Në emisionin “Opinion” është zhvilluar një debat mbi Inteligjencën Artificiale dhe projektin “Diella”, të dekretuar nga Presidenti Bajram Begaj si ministre virtuale. Diskutimi u fokusua tek përgjegjësia ligjore në rast se Inteligjenca Artificiale gabon ose manipulohet.
Aldor Nini: Inteligjenca Artificiale është një program të cilin ti e mëson, i jep ligjin, i jep rregulla, i jep direktiva, e ndihmon. Të gjitha i fut atje, i jep udhëzime shtesë që mund të vijnë në ndihmë, në këtë rast Inteligjencës Artificiale për të marrë vendimet e duhura dhe ajo me këto trajnimet që bëjnë… nga ana tjetër ti ke një urë komunikimi me AI.
Blendi Fevziu: Manipulohet kjo?
Aldor Nini: Unë mund t’i them çfarë të dua si krijues.
Blendi Fevziu: Mbaj mend, ishin ato tenderat atëherë që i jepte kodin për t’u futur në kompjuter dhe i ndryshonte ofertën ai.
Aldor Nini: Ai që e mëson, do e mësojë si do reagojë dhe vendos AI.
Blendi Fevziu: Nëqoftëse ‘Diella’ manipulohet dhe bën gabim, kush shkon në burg?
Aldor Nini: Ai që e ka krijuar, ai që e ka programuar, ai që i ka dhënë direktivat…
Blendi Fevziu: Po nëqoftëse ai thotë ‘u çmend ‘Diella’ vet’?
Aldor Nini: Mban përgjegjësinë krijuesi, por mban përgjegjësinë edhe përdoruesi sepse për ta vënë në zbatim vendimin e ‘Diellës’ duhet një përdorues. Në këtë rast sipas dekretit të presidentit, unë e kuptova që është Edi Rama. Kështu përgjigjet Rama juridikisht.
Burimi: botasot.info


