vetem shba mbron ballkanin trump drejt rolit vendimtar kosova ne qender te betejes gjeopolitike 69328c20b3580

“Vetëm SHBA mbron Ballkanin” – Trump drejt rolit vendimtar, Kosova në qendër të betejës gjeopolitike

December 5, 2025
min lexim

Së fundmi, pjesëmarrës në një diskutim të mbajtur në Komitetin për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara i kanë bërë thirrje administratës së presidentit Donald Trump që të angazhohet më fort në Ballkanin Perëndimor, me qëllim stabilizimin e rajonit. Ata vlerësuan se Rusia, përmes ndikimit të saj në Serbi, mbetet faktori kryesor i destabilizimit.

Gjatë hapjes së seancës dëgjimore të së martës në mbrëmje, kryetari republikan i Nënkomitetit për Evropën, Keith Self, theksoi se Ballkani Perëndimor, përveç Ukrainës që ndodhet nën pushtimin rus, është “rajoni më i paqëndrueshëm në Evropë”.

Sipas Self, marrëdhëniet ende të pazgjidhura ndërmjet Serbisë dhe Kosovës përbëjnë një nga faktorët kryesorë të tensioneve rajonale, duke krijuar hapësirë që Rusia të minojë Bashkimin Evropian dhe aftësinë e NATO-s për të forcuar vendet e Ballkanit.

Ai shtoi se përkeqësimi i situatës politike në Bosnje e Hercegovinë ka çuar në “rritje të konsiderueshme të përdorimit të kompetencave juridikisht të diskutueshme” nga përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar.

Self paralajmëroi se, në rast përshkallëzimi konfliktual, aleatët e NATO-s – Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi – do të ishin ndër të parët në shënjestër, gjë që potencialisht mund të aktivizonte nenin 5 të Aleancës. Ai nënvizoi se, megjithëse vendet e NATO-s në Ballkan duhet të ndërtojnë së bashku një pengesë politike dhe ushtarake, Kosova mbetet veçanërisht e cenueshme pasi nuk është pjesë e aleancës.

Por, si do ndikonte angazhimi i shtuar i administratës Trump në Ballkan, në Kosovë dhe çështjet e saj?

Azemi: SHBA duhet të lobojë që Kosova sa më parë të bëhet pjesë e NATO-s

Në lidhje me këtë zhvillim në Kongresin Amerikan, për “Bota sot” foli publicisti Emin Azemi.

Fillimisht, ai u shpreh se vetëm SHBA mund të garantojë sigurinë në Kosovë dhe rajon.

Image

Emin Azemi

Në këtë pikë, përmendi edhe intervenimin e NATO-s kundër makinerisë të Serbisë.

“Vetëm SHBA-të mund të garantojnë siguri dhe stabilitet në Ballkan, rrjedhimisht në Kosovë. Në vitin 1999 ishte SHBA faktori vendimtar që nxiti një aleancë shumëkombëshe në kuadër të NATO-s që të intervenojë kundër makinerisë luftënxitëse të Serbisë. Pa SHBA ky intervenim nuk do të ndodhte”, deklaroi ai.

Kësisoj, Azemi tha se duke u bazuar në këtë SHBA po e siguron stabilitetin në Ballkan, pasi vlerëson se Kosova nuk mund të pret ndonjë mbështetje të duhur evropiane.

“Duke u nisur nga ky fakt, mbetemi në logjikën e njëjtë se sërish pa SHBA-të nuk mund të ruhet stabiliteti dhe siguria në Ballkan. Europa tash së fundi është zgjuar nga letargjia dhe po merret me pasojat e mosorganizimit të një ushtrie të përbashkët, e cila ka qenë dashur të formohej qëmoti. Në këto rrethana kur kërcënimi rus për stabilitetin e Evropës, nuk është më retorikë, por është bërë makth, Kosova nuk mund të pret ndonjë mbështetje të duhur evropiane. Prandaj, SHBA-të do të duhej të jenë prezent në Ballkan, me angazhimet e drejtpërdrejta, duke lobuar që Kosova të përfshihet sa më parë në strukturat e NATO-s”.

Ndër të tjera, publicisti shtoi se, vetëm duke qenë pjesë e NATO-s, Kosova mund të fitojë stabilitet dhe të ndalohet ndikimi rus në Ballkan.

