trump premton dergimin e patrioteve ne kiev ndersa bota pret nje njoftim te rendesishem prej tij 6874991c66e0b

Trump premton dërgimin e Patriotëve në Kiev, ndërsa bota pret një njoftim të rëndësishëm prej tij

July 14, 2025
min lexim

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se do të dërgojë sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore Patriot në Ukrainë – me shumë gjasë përmes Bashkimit Evropian – ndërkohë që Kievi, Moska dhe e gjithë bota presin një “deklaratë të rëndësishme” nga ai, në lidhje me luftën.

Duke folur për gazetarët në një bazë ushtarake amerikane pranë Uashingtonit, Trump nuk dha detaje për dërgesat e planifikuara të sistemeve Patriot në Kiev.

“Ne do t’u dërgojmë atyre sisteme Patriot, të cilat u nevojiten aq shumë, sepse [presidenti rus, Vladimir] Putin me të vërtetë i habiti shumë njerëz. Ai flet mirë dhe pastaj i bombardon të gjithë në mbrëmje… Nuk më pëlqen”, tha Trump.

“Bashkimi Evropian do të paguajë për to. Ne nuk do të paguajmë asgjë, por do t’i dërgojmë”, tha Trump, pa i specifikuar vendet e BE-së që do të përfshihen në transaksionin e tillë.

“Ne do t’u dërgojmë pajisje të ndryshme ushtarake, shumë të sofistikuara. Ata do të paguajnë 100 për qind për to. Kështu duam ne”, shtoi ai.

Më 2 korrik, Uashingtoni paralajmëroi se do t’i ndërpresë disa furnizime me armë për Kievin.

Megjithatë, Trump shprehu gjithnjë e më shumë zhgënjim për refuzimin e Putinit që të pranojë një armëpushim dhe, më 10 korrik, ai tha se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë armë shtesë në Ukrainë – përmes vendeve anëtare të NATO-s ose aleatëve të tjerë evropianë.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, në një bisedë telefonike me Trumpin më 4 korrik, foli për mundësinë që Berlini të blejë sisteme Patriot nga Uashingtoni dhe më pas t’ia dërgojë Ukrainës.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, pritet të mbërrijë në Uashington më 14 korrik për bisedime me zyrtarët amerikanë.

Shtetet e Bashkuara i dërguan Ukrainës tri bateri të raketave Patriot – që të gjitha gjatë administratës së presidentit Joe Biden.

Sistemi Patriot është një nga më të avancuarit në botë për mbrojtjen ajrore, i aftë të kapë raketa balistike, raketa lundruese dhe aeroplanë luftarakë.

Trump paralajmëroi një “deklaratë të rëndësishme” për luftën, më 14 korrik.

Ajo vjen në një periudhë kur sulmet ruse ndaj Ukrainës janë qetësuar relativisht, pas një vale rekorde të sulmeve ajrore gjatë javëve të mëparshme.

Axios, duke cituar dy persona që kanë njohuri për planin, raportoi më 13 korrik se Trump pritet të njoftojë për një ndryshim të madh në strategjinë e tij ndaj luftës, duke paraqitur një politikë “agresive” që do të përfshijë edhe armë sulmuese për Ukrainën.

Shtëpia e Bardhë nuk e komentoi këtë raport.

Në frontin diplomatik, edhe shefi i NATO-s, Mark Rutte, pritet të takohet me Trumpin më 14 korrik, për të diskutuar për Ukrainën dhe çështje të tjera.

Sipas një deklarate nga aleanca ushtarake perëndimore, Rutte do të takohet edhe me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe anëtarë të Kongresit amerikan, gjatë vizitës së tij dyditore në SHBA.

Në anën tjetër, i dërguari posaçëm i Trumpit për Ukrainën, Keith Kellogg, do të nisë më 14 korrik një vizitë në Ukrainë.

Që kur mori detyrën në janar, Trump e bëri mbarimin e luftës në Ukrainë prioritet kryesor në politikën e jashtme./REL

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

kriza ne kuvend dhe te drejtat e serbeve temat e diskutimit mes hanrahanit dhe politikaneve 6874982db5089
Lajmi i mëparshëm

Kriza në Kuvend dhe të drejtat e serbëve, temat e diskutimit mes Hanrahanit dhe politikanëve

nje vit rezultate drejtoria e doganave do te jap llogaridhenie per punen e kryer 68749c6427f8d
Lajmi i radhës

“Një vit rezultate” – Drejtoria e doganave do të jap. llogaridhënie për punën e kryer

Të fundit nga

ShkoLartë