Veprimet dhe deklaratat e fundit të presidentes Vjosa Osmani kanë nxitur debat rreth qëndrimeve të saj ndaj institucioneve qeverisëse dhe përceptimeve të mundshme për krizë politike të re.
Një tjetër dimension që ka tërhequr vëmendjen është afërsia e saj me kryeministrin shqiptar Edi Rama, për të cilën ajo ka marrë kritika dhe interpretime lidhur me ndikimin në politikën e brendshme të Kosovës.
Këto zhvillime ngrejnë pyetje mbi motivet dhe pasojat e këtij ndryshimi të qasjes së Osmanit karshi Qeverisë Kurti.
E për këtë çështje, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli profesori Enver Bytyçi.
Si fillim, ai tha se Kosova po rikthehet në situatën e një viti më parë, në një ngërç politikë, e që potencoi se nuk e kishte pritur një gjë të tillë.

Bytyçi u shpreh se, personalisht e ka mbështetur Osmanin edhe për një mandat të dytë, mirëpo kohët e fundit me afrimin e saj me Ramën, ajo u largua nga “linja” me Kurtin.
“Historia e dy dekadave të fundit e Kosovës është e tillë që na bën të jemi shumë të kujdesshëm. Nëse kthehemi pas dhe shohim se si lidershipi i Kosovës, saktësisht ish-presidenti dhe ish-kryeministri Thaçi e trajtoi çeshtjen e dialogut dhe pajtimit me Serbinë, atëherë ne duhet të bëjmë një kujdes të shtuar që kjo histori të mos na përsëritet. Javën e fundit Kosova pati një dezhavu. U rikthye sindroma e para një viti kur duhej që parlamenti të konstituonte institucionet e qeverisjes. Është fjala për zgjedhjen e presidentit të ri. Të gjithë ne mendonim para pak javësh se Vjosa Osmani do të duhej të ishte në këtë detyrë edhe për një mandat të dytë. Personalisht e kam mbështetur kandidaturën e saj publikisht. Jo se nuk kisha rezerva ndaj saj. Jo se isha i lumtur që ajo krijoi një miqësi të panatyrshme me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili ishte dhe mbetet protagonisti kryesor i zbatimit të politikave që synonin Vuçiq dhe Thaçi! Por se besoja që një presidente me lidhje të forta me SHBA-të do të ishte në të mirë të Kosovës.
Tani jemi vonë. Kjo dëshirë e imja dhe e shumë të tjerëve u sfidua. Gjithkush ka të drejtë të thotë mendimin e tij e ta shpjegojë moszgjedhjen e zonjës Osmani si kandidaturë për presidente me “kokëfortësinë” e Albin Kurtit. Por të jem i sinqertë: – Mbështetja për Albin Kurtin vjen për shkak të kësaj “kokëfortësie” që ai ka. Sepse vetëm në këtë rast publiku merr garanci se nuk do të mund të rikthehen politikat e ndarjes së Kosovës ose të kantozimit të saj. Zonja Osmani ishte në të njëjtën linjë me zotin Kurti deri në momentin kur hyri në mes tyre Edi Rama”, deklaroi profesori.
Gjithashtu, Bytyçi vlerëson se ky ishte edhe qëllimi i Ramës për t’i përçarë Kurtin dhe Osmanin.
Mirëpo, ai tha se, Kurti për dallim nga Osmani, nuk gaboi dhe e kuptoi planin dhe qasjen e Ramës.
Për këtë, profesori konsideron se presidentja gaboi shumë me dekretin për shpërndarje të Kuvendit.
“Besoj e keni parë që Rama nuk është prononcuar fare për atë që ndodhi në Kosovë. Nuk ka pse të flasë. Më e këndshme për Ramën është t’i shohë Kurtin dhe Osmanin kundër njëri-tjetrit, sesa të shprehet për këtë konflikt. Madje zgërdhihet pranë oxhakut me laptop në dorë, kur lexon lajmet për ngjarjet e fundit. Thotë: – Ia arrita që t’i përçajë edhe këta të dy. Ndërkohë nxjerr nga xhepi telefonin dhe thërret sivëllain e tij, Aleksandrin e Beogradit: – Alo Sandër, meritoj shumë tani, se ia arrita të bëj atë që ti nuk do të mund ta bëje me një ushtri shumë të madhe! I përçave dy kundërshtarët e tu në Kosovë dhe po ta lehtësoj punën që ti ke me Kosovën vazhdimisht.
