Karolina e Veriut ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të uraganit Erin, një stuhi e fuqishme e Kategorisë 2, që po lëviz drejt veriut duke kërcënuar Bregun Lindor të Shteteve të Bashkuara.
Megjithëse pritet të mos prekë drejtpërdrejt bregdetin, përmasat e jashtëzakonshme të uraganit po krijojnë kushte të rrezikshme përgjatë vijës bregdetare.
Autoritetet kanë urdhëruar evakuime në pjesë të Outer Banks, pasi pritet që gjatë ditës së sotme të goditen nga valë shkatërruese mbi 6 metra dhe erëra të fuqishme.
Ndërkohë, dhjetëra operacione shpëtimi janë kryer gjatë kësaj jave për shkak të rrymave të forta detare, vetëm në Karolinën e Veriut. Zyrtarët lokalë dhe kombëtarë u bëjnë thirrje banorëve dhe pushuesve të shmangin hyrjen në ujë dhe të ndjekin udhëzimet e emergjencës.
Meteorologët paralajmërojnë se uragani Erin, ndonëse pritet të qëndrojë paralel me bregun, mbetet një rrezik i madh për rajonin përmes stuhive bregdetare, përmbytjeve dhe erërave të fuqishme.
Burimi: botasot.info


