Edhe autoritetet shëndetësore në Greqi janë vënë në alarm pas zbulimit se një dhurues danez sperme lidhet me dhjetëra raste kanceri tek fëmijë të lindur përmes fekondimit artificial.
Sipas të dhënave të fundit nga materiali gjenetik i këtij dhuruesi kanë lindur gjithsej në Greqi 18 fëmijë, disa prej tyre në të njëjtat familje, duke tejkaluar kufijtë e lejuar nga ligji.
Sipas dëshmisë së një mjeku tek një prej kanaleve televizive të vendit, një fëmijë i moshës mes 5 dhe 10 vjeç ka humbur jetën pak kohë më parë nga kanceri. Ai ishte lindur nga sperma e dhuruesit danez.
Fëmija ishte pjesë e një familjeje me tre fëmijë, të gjithë të lindur nga i njëjti dhurues. Por tragjedia vazhdon, pasi edhe një tjetër fëmijë i së njëjtës familje është diagnostikuar me kancer dhe po i nënshtrohet trajtimit,ndërsa mjekët nuk shprehen fort optimistë për shëndetitn e tij.
Pas analizave shkencore të veçanta në vend u konkludua se këta fëmijë mbartnin një mutacion shumë të rrallë në gjenin TP53, i cili rrit ndjeshëm rrezikun për forma agresive të kancerit në moshë të vogël. Mutacioni nuk ishte zbuluar gjatë kontrolleve fillestare të dhuruesit, pasi ishte i pranishëm vetëm në një pjesë të spermatozoideve të tij.
Siç është bërë me dije rasti nuk kufizohet vetëm në Greqi. Në mbarë Europën, i njëjti dhurues danez rezulton të ketë sjellë në jetë të paktën 197 fëmijë në 14 vende, përmes dhjetëra klinikave të fertilitetit. Deri tani, 77 fëmijë janë testuar dhe 25 prej tyre janë mbartës të mutacionit, ndërsa disa kanë ndërruar jetë në moshë shumë të hershme.
Ekspertët flasin për një dështim të thellë të sistemit: mungesë koordinimi mes vendeve të Bashkimit Europian, ligje të ndryshme për kufirin e dhurimeve dhe një industri shumë fitimprurëse, por me mbikëqyrje të dobët.
Rasti ka hapur një debat të fortë në nivel europian për nevojën e një mekanizmi të përbashkët kontrolli, në mënyrë që siguria e fëmijëve dhe familjeve të mos lihet në dorë të tregut.
Top Channel
Burimi: top channel


