ukraina i ben thirrje kines ushtroni presion mbi rusine per ti dhene fund luftes 68b6a1eace6ce

Ukraina i bën thirrje Kinës: Ushtroni presion mbi Rusinë për t’i dhënë fund luftës!

September 2, 2025
min lexim

Ukraina ka nxitur Kinën që të ushtrojë presion mbi Vladimir Putinin për të ecur drejt paqes, ndërsa presidenti rus mbërriti në Pekin pas pjesëmarrjes së tij në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), ku ai mbrojti luftën që ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz.

“Duke marrë parasysh rolin e rëndësishëm gjeopolitik të Republikës Popullore të Kinës, ne do të mirëprisnim një rol më aktiv [të Pekinit] në sjelljen e paqes në Ukrainë mbi bazën e respektimit të Kartës së OKB-së”, tha Ministria e Jashtme e Ukrainës në një deklaratë, teksa Putin mbërriti në kryeqytetin kinez më 2 shtator.

Deklarata e ministrisë vuri në dukje se deklarata përfundimtare e SCO-së shmangu çdo përmendje të konfliktit, i cili është shndërruar në një luftë të shkallës së plotë që prej pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022.

“Ne e konsiderojmë domethënëse që dokumenti kryesor përfundimtar i samitit, Deklarata e Tianxhinit prej 20 faqesh, nuk përmban asnjë përmendje të luftës ruse kundër Ukrainës”, tha deklarata.

“Është befasuese që lufta më e madhe e agresionit në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore nuk u pasqyrua në një dokument kaq të rëndësishëm e themelor, ndërkohë që aty përmenden një sërë luftërash të tjera, sulmesh terroriste dhe ngjarjesh në botë”.

Në deklaratë thuhej se mospërmendja e luftës së Rusisë në Ukrainë në deklaratë “tregon dështimin e përpjekjeve diplomatike të Moskës”.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje vazhdimisht që Kina, një aleate e ngushtë e Rusisë, të ushtrojë presion mbi Putinin për t’i dhënë fund luftës.

Një tjetër ngjarje diplomatike e nivelit të lartë në Kinë do të mbahet më 3 shtator: një paradë e madhe ushtarake që përkujton 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Shumë liderë, përfshirë Putinin, po qëndrojnë në Kinë pas samitit të SCO-së për të marrë pjesë në paradë.

Në samitin e SCO-së në Tianxhin, pranë Pekinit, Putin dërgoi një mesazh sfidues kundër Perëndimit për pushtimin e tij të Ukrainës, pasi qëndroi krah për krah me liderin kinez, Xi Jinping.

Putin tha se lufta në Ukrainë erdhi “jo si rezultat i një sulmi rus”, por për shkak të një grushti shteti të mbështetur nga Perëndimi në Kiev, sipas komenteve të transmetuara nga agjencia ruse e lajmeve TASS.

Kjo ishte një referencë e pasaktë ndaj protestave të Maidanit, që rrëzuan nga pushteti presidentin ukrainas pro-Moskës, Viktor Yanukovych, në vitin 2014, pasi ai hoqi dorë nga një marrëveshje tregtare me Bashkimin Evropian dhe u kthye nga Rusia.

Putin shtoi se përpjekjet e Perëndimit për ta tërhequr Ukrainën drejt NATO-s përbënin një “kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e Rusisë”, një pretendim që aleanca ushtarake e ka mohuar në mënyrë të përsëritur. /rel


Top Channel

Burimi: top channel

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

raporti i nato s shtetet anetare kane rritur ndjeshem shpenzimet ushtarake cilat vendet po permbushin objektivin e ri prej 3 5 68b6a0340c02c
Lajmi i mëparshëm

Raporti i NATO-s: Shtetet anëtare kanë rritur ndjeshëm shpenzimet ushtarake! Cilat vendet po përmbushin objektivin e ri prej 3.5%?

ndarja nga jeta e dhimiter anagnostit e marta shpallet dite zie kombetare 68b6a4f842e24
Lajmi i radhës

Ndarja nga jeta e Dhimitër Anagnostit, e marta shpallet ditë zie kombëtare

Të fundit nga

ShkoLartë