“Një Kosovë në NATO, do të thotë stabilitet më i madh për vendin, por edhe një krah i sigurt për pengimin e shtrirjes së ndikimit rus në këtë pjesë të rajonit, që do të ishte në favor edhe të vet Amerikës. Vetëm duke qenë pjesë e NATO-s, Kosova mund të prodhojë stabilitet edhe më të madh në rajon, pikërisht në kohën kur jemi në prag të epilogut të konflikti në Ukrainë, dhe për pasojë Ballkani nuk guxon të përfshihet në matematikat e këqija gjeopolitike”, përmbylli Emin Azemi për “Bota sot”.

Aliçkaj: Kosova është me Amerikën dhe Amerika është në Kosovë

Ndërsa, për këtë çështje foli edhe Drejtori Ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Agim Aliçkaj.

Image

Agim Aliçkaj

Ai mirëpriti diskutimet në Kongresin Amerikan, derisa tha se çështjet e ngritura nga kongresistët dhe përgjigjet, ishin në favor të Kosovës.

“E pritëm, me të drejtë, me gëzim të madh ditën e Seancës dëgjimore për Ballkanin Perëndimorë në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Kongresit Amerikan të udhëhequr nga kongresisti i mirënjohur Keith Self, mik i shqiptarëve.

Dhe, nuk u zhgënjyem. Pyetjet, çështjet e ngritura nga kongresistët dhe përgjigjet nga referuesit kur bëhëj fjalë për Kosovën, ishin gati të gjitha në favor të Kosovës. Serbia ishte në bankën e të akuzuarve për të gjitha politikat e saja destruktive dhe destabilizuese në Ballkan.

Ndër më të rëndësishmet ishte kritika e ashpër drejtuar Serbisë për shkeljen sistematike të të drejtave të njeriut të popullit shqiptar që jeton në trevat stërgjyshore të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Për këtë gjë u pajtuan të gjithë të pranishmit dhe kongresisti Self prezantoi edhe Rezolutë kongresionale.

U potencua rreziku që vjen nga hegjemonizmi ruso-serb, me kërkesë që Administrata Trump të angazhohet më shumë për ta ruajtur paqen në Ballkanin Perëndimor”, shtjelloi ai.     

Gjithashtu, Aliçkaj përmendi edhe investimet e shumta që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë në Kosovë.

Sipas tij, propozimi i Joseph për anëtarësimin e Kosovës në NATO është zgjidhja e problemit me Serbinë.

“Amerika ka investuar shumë në Kosovë që nga viti 1999. Ky investim duhet mbrojtur, mirëmbajtur dhe zhvilluar më tej. Meqë Evropa, për shumë arsye, nuk ka kapacitet për ta frenuar agresionin serb, është thelbësore që Amerika të përfshihet drejtpërdrejt dhe vendosmërisht në Ballkan. Konflikti midis Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhet vetëm me ndërhyrjen amerikane.

Propozimi i z. Eduard Joseph për anëtarësimin e Kosovë në NATO është zgjidhja më e shpejt e problemit me Serbinë, sepse shuhen shpresat serbe për ndryshim të kufijve dhe këthim të saj në vendin e krimit”, shpjegoi drejtori ekzekutiv i LQSHA-së.

 Tutje, ai potencoi se është lajm i mirë angazhimi amerikan për Kosovën.

Në këtë pikë, potencoi edhe kritikat e disa gazetarëve, analistëve dhe politikanë në vendin tonë, që ia bënin qeverisë Kurti në lidhje me raportet me Amerikë.

Ai konsideroi se ato nuk qëndrojnë, duke parë edhe qëndrimet e kongresistëve amerikanë.

“Angazhimi amerikan është gjithmonë lajm i mirë për Kosovën, me kusht që me zyrtarët amerikanë të punohet shumë, të bisedohet shtruar, me argumente dhe me respekt.

Gjithë këtë lajm të mirë për Kosovën u munduan ta nënçmojnë, shtrembërojnë dhe keqëpërdorin për interesa personale, klanore dhe partiake disa përfaqësues të partive opozitare të Kosovës, bashkë me analistë dhe gazetarë nga të gjitha anët, të shitur te armiqtë e popullit shqiptar.

Në stilin “o mulni burra se u kall Bistrica”, u kapën vetëm për 15 sekonda të kësaj seance të jashtëzakonshme më shumë se katër orësh, ku në njërën nga pyetjet e shkurtra rutinore të kongresmenit Self, se a konsiderohet KM Albin Kurti pengues nga disa burokrat karrierist të Departamentit të shtetit, dy panelistë thanë po, i treti më shumë po se jo”.

Kësisoj, Aliçkaj komentoi edhe parashikimet që bënin për “fundin e karrierës politike” të Kurtit.

