Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka theksuar rëndësinë e kujtesës kolektive dhe mënyrave institucionale për të ruajtur dhe nderuar figurat më të rëndësishme kombëtare dhe dëshmorët e lirisë.
Sipas tij, shoqëritë më përparimtare dhe shtetet më të zhvilluara në botë kanë politika të ndryshme kujtese për ngjarjet me peshë historike dhe personazhet kyçe që kanë shënuar rrugëtimin kombëtar.
Në fjalimin e tij gjatë ceremonisë së përkujtimit të dëshmorëve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, Kurti theksoi se një nga sfidat kryesore është gjetja e mënyrave më fisnike dhe efikase për mirëmbajtjen e kujtesës kolektive, duke e kaluar atë nga një brez në tjetrin me mirënjohje, nderim dhe respekt ndaj të gjithë të rënëve për liri.
Ai kujtoi takimin e vitit të kaluar, më 2 nëntor 2024, në Prishtinë, në 35-vjetorin e rënies së Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, ku u zhvillua një akademi përkujtimore në qytetin ku ata rezistuan të armatosur deri në vdekje në vitin 1989.
Kurti përmendi jetën dhe angazhimin e Afrim Zhitisë, i cili filloi rrugëtimin politik në moshën 16-vjeçare gjatë demonstratave të vitit 1981 dhe që pas katër vitesh burg, u rrit si një aktivist i përkushtuar për çlirimin e atdheut dhe barazi e drejtësi.
Kryeministri nënvizoi se kujtesa dhe nderimi ndaj dëshmorëve janë detyrë e brezave për breza, që të ruhet historia dhe sakrifica e tyre si pjesë e identitetit dhe zhvillimit kombëtar.
Kurse ish-eprori i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, vlerësoi lartë rolin dhe kontributin e Afrim Zhitisë në luftën për liri.
Ahmeti e përshkroi Afrim Zhitinë si kryeredaktorin e “Lajmëtarit të Lirisë”, gazetës ilegale që operonte nën hundën e Beogradit.
“Me ndihmën e institucioneve dhe përkushtimin e kryetarit të Podujevës po ngritët sot shtatorja e Afrim Zhitisë, sekretarit organizativ të Lëvizjes Kombëtare dhe kryeredaktorit të parë të gazetës ilegale ‘Minatori’. Ai ishte ideatori që shndërroi rezistencën nga rrugët në një forcë të organizuar për t’u përgjigjur pushtuesve,” tha Ahmeti.
Ahmeti foli edhe për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se përpjekjet për të përshkruar UÇK-në si një organizatë kriminale dhe terroriste do të dështojnë. Ai u shpreh i bindur se akuzat e udhëhequra nga Kremlini dhe Moska nuk do të ndryshojnë të vërtetën për luftën e drejtë të Kosovës.
“Pavarësisht akuzave dhe përpjekjeve të organizuara nga Lindja për të delegjitimuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ne jemi të sigurt që do të dalim fitimtarë. Ushtria jonë luftoi për liri dhe për amanetin e mijëra dëshmorëve të kësaj toke,” deklaroi Ahmeti, duke nënvizuar triumfin e Kosovës në këtë proces.
Fillon ceremonia e përurimit të shtatores së heroit të kombit Afrim Zhitia
Në fshatin Llugë po bëhet përurimi i shtatores së heroit të kombit Afrim Zhitia, si dhe inaugurimi i rinovimit të obeliskut dhe hapësirave përreth.
Burimi: botasot.info


