Zëdhënësja e Qeverisë, Venera Azizi ka tërhequr vëmendjen edhe tek kostoja e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme, duke theksuar se një proces i tillë do t’i kushtonte buxhetit mbi 10 milionë euro, ndërsa njëkohësisht do të sillte ndërprerjen e projekteve dhe proceseve të rëndësishme për qytetarët.
“Qytetarët duhet të jenë shumë të informuar se organizimi i një palë zgjedhjeve kushton mbi 10 milionë euro. Të gjitha projektet duhet të ndërpriten shkaku i zgjedhjeve të parakohëshme, të gjitha punësimet gjithashtu duhet të ndërpriten”, ka theksuar Azizi.
Ajo gjithashtu ka veçuar si një nga çështjet më të rëndësishme që pritet të marrë zgjidhje Ligjin për transformimin e vendeve të punës, i cili, sipas saj, shumë shpejt do të procedohet në Kuvend dhe do të miratohet.
Me këtë ligj, mijëra qytetarëve të cilët prej 12-13 viteve kanë mbetur pa vendime të përhershme pune dhe me status të pazgjidhur, pritet t’u jepet më në fund një zgjidhje përfundimtare.
Sipas zëdhënëses Venera Azizi, VLEN nuk e ka ndërmend të ndërpresë proceset e nisura për shkak të kërkesave politike të BDI-së opozitare. Prioritet mbetet realizimi i projekteve, avancimi i punësimeve dhe zgjidhja e problemeve të grumbulluara ndër vite.


