Liderja e opozitës venezueliane, Maria Corina Machado ka deklaruar se 3 janari, kur u arrestua Maduro “do të hyjë në histori si dita kur drejtësia mposhti tiraninë”, duke e cilësuar këtë moment si një pikë kthese për Venezuelën dhe më gjerë.
Në një intervistë për Fox News, Machado tha se sapo kishte mësuar se ishte shpërblyer me Çmimin Nobel për Paqe, ia kishte dedikuar atë presidentit amerikan Donald Trump, pasi besonte se ai e meritonte këtë vlerësim.
Sipas saj, kjo bindje ishte formuar edhe para arrestimit të presidentit të Venezuelës Nicolas Maduro, ndërsa ngjarjet e fundit vetëm sa e kanë përforcuar atë.
“Ishte një bindje që e kisha më parë, dhe ajo që ndodhi vetëm e justifikoi”, u shpreh Machado, e cila jeton në mërgim. Ajo theksoi se arrestimi i Maduros përfaqëson jo vetëm një moment të rëndësishëm për popullin e Venezuelës, por edhe një hap të madh për lirinë dhe dinjitetin njerëzor në nivel global.
“Nuk është vetëm diçka e madhe për popullin venezuelian dhe të ardhmen tonë, por mendoj se është një hap i madh për njerëzimin, për lirinë dhe dinjitetin njerëzor,” tha ajo.
Edhe pse pranoi se nuk ka folur me Trump që nga muaji tetor, Machado shprehu mirënjohjen e saj publike në emër të popullit të Venezuelës.
“Dua të them sot se sa mirënjohës jemi për vizionin e tij të guximshëm, për veprimet historike dhe për rolin e tij në sjelljen e Maduros përballë drejtësisë,” përfundoi ajo.
Burimi: botasot.info


