Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur.
Në aktgjykimin e shpallur më 8 gusht, Kushtetuesja tha se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk ka vepruar në bazë të aktgjykimit të mëhershëm të kësaj gjykate të 26 qershorit, duke shtuar se të gjitha seancat e mbajtura nga 27 qershori deri më 6 korrik “të shpallen të pavlefshme”.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka urdhëruar kryesuesin e seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë.
E ky vendim ka nxitur reagime të shumta dhe përplasje mes partive politike.
Po ashtu, theksojmë se ky vendim erdhi vetëm pak ditë pasi presidentja Vjosa Osmani tërhoqi kërkesën drejtuar në korrik Gjykatës Kushtetuese në lidhje me konstituimin e Kuvendit, për shkak të gjyqtarit serb në këtë gjykatë, Radomir Llaban.
E në lidhje me këto zhvillime të fundit në vend, për “Bota sot” foli juristi i Belgjikës, Skënder Musliu.
Fillimisht, ai analizoi përpjekjet që ka bërë Osmani për të ndihumuar në zhbllokimin e ngërçit politik, e që sipas tij ky ngërç është i koordinuar.
Krahas kësaj, mbështeti tërheqjen e kërkesës paraprake që presidentja kishte bërë në Kushtetuese.
“Pa e analizuar gjenezën dhe arsyet për moskonstituimin e legjislaturës së IX-të të Kuvendit të Kosovës, do të ndalem vetëm në përpjekjet e presidentes së Kosovës, Zonjës Vjosa Osmani për kërkimin e një zgjidhje për dalje nga kriza artificiale, që u krijua në mënyrë të orkestruar dhe koordinuar nga partitë politike më të kriminalizuara që nga çlirimi i Kosovës, PLAN-i, me të vetmin qëllim, që t’i pamundësohet partisë fituese, LVV-ës, të vijë në pushtet, ashtu siç e kishin bërë për dy dekada.
Duke kërkuar dalje nga kjo krizë, Zonja Osmani, me 22 korrik 2025 i adresoi një kërkesë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës duke kërkuar një zgjidhje pragmatike në frymën e Kushtetutës, për daljen nga ky ngërç politik.
Mirëpo, me të kuptuar presidentja Osmani se, lidhur me kërkesën e saj, Gjykata Kushtetuese, si gjyqtar raportues të lëndës e kishte caktuar gjyqtarin Radomir Laban, ajo konvokoi një konferencë për media, në të cilën deklaroi se e tërheq kërkesën e saj të 22 korrikut, me arsyetimin se institucionet e sigurisë, në raportet e vitit 2018, 2021 dhe 2024 kanë informuar krerët e shtetit për veprimtarinë e tij të rrezikshme kundër Rendit Kushtetues të Kosovës. Pas kësaj deklarate, Zonja Osmani u vërshua nga disa kritika që vinin nga të ashtuquajtur opinionistë dhe gazetarë mercenarë, por edhe nga disa ish gjyqtar dhe jurista që apriori kundërshtojnë punën e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmani, me pretekstin se tërheqja e kësaj kërkese qenka bërë për poena politik. Kjo nuk qëndrojnë aspak, sepse ajo ka ngritur shqetësimet e saja duke u bazuar nga institucionet më kompetente, më relevante dhe kredibile të sigurisë së Kosovës”, nënvizoi juristi.

Sipas Musliut, Osmani ka pasur arsye për të marë një vendim të tillë, derisa përmendi veprat penale që kishte bërë gjyqtari Llaban ndër vite.
“Konsideroj se presidentja ka patur arsye të bazuar për një veprim të tillë, sepse, mos të harrojmë se, Radomir Laban ishte shpallur fajtor për një sërë veprash penale në Serbi, respektivisht, si pjesë e « mafias doganore », falsifikim të dokumenteve, korrupsion, abuzim me detyrën zyrtare e tj. për çka ishte dënuar me gjashtë vite burgim efektiv, që nuk i vuajti, sepse u strehua në Kosovë, edhe pse Serbia përmes EULEX-it kishte kërkuar arrestimin e tij. Madje, në kohën kur ishte dënuar në Serbi, ai fillimisht ishte punësuar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës si bashkëpuntor profesionaj kurse më vonë me propozimin e Listës serbe u « lansua » në këtë Gjykatë si gjyqtar, që Hashim Thaçi e kishte dekretuar”.
Në vazhdim, juristi nga Belgjika hodhi disa dyshime mbi emërimin e Laban dhe për atë se kujt mund t’i ketë konvenuar kjo pozitë e gjyqtarit serb.
Krahas kësa, ai tregoi edhe normat që janë të përcatuara me ligj për zgjedhjen e gjqytarëve, specifikisht atyre të Gjykatës Kushtetuese.