Kjo është panorama që është krijuar. Dhe kam përshtypjen se kryeministri Kurti e ka kuptuar mirë këtë. Ndërkohë që presidentja Osmani gaboi disa herë. Gaboi kur propozoi ndryshime kushtetuese për ta zgjedhur presidentin na vota e qytetarëve. Kjo sepse ajo e dinte se Lista Srpska do ta bojkotonte këtë akt. Ndërkohë që mbivlerësoi vetëveten. Gaboi shumë, po ama tepër shumë kur nxori dekretin për shpërndarjen e parlamentit. Një akt anti-demokratik dhe arrogant ky i paprecdentë, sepse edhe nëse ky dekret mbështetet në nenet kushtetuese, duhej të kishte një proçedurë. Kjo nuk ndodhi. Thjesht presidentja u ngrit në mëngjes dhe dha fetfanë se parlamenti u shkri. E pabesueshme kjo për një Republikë Parlamentare. Gaboi kur thirri partitë politike për të caktuar ditën e zgjedhjeve. Por bëri mirë që nuk ka përcaktuar se kur mund të bëheshin zgjedhjet e reja parlamentare. Dukej sikur po thoshte se “Unë marr hak pse nuk më zgjodhët sërishmi presidente të Kosovës”, shpjegoi ai.
Më tej, proferoi komentoi edhe më gjerësisht raportet Rama-Osmani, derisa tha se nuk i ka pëlqyer aspak kjo afërsi e presidentes së Kosovës me kryeministrin e Shqipërisë.
Ai sqaroi se nuk është çështja që nuk dëshiron që dy shtetet shqiptare të kenë raporte të mira, por dyshon në Ramën, politikëbërjen dhe qëllimet e tij.
“Për afrimin e tepruar me Edi Ramën unë jam shkrehur kritik ndaj presidentes Osmani edhe para më shumë se një viti, ndërkohë që kam shprehur vlerësime pozitive për veprimtarinë e saj, sidomos në fushën e diplomacisë. Por sa i përket afrimit me Ramën ndjeja një boshllëk, ndihesha keq. Dikush do të më thotë se “Unë nuk e dua Edi Ramën”! Jo! Kjo nuk është e vërteta, sepse unë nuk kam asgjë personale me kryeministrin e Shqipërisë. Ëhtë e vërtetë se unë nuk e dua Edi Ramën si politikan. Por kjo ka ndodhur për shkak të aleancës së tij me presidentin e Serbisë dhe të gjithë lobuesit anti-Kosovë në Europë e SHBA për ta rrënuar pavarësinë dhe shtetësinë e saj. Vetëm kjo më bën të jem kritik i ashpër me zotin Rama”.
Në fund, ai foli edhe për disa fotografi të Osmanit në takim me Grenell dhe Gjuriq, e që sipas tij, lënë hapësirë për dyshime të mëdha e të forta.
Madje, tha se, deklarata e fundit e Grenell zbuloi intrigën e luftës së Osmanit dhe opozitës kundër kryeministrit Kurti.
Zonja Osmani e madje as Kurti nuk kanë arsye të jenë në të njëjtën pikëpamje me mua, sepse janë liderë. Nuk kam kërkuar dhe nuk kërkoj që ata të jenë armiq me kryeministrin e Shqipërisë. Por miqësia me të, e përsëris, është shumë e rrezikshme. Pamë një fotografi të zonjës Osmani në një takim të cilin e drejtonte Richard Grennell. Si u gjend në atë takim ajo, në të cilin ishte edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq? Kush e çoi në atë takim? Edhe nëse ka shkuar për hatër të presidentit Begaj, i cili ishte gjithashtu i pranishëm aty, është e sigurt se loja është e Edi Ramës.
A ishte rastësi që ajo shkoi në atë takim? Jo! Ndërkohë që ia ka fshehur publikut. Atëherë si të mos kemi ndjenjën e dyshimit për atë se po bëhen përpjekje për ta rikthyer kohën e Hashim Thaçit për të luajtur bixhoz me territorin e Kosovës?! Deklarata e Grennell për rikthimin e Hashim Thaçit si kryeministër zbuloi në një farë mënyre edhe intrigën e luftës së Osmanit dhe opozitës kundër kryeministrit Kurti. Të gjitha gjurmët të çojnë te Edi Rama dhe Vjosa Osmani nuk ka kuptuar më duket ende se ai vetëm i shfrytëzon miqësitë në favorin e tij, jep premtime boshe për ta dhe në fund viktimat e veta i hedh si limon i shtrydhur. Prandaj, nëse presidentja Osmani vazhdonte flirtet e veta me kryeministrin Rama mund të përfundojë si Vlora Hyseni, ndoshta një ministre e Jashtme e Republikës së Shqipërisë deri në momentin që ajo të zihet me Edi Ramën!” – përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.
Burimi: botasot.info

