vit i humbur per ekonomine 695900df24d5b

​Vit i humbur për ekonominë

January 3, 2026
min lexim

Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian, bllokimi institucional dhe mungesa e investimeve, kanë qenë faktorët kryesorë që kanë përcaktuar zhvillimin ekonomik të Kosovës gjatë vitit 2025, duke e bërë këtë vit një nga më të vështirët për ekonominë e vendit.

Si pasojë e këtyre zhvillimeve, Kosova është përballur me rritje të dobët ekonomike, thellim të deficitit tregtar, rritje të inflacionit dhe ulje të ndjeshme të besimit të investitorëve vendorë dhe të huaj.

Situata u rëndua edhe më tej nga mungesa e institucioneve funksionale për një periudhë të gjatë, çka ndikoi në vonesën e vendimmarrjes, mosmiratimin e politikave ekonomike dhe bllokimin e projekteve kapitale. Sipas njohësve të ekonomisë, kjo pasiguri institucionale ka ndikuar negativisht në besimin e investitorëve vendorë dhe të huaj.

Një tjetër problem i theksuar gjatë vitit 2025 ishte deficiti i lartë tregtar. Importet vazhduan të dominojnë tregun, ndërsa eksportet mbetën të ulëta. Kosova vazhdoi të importojë më shumë sesa eksporton, duke treguar varësi të madhe nga mallrat e huaja dhe prodhim të dobët vendor. Mungesa e mbështetjes për prodhuesit vendorë dhe kapaciteti i ulët prodhues, mbeten ndër arsyet kryesore të kësaj gjendjeje.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Besnik Avdija, vlerëson se viti 2025 nuk ka qenë vetëm vit i humbur ekonomikisht, por në disa segmente ka shënuar edhe prapakthim. Ndonëse shpreson që ky vit për dallim nga i kaluari, të mbahet mend për zhvillim ekonomik.

Sipas tij, inflacioni ka tejkaluar rritjen ekonomike, duke e futur vendin në recesion faktik.

Avdija: Ka qenë jo vetëm thjesht një vit i humbur, por madje në disa sfera të jetës kemi bërë edhe hapa prapa

“Ka qenë jo vetëm thjesht një vit i humbur, por madje në disa sfera të jetës kemi bërë edhe hapa prapa. Është rritur numri i familjeve që kanë nevojë për ndihma sociale për shkak të politikave të tilla që e kanë rritur këtë. Kjo ka ardhur edhe si rezultat i konsiderueshëm i inflacionit, i rritjes së çmimeve në Kosovë, ku në prill të 2025-ës ka qenë norma rreth 3.5 për qind e inflacionit, kurse në nëntor u raportua nga Agjencia e Statistikave që ka arritur mbi 5.3 për qind, që nëse e shohim si një agregat ose si një inflacion vjetor në vendin tonë që e tejkalon 5 për qindëshin, sidomos mbas qershorit kur, dolën bizneset në treg të hapur të energjisë elektrike, e tejkalon dukshëm edhe normën e rritjes ekonomike në vendin tonë. Pra komplet rritja ekonomike në raport me inflacionin nuk është as rritje, as stabilitet ekonomik, është recesion, është prapakthim. Nëse vazhdon edhe këtë vit edhe vitin tjetër, kemi me pas një stagnim ekonomik edhe eventualisht kemi me kalu edhe në recesion, që nënkupton bizneset do të kenë të hyra më pak, konsumatorët do të paguajnë më shumë dhe do të konsumojnë më pak. Do të kemi rënie të numrit të punëtorëve, rënie të prodhimit edhe në përgjithësi do të kemi një prapakthim ekonomik”, deklaron Avdija.

Duke renditur pasojat e vendit, ai thotë se viti që lamë pas karakterizohet nga një paqëndrueshmëri ekonomike.

Avdija: Viti që lamë pas karakterizohet nga një, të themi paqëndrueshmëri ekonomike

“Viti që lamë pas karakterizohet nga një, të themi paqëndrueshmëri ekonomike, ku kostoja sociale, kostoja që njerëzit e paguajnë në përditshmëri, në çdo sferë të jetës së tyre, në çdo hap, në çdo ditë, sa herë të marrin frymë, është shumë më e lartë sesa krejt indikatorët pozitivë që i kemi të ekonomisë në vendin tonë…03:42 Institucionet jo vetëm që nuk ja kanë dalë të bëjnë investime strategjike, për shembull në ngritjen e kapaciteteve të prodhimit të energjisë elektrike, që të mos i kemi koston tash sot t’i paguajmë çmimet me norma dyfish më të larta, mirëpo ato edhe kanë shkaktuar këtë situatë të krizës duke u marrë më shumë me politika sociale, përmes rishpërndarjes së buxhetit, të parasë publike në skema sociale….Pra efekti përveç që është pothuajse zero, ka qenë edhe një prirje për keqpërdorim, keqmenaxhimi nuk është thjesht mos me ditë, por mos me ditë në mënyrë të qëllimit. është edhe keqpërdorim i parasë publike”, vlerëson Avdija.

