ushtria izraelite e nis ofensiven tokesore ne qytetin e gazes i paralajmeron banoret te ikin 68c969939dc09

Ushtria izraelite e nis ofensivën tokësore në Qytetin e Gazës, i paralajmëron banorët të ikin

September 16, 2025
min lexim

Ushtria izraelite e ka nisur të martën ofensivën tokësore në Qytetin e Gazës, duke u futur dalëngadalë në qytetin më të madh të territorit palestinez, në të cilin janë rrënuar tashmë blloqe të tëra ndërtesash gjatë luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Kjo ofensivë shënon një tjetër përshkallëzim të konfliktit që ka trazuar Lindjen e Mesme për gati dy vjet dhe mbase i zbeh edhe më shumë shpresat për arritjen e një armëpushimi. Ushtria izraelite nuk dha afat kohor për ofensivën, e cila sipas saj synon ta “shkatërrojë infrastrukturën ushtarake të Hamasit”, por mediat izraelite raportuan se ajo mund të zgjasë me muaj.

Ajo nisi në ditët kur ekspertë të pavarur nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut i OKB-së e akuzuan Izraelin për kryerje të gjenocidit në Gazë. Izraeli e hodhi poshtë këtë akuzë, duke e quajtur raportin e ekspertëve “të shtrembëruar dhe të rremë”.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, deklaroi se “Gaza po digjet” teksa operacioni filloi, ndërsa bombardime të rënda goditën qytetin gjatë natës dhe në mëngjes të sotëm.

Kolona të gjata makinash dhe kamionësh të mbushur me dyshekë e gjësende të tjera u panë përgjatë rrugës bregdetare të Gazës, ndërsa njerëzit largoheshin nga qyteti. Disa hipnin mbi automjete të stërmbushura, ndërsa të tjerët ecnin në këmbë.

Në një vizitë të shkurtër në rajon, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, paralajmëroi se ka një “ka mbetur kohë shumë e shkurtër për t’u arritur ndonjë marrëveshje” për t’i dhënë fund luftës.

Një zyrtar ushtarak izraelit, që foli në kushte anonimiteti në përputhje me rregullat ushtarake, tha se ka nisur “faza kryesore” e operacionit në Qytetin e Gazës. Trupat izraelite po hyjnë në qendër të qytetit nga periferitë, sipas tij.

Paraprakisht, ushtria izraelite e bombardoi tërë natën këtë qytet, duke rrëzuar ndërtesa të larta.

Sipas tij, ushtria izraelite beson se në Qytetin e Gazës kanë mbetur rreth 2.000 deri në 3.000 militantë të Hamasit, si dhe tunele të përdorura nga grupi.

Kapacitetet ushtarake të Hamasit janë dobësuar dukshëm gjatë gati dy vjetëve luftë, dhe sot ky grup kryesisht zhvillon sulme të tipit gueril, me grupe të vogla luftëtarësh që vendosin eksplozivë ose sulmojnë pika ushtarake.

Vlerësohet se rreth 1 milion palestinezë jetonin në rajonin e Qytetit të Gazës para se të niste paralajmërimi për evakuim, ndërsa ushtria izraelite thotë se rreth 350.000 banorë tashmë janë larguar.

OKB të hënën tha se mbi 220.000 palestinezë janë zhvendosur nga veriu i Gazës gjatë muajit të fundit.

Deri në mesditë, Spitali Shifa kishte pranuar trupat e 34 personave të vrarë nga bombardimet, tha Rami Mhanna, një zyrtar i spitalit. Po ashtu, dhjetëra të plagosur ishin sjellë atje.

Një natë shumë e vështirë në Gazë”, tha për Associated Press Mohamed Abu Selmiya, drejtori i spitalit.

“Bombardimet nuk u ndalën as për një moment”, shtoi ai.

Lufta në Gazë filloi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi hynë në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1.200 njerëz, shumica civilë, dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë. Në Gzë po mbahen ende 48 pengje dhe Izraeli beson se 20 prej tyre janë gjallë.

Lufta hakmarrëse i Izraelit ka vrarë mbi 67.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila nuk e ndan numrin e civilëve nga ai i luftëtarëve. Ofensiva ka zhvendosur shumicën e 2 milionë banorëve të Gazës, ka shkaktuar shkatërrime masive dhe uri të madhe. / REL

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

barduani ne bruksel rruga drejt sigurise se qendrueshme ne kosove seshte ushtarake por politike 68c96887288f6
Lajmi i mëparshëm

Barduani në Bruksel: Rruga drejt sigurisë së qëndrueshme në Kosovë s’është ushtarake, por politike

e papritur regjisori shqiptar fiton festivalin e filmit me metrazh te shkurter ne greqi 68c96b45e59aa
Lajmi i radhës

E papritur/ Regjisori shqiptar fiton Festivalin e Filmit me metrazh të shkurtër në Greqi

Të fundit nga

Fundjavë me vranësira dhe riga shiu në vend

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se gjatë fundjavës pritet të mbajë mot kryesisht i vranët, me riga shiu në disa zona. Të shtunën parashihen vranësira dhe vende-vende riga shiu. Temperaturat minimale
ShkoLartë