Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, kanë vendosur gurthemelin për ndërtimin e Kuzhinës Qendrore. Nga ky projekt 700 mijë eurosh, u tha se do të përfitojnë dhjetë mijë fëmijë llapjanë, prej atyre në çerdhe, parashkollorë e deri te nxënësit e klasës së nëntë.
Kurti tha se ndërtimi i Kuzhinës Qendrore është shumë i dobishëm, pasi sipas tij mësimnxënia varet shumë nga mirëqenia e nxënësve.
Kurti: Projekti i Kuzhinës Qendrore do t’u shërbejë dhjetë mijë fëmijëve në Podujevë
“Do t’iu shërbejë dhjetë mijë fëmijëve, prej çerdheve, parashkollorëve e deri te klasat prej një deri nëntë. Vlera e këtij projekti është 700 mijë euro, me ç’rast do të ketë një sipërfaqe prej 1150 metra katrorë, me restorantin, hapësirën për punëtorë, hapësirë për administratë. Ky është një lajm i mirë për mirëqenien e fëmijëve dhe kujdesin e komunës dhe qeverisë për të drejtat dhe nevojat e fëmijëve. Të gjithë e dimë se mësimnxënia varet shumë nga mirëqenia e nxënësve”, tha Kurti.
Në anën tjetër, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se pas ndërtimit të Kuzhinës Qendrore krijohen parakushtet për mësimin gjithë ditor në Podujevë.
Bulliqi: Po krijohen parakushtet për mësimin gjithë ditor në Podujevë
“Ajo që mund t’ju them në këtë moment është se kemi gjetur Podujevën me një çerdhe publike dhe po e mbyllim mandatin tonë me nëntë çerdhe të tilla. Kjo do të thotë rritje e kapaciteteve infrastrukturore dhe rritje e numrit të nxënësve në nivel parafillor të çerdheve. Është moment i veçantë që po e bëjmë këtë kuzhinë, pasi këta fëmijë do të kenë mundësinë me pas ushqimin e ngrohtë…Po bëjmë përgatitjet e para që të shkojmë drejt mësimit gjithë ditor dhe shumë shpejt Komuna e Podujevës do të shkojë në këtë projekt të gjerë”, tha ai.
Krahas kësaj, Kurti bashkë me Bulliqin do të bëjnë përurimin e çerdhes në fshatin Kërpimeh dhe në Orllan./
Burimi: botasot.info