Një tjetër problem i theksuar gjatë vitit 2025 ka qenë përkeqësimi i bilancit tregtar. Importet vazhdojnë të dominojnë tregun, ndërsa eksportet mbeten të ulëta dhe jokonkurruese.

Avdija: Kosova vazhdon të ketë varshmëri të konsiderueshme nga importi i produkteve dhe shërbimeve

“Tek importi dhe eksporti, ekonomia e Kosovës në këto 25 vitet që nga përfundimi i luftës, vazhdon me pas një varshmëri të konsiderueshme nga importi i produkteve dhe shërbimeve. Kjo është përkeqësuar në dy-tre vitet e fundit, kryesisht për shkak se inflacioni që ne e kemi është inflacion i importuar nga jashtë, kurse ky ka efekt edhe tek pjesa e prodhimit vendor. Pra nuk është thjesht një inflacion që po blejmë, po paguajmë më shumë se po kushton atje më shumë, po i rrit në mënyrë spekulative edhe çmimet e tjera vendore. Kjo e bën që produktet e importuara të kushtojnë më shumë, kurse produktet vendore me qenë më pak konkurruese. Edhe kjo e ka ndryshuar për keq bilancin tregtar, ku është rritur, ka qenë përafërsisht rreth 84, 85 për qind në raport me 15-16 për qind importi me eksportin. Sot e kemi rreth 86, rreth 87 për qind e kemi importin në raport me 13 për qind eksportin. Ky përkeqësim prej dy pikë, tre pikë përqindjesh, nëse kthehet në vlerë monetare, nënkupton që Kosova është duke importuar rreth 300 ose 400 milionë euro në vit më shumë sesa që po eksporton. Pra nëse e përkthejmë në vlerë të numrave, pse? Qytetarët nuk janë duke konsumuar më shumë. Pra nëse ne po e paguajmë kilogramin e mishit të pulës që na vjen nga Brazili, nuk jemi duke konsumuar mish pule më shumë, jemi duke e paguar më shtrenjtë, jemi duke konsumuar më pak”, thotë ai.

Sa i përket masave të Bashkimit Evropian, Avdija i cilëson ato si të padrejta dhe me pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët.

Sipas tij, rritja e normave të interesit dhe orientimi i kredive drejt konsumit, e jo investimeve, është tregues i qartë i stagnimit ekonomik.

Avdija: Masat e Bashkimit Evropian, nëse përkthehen në vlerë ekonomike në realitet, ato 400-500 milionë të bllokuara

“Masat nga Bashkimi Evropian për Kosovën kanë qenë plotësisht të padrejta. Pavarësisht ato kanë targetuar një element, të themi më shumë politik sesa ekonomik të vendit tonë. Ato nuk i kanë shkaktuar dëm institucioneve, por i kanë shkaktuar dëm qytetarëve, për shkak se një masë e tillë e ka bllokuar një projekt për modernizimin e një linje hekurudhore ose modernizimin e tubacioneve të gazit për ngrohjen qendrore në Prishtinë ose diku tjetër, ku përfitues kishin pas me qenë punëtorët, kostot kishin pas me qenë më të ulëta për qytetarët edhe me paguar më pak. Megjithatë, problemi është më i madh sesa masat e Bashkimit Evropian. Problemi është që qasja politike e institucioneve tona, jo vetëm e qeverisë aktuale në detyrë, mirëpo e cilësdo parti e cila ka fuqinë edhe vendimmarrjen në institucionet qendrore dhe lokale, është e tillë që kalkulimet i bëjnë aty për atyshme dhe afatshkurtra. Pra jemi njerëz shkurtpamës… Duhet me u fokusuar në investime strukturore në ekonomi: energjetika, bujqësia, IT-ja…Le të ndërtojmë parqe ekonomike, ftojmë investitorët e huaj, le të lirohen për 20, 30, 50 vite nga pagesa e tatimeve, në pronë e kështu me radhë, me një kosto shumë më të ulët furnizimit me energji elektrike, subvencionimet të formave të ndryshme, me kusht që ata të garantojnë punësimin e një numri të konsiderueshëm punëtorëve, qarkullimin vjetor, të ardhurat, shitjet e kështu me radhë…Masat e Bashkimit Evropian, nëse përkthehen në vlerë ekonomike në realitet, ato 400-500 milionë të bllokuara, në këto dy vitet e fundit kishin pasur një vlerë të paktën dy herë ose tre herë më të lartë në ekonomi”, thotë ai.

Në aspektin e klimës së biznesit, ai paralajmëron për largim të kapitalit dhe rritje të pasigurisë ekonomike.