“Pyetja që me të drejtë duhet të shtrohet është se, kujt i ka konvenuar dhe kush e ka « rekrutuar » Labanin, personin me një precedent penal, në institucionin më senzitiv të drejtësisë!? Është e çuditshme se, si është e mundur që në informatat zyrtare të institucioneve të sigurisë, Radomir Laban cilësohet si gjyqtar që paraqet rrezik për sigurinë kombëtare dhe Rendin Kushtetues të Republikës së Kosovës, të « infiltrohet » në institucionin më të lartë të drejtësisë!? Apo, si është e mundur që për tema kaq senzitive juridike, që prekin Kushtetutën dhe frymën e saj, si gjyqtar raportues të lëndës në fjalë, të caktohet një gjyqtar me precedent të rëndë penal si Radomir Laban!? Po ashtu, vitin e kaluar Radomir Laban i kishte kaluar të gjitha proceduarat për notar, mirëpo pikërisht për shkak të raporteve negative nga AKI-ja, Ministrja e Drejtësisë e kishte refuzuar emrimin e tij.
Është normë e përcaktuar me ligj se, para të zgjidhen gjyqtarët, në veçanti të Gjykatës Kushtetuese, ata i nënshtrohen një procesi të verifikimit për përshtatshmërinë, të kaluarën, problemet eventuale me drejtësinë, dhe jo vetëm, dhe pasi t’i kalojnë këto filtra merret vendimi përfundimtar duke u dekretatuar nga presidenti. Se a janë respektuar këto rregulla, personalisht shprehi dyshime, sepse jo vetëm në rastin Laban, por kjo përbërje e Gjykatës Kushtetuese është « rekrutuar » nga PLAN-i, kur ajo ishte në bashkëqeverisje, respektivisht nga Pronto mafia, e përbërë nga politikanët më të korruptuar dhe më të inkriminuar që ndonjëherë ka patur Kosova”, nënvizoi ai.
Më tej, Musliu vlerëson se Kushtetuesja ka vepruar me urdhëra të partive opozitare, derisa kritikoi edhe vendimin për konstituimin e Kuvendit, e që sipas tij e ka komplikuar edhe më shumë këtë proces me rëndësi për shtetin.
“Se Gjykata Kushtetuese ka vepruar sipas kërkesave të Pronto mafisë duke marrë vendime politike, e jo juridike, do të përmendi vetëm dy raste, së pari, kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës me një Aktgjykim, ia fali 24 hektar tokë Manastirit të Deçanit (për çka kam shkruar hollësisht), dhe së dyti, kur me kërkesën apo ultimatumin e Grenellit, LDK-ëja doli nga Qeveria Kurti në kohën e pandemisë, dhe e « përmbysi » Qeverinë, dhe për të mos shkuar vendi në zjedhje të parakohshme, Thaqi rastin e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese, e cila me Aktgjykimin e saj e solli Avdulla Hotin në mënyrë antikushtetuese si kryeministër.
Edhe dy Aktgjykimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese, të muajit Qershor dhe i 8 gushtit, me, apo pa qëllim, me disa zgjidhje parciale, jo vetëm që nuk e kanë zgjidhur bllokimin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, por e kanë komplikuar edhe më tej, duke i lënë dyert e hapura obstruksioneve të radhës”.
Ndër të tjera, juristi nga Belgjika duke u mbështetur në ato që potencoi më lartë, konsideron se gjykatat ende janë të kapura nga partitë që në të kaluarën kanë qenë në pushtet.
Madje, tha se moskonstituimi i Kuvendit nuk është problem juridik, por politik, pas vlerëson se të gjitha partitë politike që kanë qenë në opozitë, po synojnë ta pengojnë formimin e qeverisë Kurti 3.
“Kjo na lë të kuptojmë se kjo gjykatë, ashtu sikurse edhe gjykatat e rregullta dhe prokuroria e Kosovës, pjesa dërmuese, ende janë të kapura, nën pranga dhe në shërbim të tyre, sepse politikanëve të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar, iu konvenojnë vetëm gjyqtarët dhe prokurorët e shantazhuar dhe të kapur, derisa Qeveria Kurti 3, përmes Vettingut, dhe jo vetëm, t’a pastrojë sistemin e kalbur të drejtësisë. Sepse, fatkeqësisht në sitemin e drejtësisë së Kosovës pjesa dërmuese janë Radomir Labana.
Që nga fillimi i krijimit të këtij ngërçi artificial politik, kam shkruar se, edhe përkundër zbrastirave kushtetuese dhe ligjore, moskonstituimi i Kuvendit, nuk është problem juridik, por politik, e cila mund të zgjidhet vetëm përmes një marrëveshje politike, që për momentin të gjitha partitë opozitare po e refuzojnë për shkak inateve primitive politike dhe për t’a penguar formimin e Qeverisë Kurti 3”, përmbylli Skënder Musliu për “Bota sot”.
Burimi: botasot.info


