video stuhia e fuqishme godet italine jugore dhe mesdheun qendror permbytje dhe dallge deri ne 9 metra 69716666b2f61

Video/ Stuhia e fuqishme godet Italinë jugore dhe Mesdheun qendror, përmbytje dhe dallgë deri në 9 metra

January 22, 2026
min lexim

Siçilia, Sardenja dhe Kalabria u vunë në alarm të kuq pasi stuhia e fuqishme “Hari” goditi Italinë jugore dhe Mesdheun qendror, duke shkaktuar mot ekstrem, përmbytje të përhapura dhe dëme të mëdha materiale.

Autoritetet evakuuan zonat bregdetare, mbyllën shkollat dhe ndaluan hyrjen në plazhe, ndërsa qindra operacione shpëtimi u kryen në pak orë.

Në Siçili, reshjet e rrëmbyeshme përmbytën rrugë dhe sheshe, ndërsa erërat e forta dhe dallgët krijuan efekte të ngjashme me “cunami”. Rreth 190 persona u evakuuan si masë paraprake. Pamje dramatike u regjistruan në Mazara del Vallo, ku dallgët kaluan 8 metra, dhe në Catania, ku arritën 5 metra. Në zonën e Mesinës u shemb një pjesë e rrugës bregdetare në Santa Teresa di Riva, duke rritur rrezikun e rrëshqitjeve të dheut.

Situatë e rëndë u shënua edhe në Kalabri. Në Crotone, dy lagje u urdhëruan të evakuoheshin, ndërsa një pjesë e varrezave të vjetra u shemb, duke tërhequr rreth 20 arkivole në një përrua. Në Sardenjë, deti hyri në vendbanimet bregdetare pranë Kaljarit, me rrugë të mbyllura për shkak të përmbytjeve. Departamenti i Zjarrfikësve raportoi 65 ndërhyrje shpëtimi vetëm në 12 orët e fundit.

Autoritetet theksuan se intensiteti i “Harit” ishte veçanërisht i lartë, me erëra deri në 130 km/orë në disa zona. Megjithëse kushtet nisën të përmirësohen nga pasditja e së martës, strukturat e emergjencës mbeten në gatishmëri.

Moti i keq goditi rëndë edhe Maltën, ku zgjati mbi 24 orë. Fluturimet dhe lundrimet u anuluan, dhjetëra pemë u shkulën dhe u raportuan dëme në shtëpi, biznese dhe infrastrukturë. Erërat arritën 104 km/orë në Valeta, ndërsa dallgë të forta goditën zona si Birzebbuga, Marsaskala, Sliema dhe St. Julian’s. Deri në mesditën e së martës, Mbrojtja Civile e Maltës iu përgjigj mbi 180 incidenteve, ndërsa ushtria asistoi anijet në vështirësi.

Sipas Mbrojtjes Civile Italiane, dëmet vetëm në Siçili kanë kaluar gjysmën e miliardit euro. Presidenti i rajonit, Renato Schifani, tha se pas përfundimit të fazës së shpëtimit ka nisur regjistrimi i dëmeve, veçanërisht në zonat e goditura nga Deti Jon. Sektori i peshkimit është ndër më të prekurit, me një numër të madh anijesh të shkatërruara. Cikloni “Hari” shkaktoi probleme serioze edhe në Kalabri, veçanërisht në Catanzaro, ku zjarrfikësit shpëtuan një punonjës të energjisë elektrike nga rreziku i mbytjes.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të kufizojnë lëvizjet dhe të ndjekin udhëzimet e sigurisë, ndërsa paralajmërimet mbeten në fuqi.


Top Channel

Burimi: top channel

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

cfare eshte bordi i paqes i trumpit e kush i eshte bashkuar deri tani 697164b5e1ad8
Lajmi i mëparshëm

Çfarë është ‘Bordi i Paqes’ i Trumpit e kush i është bashkuar deri tani?

nuk kursehen para albes puthje e zjarrte mes dolces e limit 69716cb3e7135
Lajmi i radhës

Nuk kursehen para Albes/ Puthje e zjarrtë mes Dolces e Limit

Të fundit nga

ShkoLartë