Avdija: Tek puna dhe tek klima e biznesit, duhet ndryshuar qasja e pasigurisë dhe e paqëndrueshmërisë politike

“Tek puna dhe tek klima e biznesit, duhet me ndryshuar qasja e pasigurisë dhe e paqëndrueshmërisë politike. Një çfarëdo kaste politike që vjen në pushtet, që është pjesë e pushtetit, pjesë e institucioneve dhe bën thirrje për luftë, bën thirrje për pasiguri, bën thirrje për gjëra çka i ftohin investitorët, nuk ju krijojnë një ambient, një klimë të biznesit të sigurt në vendin tonë. Tani jo vetëm investitorët e huaj, por edhe vetë pronarët e bizneseve vendore kanë filluar ta largojnë kapitalin nga vendi ynë. Kemi vetëm deri në tetor të 2025 rreth 250 milionë investime nga qytetarët e Kosovës në Shqipëri…Kemi parë një rritje deri në gati 7 për qind janë normat e interesit në kredimarrje gjatë vitit 2025. Dhe prapë numri i huamarrjeve, pra vlera totale e kredive që merren nga qytetarët dhe bizneset në Kosovë kishte rritje, edhe pse janë rritur normat, që është sigurisht nuk e kishte atë rritjen në vlera dy, tre, 5 për qind po kishte diku tek 0.8, 0.9 për qind është rritur vlera e kredimarrjeve. Banka Qendrore e balancon edhe rrezikun e kthimit të kredive me ato parametrat e vet, por balancon edhe kërkesën dhe ofertën për financim në Kosovë përmes normave të interesit. Nëse i shohim kush ka marrë kredi dhe pse ka marrë kredi, nënkupton që kreditë në masë të madhe janë kredi të këqija, për pagimin e borxheve të pashlyera nga më herët dhe janë kredi konsumuese nga qytetarët që nuk po ja dalin me pagat aktuale në vendin tonë. Kredia duhet të shërbejë si mjet i financimit të investimit, jo të konsumit”, nënvizon Avdija.

Edhe njohësi tjetër i ekonomisë, Sejdi Rexhepi vlerëson se mungesa e ndërtimit të institucioneve ka reflektuar negativisht në ekonomi.

Rexhepi: Mungesa e ndërtimit të institucioneve ka ndikuar negativisht në ekonomi

“Dukuri e përditshme është ngërçi politik që ka shoqëruar skenën politike të Kosovës, dhe mungesa e ndërtimit të institucioneve shtetërore, kuvendit dhe qeverisë, të cilat kanë reflektuar negativisht edhe në ekonomi dhe gjitha trendët. Vet mungesa e institucioneve ka krijuar një lloj mosbesimi ose në situata të pasigurisë në ekonomi e cila në instancë të fundit është reflektuar me një pasiguri të investitorëve potencial vendor dhe ndërkombëtar, e që në fund të fundit ka rezultuar me një rritje më të ngadalshme, krahasuar me rritjen e vitit 2023 apo 2024 të GDP-së. Ky reflektim negativ i skenës politike ka ndikuar edhe në optimizmin e bizneseve për të investuar dhe gjithashtu është reflektuar në vet aktivitetin e qeverisë lidhur me realizimin e objektivave të parashtruara për vitin 2025”, thotë Rexhepi.

Ai shton se Kosova nuk ka arritur të shfrytëzojë një pjesë të fondeve të dedikuara për vendet e Ballkanit Perëndimor nga Bashkimi Evropian, pikërisht për shkak të mungesës së institucioneve funksionale dhe papërgjegjësisë politike.

Rexhepi: Kosova fatkeqësisht nuk arriti të shfrytëzojë një pjesë të fondeve që ishin të paraparë për vendet e Ballkanit Perëndimor

Kosova fatkeqësisht nuk arriti të shfrytëzojë një pjesë të fondeve që ishin të paraparë për vendet e Ballkanit Perëndimor nga Bashkimi Ekonomik Evropian dhe një pjesë e tyre fonde të cilat kanë mundur të shfrytëzohen dhe të futen në ciklin ekonomik të Kosovës kanë mbetur pa shfrytëzuar për shkak mungesës së konstituimit të institucioneve të Kosovës, të papërgjegjësisë politike të atyre që kanë pasur përgjegjësi të ndërtojnë institucionet shtetërore”, thekson Rexhepi, derisa flet edhe për cmimet.

Rexhepi: Ajo që ka qenë shumë e theksuar dhe vazhdon ende është trendi i pandalshëm i rritjes së çmimeve

“Ajo që ka qenë shumë e theksuar dhe vazhdon ende është trendi i pandalshëm i rritjes së çmimeve i cili ka bërë që paga reale e çdo qytetari të zhvlerësohet dhe të jetë dukshëm më e vogël se ajo që marrim për punën që bëjmë”, u shpreh ai.

Megjithatë, viti u përmbyll me lajmin e mirë për largimin e masave nga ana e Bashkimit Evropian. Vendim tjetër i fundvitit, ishte edhe ai për rritje të pagës minimale në 425 euro nga janari, dhe 500 euro nga muaji korrik – vendim që u cilësua si elektoral. 

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

shtyhet lansimi i trump mobile t1 te veshur me ar 695900af55ad7
Lajmi i mëparshëm

Shtyhet lansimi i Trump Mobile T1 të veshur me ar

zelensky zhvillon bisedime per sigurine teksa rusia i vazhdon sulmet me drone ne ukraine 6959012b1c2c7
Lajmi i radhës

Zelensky zhvillon bisedime për sigurinë teksa Rusia i vazhdon sulmet me dronë në Ukrainë

Të fundit nga

ShkoLartë