibride”.

Sipas Hoxhës, institucionet e sigurisë gjatë këtij viti u treguan mjaft profesionale, por të kufizuara politikisht.
“Policia e Kosovës gjatë vitit 2025 ka dëshmuar profesionalizëm, gatishmëri operative dhe disiplinë institucionale, sidomos në veriun e vendit dhe në menaxhimin e situatave të ndjeshme të sigurisë. Po ashtu, Forca e Sigurisë së Kosovës ka vazhduar zhvillimin gradual të kapaciteteve, trajnimeve dhe bashkëpunimit me partnerët e NATO-s, duke ruajtur karakterin e saj mbrojtës dhe multietnik.
Megjithatë, institucionet e sigurisë shpesh kanë vepruar në një ambient politik të polarizuar, ku mungesa e unitetit minimal politik ka kufizuar efektin e punës së tyre. Siguria nuk ndërtohet vetëm me kapacitete operative, por edhe me kohezion politik dhe besim shoqëror”, nënvizoi ai
Krahas kësaj, eksperti kërkoi që Kosova të bëj një strategji më gjithëpërfshirëse sa i përket aspektit të sigurisë.
Në këtë pikë, ai tregoi se çfarë masash mund të ndërmarrë Kosova në këtë aspekt.
“Siguria pa strategji gjithëpërfshirëse
Edhe pse Kosova posedon dokumente strategjike të sigurisë, problemi kryesor mbetet zbatimi i tyre dhe mungesa e një qasjeje gjithëpërfshirëse kombëtare. Siguria në vitin 2025 është ndërtuar më shumë mbi reagim sesa mbi parandalim.
Një shtet i vogël si Kosova nuk mund ta bazojë sigurinë vetëm në instrumente ushtarake dhe policore. Ajo kërkon:
• komunikim strategjik me qytetarët,
• reziliencë shoqërore,
• edukim kundër dezinformatave dhe
• përgjegjësi politike në diskursin publik”.
Tutje, ai paralajmëroi se kërcënimi kryesor dhe i padukshëm është lufta hibride serbe.
Krahas kësaj, tregoi edhe qëllimin kryesor të Serbisë ndaj Kosovës.
“Kërcënimi më serioz ndaj sigurisë së Kosovës sot nuk vjen në formën e agresionit klasik ushtarak, por përmes luftës hibride që Serbia zhvillon në vazhdimësi kundër Kosovës. Kjo luftë manifestohet përmes propagandës, dezinformatave, operacioneve psikologjike dhe ndikimit në diskursin politik dhe mediatik.
Qëllimi i Serbisë nuk është pushtimi territorial, por destabilizimi i brendshëm, delegjitimimi i institucioneve të Kosovës dhe paraqitja e saj si shtet jofunksional në arenën ndërkombëtare”, theksoi Hoxha.
Në vazhdim, eksperti u shpreh, se në aspektin e sigurisë, ka ndikuar edhe polarizimi politik, ku në këtë pikë kritikoi liderët politikë.
Përveç kësaj, shtoi se në këtë polarizim politik rol kyç ka luajtur Serbia.
“Dështimi i klasës politike për ta kuptuar rreziku
Problemi më i madh i sigurisë së Kosovës nuk qëndron në mungesën e informatave, por në mungesën e maturisë politike. Shumë liderë politikë e njohin luftën hibride vetëm në teori, por në praktikë bien pre e saj.
Akuzat e ndërsjella pa fakte, etiketimet si “tradhtarë” apo “armiq të shtetit” dhe përçarja e vazhdueshme politike janë instrumente ideale të luftës hibride serbe. Pa dashje, disa politikanë vendorë po kontribuojnë në dobësimin e shtetit që pretendojnë se e mbrojnë.
Ndikimi në destabilizimin politik të Kosovës
Lufta hibride serbe ka ndikuar ndjeshëm në:
• polarizimin ekstrem politik,
• humbjen e besimit qytetar në institucione,
• dobësimin e unitetit të brendshëm dhe
• krijimin e një klime të përhershme krize politike.
Këto zhvillime i shërbejnë drejtpërdrejt interesave të Serbisë dhe aktorëve që kundërshtojnë shtetësinë e Kosovës”.
Në fund, Hoxha shtoi se, Kosova nëse dëshiron të përballet mirë me sfidat që e presin gjatë vitit 2026, urgjentisht duhet të ndërtojë strategji kombëtare të sigurisë
“Kosova sot nuk rrezikohet më së shumti nga tanket apo avionët serbë, por nga përçarja e brendshme e ushqyer nga propaganda, dezinformatat dhe papërgjegjësia politike. Institucionet e sigurisë janë profesionale dhe funksionale, por pa një klasë politike që e kupton se fjala është armë në kohë lufte hibride, çdo sukses operacional mbetet i përkohshëm.
Nëse Kosova dëshiron të përballet me sfidat e vitit 2026, duhet urgjentisht të ndërtojë strategji kombëtare të sigurisë që përfshin politikën, shoqërinë dhe institucionet, sepse siguria nuk është vetëm detyrë e uniformës, por përgjegjësi e të gjithëve”, përfundoi Hafir Hoxha për “Bota sot”.
Burimi: botasot.info