“Në shumë media, sidomos ato sociale, vërshuan titujt bombastikë e më të poshtër kundër Kurtit, me parashikime fantastike iluzore për “fundin” e karrierës së tij politike. Filloi kënga “bllokuesi, penguesi” dhe vallja e kundërshtarëve të tij dhe armiqve të Kosovës, pa muzikë, me defa e tupana imagjinarë, gati që nuk eksplodoi interneti. Ishte një ditë cirkusi, ditë qesharake, po të mos ishte e turpshme.

Gëzim jetëshkurtër i mjeranave.

Ku ishin këta klounë, para tri vitesh kur në dëgjimin e Senatit, senatori Menendez e pyeti zyrtarin e lartë të Departmentit të shtetit Derek Chollet, se a kishte Presidenti Vuciq lidhje me krimin e organizuar dhe ai u përgjigj se Po?! Paramendojeni po të ishte thënë kjo për z. Kurti, do të bëhej kiameti”.

 Në vazhdim, drejtori ekzekutiv i LQSHA-së, ndau disa përvoja të tij gjatë veprimtarisë së lobimit në Uashington.

Me këtë rast, ai theksoi se indikacione dhe informata serioze, se koordinator i shumë veprimeve kundër Kosovës është Grenell.

“Gjatë 35 viteve veprimtarie lobiste në Uashington, në kuadët të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, me legjendat e kombit Joseph DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, kemi hasur shpesh në zyrtarë të lartë amerikanë të influencuar nga Serbia, përfshirë edhe ish-Sekretarin e shtetit Laërence Eagleburger. Të tillët i qetëson Kongresi amerikan, kur vepron mençur komuniteti shqiptaro-amerikan.

Duhet theksuar, se ka indikacione dhe informata serioze, se koordinator i shumë veprimeve kundër Kosovës dhe interesave amerikane në Ballkan, në qarqe të caktuara amerikane, si dhe i opozitës së Kosovës, është ish-ambasadori amerikan i influencuar nga regjimi fashist i Aleksander Vuciqit, Richard Grenell.

Ai është kundërshtar i përbetuar i KM Albin Kurti, rrënues i hapur i demokracisë së Kosovës në vitin 2020, ndërhyrës i drejtpërdrejt në zgjedhjet e lira parlamentare të shkurtit të këtij viti, dhe mësues i opozitës së Kosovës për të  bllokuar institucionet e Kosovës, me qëllim të largimit të Kurtit nga politika, faktorizim të organizatës armiqësore “Lista srpska” dhe kthimin e Serbisë në Kosovë, të kamufluar me kinse marrëdhënie ekonomike”, shtjelloi Aliçkaj.

Në fund, ai shtoi se, me liderë si Kurti, Osmani e Konjufca, nuk do mungojë përkrahja e Amerikës.

Madje, dha edhe një mesazh të fortë për fund, ku tha se “Kosova është me Amerikën dhe Amerika është në Kosovë”.

“Kongresisti i njohur republikan Mike Lawler, në një takim me komunitetin shqiptaro-amerikan, na tha se Grenell paraqitet më shumë se sa ka influencë te Administrata Trump. Më e rëndësishmja është se Grenell, duke e mbështetur agresionin serb, kërkon konflikt në Ballkan ndërsa Presidenti Trump është për paqe, kundër konflikteve dhe luftërave. Koha e Grenell është në perëndim e sipër.

Populli i Kosovës me votën e vet me shumicë për KM Albin Kurti, si dhe në momentin e caktuar për Presidenten Osmani e ka në dorë që ta shpëtojë Kosovën nga kthimi i Serbisë në Kosovë, për një të ardhme të sigurt pro-evropiane dhe pro-amerikane.

Përkrahja e Amerikës nuk do të mungojë. Ajo, në fund të fundit i preferon liderët e fortë dhe të pa korruptuar si Osmani, Kurti dhe Konjufca.

Kosova është me Amerikën dhe Amerika është në Kosovë. Serbia është me Rusinë dhe Rusia është në Serbi. Këtë se luan as topi”, përmbylli Agim Aliçkaj për “Bota sot”.

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

mbappe sfidon rekordin historik te ronaldos 69328c18585c9
Lajmi i mëparshëm

​Mbappé sfidon rekordin historik të Ronaldos

vranesira mesatare dhe reshje shiu te herepashershme parashikimi i motit per kete te premte 69328cc60e956
Lajmi i radhës

Vranësira mesatare dhe reshje shiu të herëpashershme, parashikimi i motit për këtë të premte

Të fundit nga

ShkoLartë